Zgjedhjet 2019

Prokuroria nis hetime për shitblerje të votave gjatë 6 tetorit

Një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet për shit-blerjen e votave gjatë ditës së zgjedhjeve.

Prokurorja Laura Pula gjatë intervistës së saj në Express të KTV ka thënë se pas disa rasteve në platforma online, kjo prokurori po i heton këto raste, ndërsa për rastin e fshatit Pozharan, Prokuroria tashmë ka ndaluar një person.

Ndërsa mbrëmjen e së dielës në veri të Mitrovicës vetëm disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit, janë shënuar dy incidente të ndara.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndaluar dy serbë, anëtarë të komisioneve zgjedhore në Leposaviq, raporton KTV.

Kryeprokurori Shyqri Syla ka konfirmuar se në orët e mbrëmjes është ndaluar një anëtar i një komisioni zgjedhor në një vendvotim, pasi që dyshohet se kishte lejuar disa persona që të votonin dy herë.

Rreth orës 23 kjo prokurori ka ndaluar edhe një tjetër anëtar të një komisioni zgjedhor, i cili dyshohet se kishte tentuar të fuste fletëvotime në qendër të votimit gjatë procesit të numërimit.

E, në ndalim vazhdojnë të jenë edhe dy komisionarë të Listës Serbe, të cilët u ndaluan një ditë më parë me dyshimet se kishin lejuar që një person të votojë me ekstrakt të lindjes.

Ndërkaq, në dy raste të ndara kjo prokurori ndaloi edhe 5 persona të tjerë për pengim të procesit të votimit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Një tjetër incident në mbrëmje, pas mbylljes së qendrave të votimit, ka ndodhur në Gjakovë.

Prokurori Ali Uka ka konfirmuar se kjo prokurori ka ndaluar dy komisioniarë të një partie politike, të cilët ishin fjalosur gjatë procesit të numërimit.

Uka ka thënë se pas ndalimit, këta komisionarë janë liruar në procedurë të rregullt.

E njëjta prokurori ka ndaluar edhe një person, i cili dyshohet se kishte vendosur afishe afër një qendre të votimit, duke u bërë thirrje votuesve të mos votojnë.

Kjo prokurori, gjithashtu, është në kërkim edhe të një personi, i cili dyshohet se ka kryer të njëjtën vepër .

E, pas Gjakovës, Prizreni ishte komuna tjetër, që pati më së shumti persona të ndaluar, të cilët dyshohet se fotografuan votën.

Prokurori Admir Shala nëpërmjet telefonit ka konfirmuar se 5 personat e ndaluar të dielën nga Prokuroria, për këtë vepër penale, janë liruar në procedurë të rregullt.