Zgjedhjet 2025

32 deputetë të legjislaturës së shkuar nuk do të jenë në të renë

Seanca konstituive - tentimi i 27-të

Foto: Driton Paçarada

Legjislatura e zgjedhur më 28 dhjetor nuk do t’i ketë 32 deputetë që ishin në legjislaturën e shkuar. 27 prej tyre dështuan të rizgjidheshin, sipas rezultateve që kanë mbërritur te fundi. E pesë të tjerë nuk ishin në garë fare.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë përjetuar më së shumti largime, për shkak të rënies së numrit të ulëseve të fituara, por edhe se u zgjodhën fytyra të tjera.

Te PDK-ja në garë për një tjetër mandat dështuan Abelard Tahiri, Altin Krasniqi, Eliza Hoxha, Fadil Demaku, Jakup Nura, Kosovare Murseli, Rashit Qalaj e Xhevahir Geci. Ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nuk garoi fare.

Te LDK-ja, partia që ra nga 20 ulëse në 15, nuk janë rizgjedhur Alban Zogaj, Arben Gashi, Arjeta Abazi, Ekrem Hyseni, Krenar Xhaferi, Paris Guri e Serbeze Muçaj. Ndërkaq, Hysen Çekaj dhe Marigona Geci s’ishin as në listë të kandidimit.

Te Lëvizja Vetëvendosje një tjetër mandat me votë nuk e siguruan Arijeta Rexhepi, Bajram Mavriqi, Bylbyl Sokoli e Driton Hyseni. Megjithatë, ka emra në LVV që do të mund të rikthehen në Kuvend pasi deputetë të caktuar të marrin poste qeveritare. Faton Peci dhe Halil Thaçi nuk ishin në listë pasi në zgjedhjet lokale fituan në Mitrovicë dhe në Obiliq.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma ishin në koalicion më 9 shkurt. E më 28 dhjetor garuan të ndara. Nga 8 deputetë sa ishin në legjislaturën e shkuar bashkë, vetëm AAK-ja e kaloi pragun këtë herë dhe siguroi 6 ulëse. Tek AAK-ja jashtë mbeti Lahi Brahimaj. E jashtë kanë mbetur edhe tre deputetët e Nismës: Arbëreshë Krasniqi, Fatmir Limaj e Xhevahire Izmaku.

Ulëset i humbën edhe katër deputetë të komuniteteve: Albert Kinolli te Partia Rome e Bashkuar, Fidan Jilta te KDTP-ja dhe Branislav Nikoliq e Stefan Kovaçeviq te Lista Serbe.

Nga zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë mbetur për t’u numëruar 3185 pako me fletëvotime me postë. Ky proces pritet të mbyllet shpejt.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 57 ulëse me 51.01 për qind të votave. Partia Demokratike ka rënë në 22 ulëse nga 24 në zgjedhjet e shkuara. Kjo parti ka marrë 20.24 për qind të votave. LDK-ja ka siguruar 15 ulëse me 13.26 për qind të votave. AAK-ja me 5.5 për qind ka siguruar gjashtë ulëse. Sipas kalkulimeve me formulën D’Hondt është zor e mundshme që të ndryshojë ndarja e ulëseve në Kuvend.