14 persona janë arrestuar e intervistuar në cilësinë e të dyshuarve lidhur me dallaveret me vota në Kllokot.
Policia e Kosovës ka njoftuar se disa ishin kryesues e disa anëtarë të komisioneve numëruese në QKN.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar.
“Me dyshimin e bazuar për falsifikim të rezultateve të votimit, më 06.02.2026 janë arrestuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarve 14 persona kryesues dhe anëtarë të komisioneve numërues në QKN- Kllokot. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë liruar”, njoftoi PK në raportin 24-orësh.
Hetimet për manipulim me vota kanë nisur në disa komuna të Kosovës pas parregullsive që u vërejtën gjatë procesit të rinumërimit të votave në garën e kandidatëve për deputetë. Të premten në Komunën e Ferizajt u intervistuan dhjetëra zyrtarë, në Gjakovë Prokuroria ka kërkuar paraburgim për 22 persona derisa ditë më parë u paraburgosën edhe dhjetëra zyrtarë në komuna të tjera e dhjetëra u intervistuar, si në Prizren, Obiliq, Pejë, Podujevë, Malishevë.