Është krejtësisht i papranueshëm argumenti se Kosova, për shkak të dialogut, duhet të formojë një qeveri kalimtare dhe t’i evitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ato zgjedhje, ndonëse, nuk do të sjellin asnjë ndryshim për të mirë, sepse Qeveria formohet në bazë të pazareve e jo rezultatit të zgjedhjeve dhe pothuajse të gjithë faktorët politikë janë në shitje, i duhen Kosovës për të dalë sadopak nga ky kaos politik në të cilin ndodhet
Pos dëmeve të shumta që dialogu me Serbinë i ka sjellë Kosovës në skenën ndërkombëtare, duke u përdorur si argument se as Kosova vetë nuk beson se është shtet i pavarur dhe se e ka të zgjidhur përfundimisht statusin, ky dialog ka bërë dëme edhe në skenën e brendshme politike në Kosovë. Ka ndalur procesin e integrimit të sinqertë të serbëve të Kosovës në shoqërinë kosovare dhe e ka integruar Beogradin në Kosovë.
Ka ndikuar që të degradojë procesi demokratik dhe ai zgjedhor në Kosovë. Për shkak të dialogut, së pari BE-ja e pastaj edhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë heshtën ndaj mashtrimeve zgjedhore. Dialogu, pasi hyri në fazën e re me spekulimet për idenë e ndarjes territoriale të Kosovës, apo shkëmbimit të territorit, ka krijuar edhe ndasitë më të mëdha deri më tani brenda Kosovës dhe ka ndarë edhe miqtë e Kosovës, të cilët deri vonë ishin unikë në qëndrimet e tyre.
Tash Kosova ndodhet në një kaos të ri politik. Qeveria, e cila edhe ashtu ishte kaotike, do të duhej të konsiderohej si ish-qeveri pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit për të cilën vetë tha se është e parevokueshme.
Përderisa jashtë Kosovës, sidomos në Beograd dhe në Bruksel, prapë mendojnë vetëm se si do të reflektojë kjo situatë e re në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova do të duhej të mendonte më shumë se si ta rregullojë funksionimin e brendshëm e më pak të brengoset për dialogun. Përderisa në Kosovë nuk ka unitet dhe një qëndrim të përbashkët rreth dialogut, ky dialog mbetet rrezik për Kosovën e jo mundësi.
Prandaj, Kosova nuk duhet të bjerë në grackën që përsëri provohet t’i imponohet se duhet gjetur një zgjidhje urgjente, sepse dialogu “nuk pret”. Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse dialogu edhe ashtu është i bllokuar. Dhe më mirë është se është i bllokuar sesa të kishte përfunduar me ndonjë marrëveshje të rrezikshme, e cila do ta kishte hequr argumentin ligjor për Pavarësinë e Kosovës dhe do të kishte krijuar më shumë dëme sesa dobi jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë.
Ka ardhur koha që dialogu të jetë në shërbim të Kosovës e jo Kosova në shërbim të dialogut. Dialogu nuk duhet të jetë qëllim, por mjet drejt arritjes së qëllimit. Deri më tash nuk ka qenë ashtu dhe Kosova ka pësuar shumë dëme. Kosova nuk e ka ditur, e nuk e di as sot se çfarë dëshiron nga ky dialog. Në pyetjen se çka është e pranueshme e çka jo për Kosovën, sot nuk ka një përgjigje në emër të shtetit. Sepse nuk e dimë se kush flet në emër të shtetit. Mund të thotë kryeministri se duhet t’i përcjellim lajmet dhe do ta marrim vesh qëndrimin e Kosovës, por kjo nuk është përgjigje. Sepse nuk ka më dyshim se ai dhe presidenti nuk mendojnë njësoj as për taksën ndaj Serbisë e as për zgjidhjen finale që do të duhej të arrihej në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë. BE-në nuk duhet ta llogarisim si një qendër, që do të duhej të ketë një qëndrim, sepse kjo në rastin e Kosovës nuk është e mundur. Kosova për BE-në nuk është shtet dhe në rrethanat e tilla nuk mund të presim nga Brukseli që të shprehet se cili mund e cili jo të jetë rezultati final i dialogut.
Është krejtësisht i papranueshëm argumenti se Kosova, për shkak të dialogut, duhet të formojë një qeveri kalimtare dhe t’i evitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ato zgjedhje, ndonëse, nuk do të sjellin asnjë ndryshim për të mirë, sepse Qeveria formohet në bazë të pazareve e jo rezultatit të zgjedhjeve dhe pothuajse të gjithë faktorët politikë janë në shitje, i duhen Kosovës për të dalë sadopak nga ky kaos politik në të cilin ndodhet.
Zgjedhjet mund ta sqarojnë paksa skenën politike dhe t’ia kthejnë legjitimitetin atyre që do ta formojnë Qeverinë, edhe pse nuk do ta ndryshojnë qasjen e deritashme të politikëbërjes në Kosovë. Asnjëherë në Kosovë nuk ka qenë rezultati i zgjedhjeve ai i cili ka diktuar formimin e Qeverisë. Ka qenë më shumë matematikë dhe pazar. Me siguri tashmë kanë nisur pazaret edhe pse ende nuk janë shpallur zgjedhjet. Nga pyetja se kush do të shkojë me kë, do të varet se kush do ta formojë Qeverinë e ardhshme e jo vetëm nga rezultati i zgjedhjeve.
Deri më tash, me përjashtim të Vetëvendosjes, të gjithë kanë qenë në pushtet me të gjithë të tjerët. Nuk u ka penguar as ideologjia, as hajnia e korrupsioni për të cilat e kanë akuzuar njëra-tjetrën partitë politike, as përkatësia etnike, as e kaluara kriminale. Nuk ka asnjë arsye kësaj radhe t’u besohet se nuk do ta bëjnë të njëjtën. Sepse sa i përket tradhtisë së partnerëve, e besa edhe të qytetarëve, pothuajse të gjitha partitë politike të Kosovës e kanë humbur virgjinitetin.
Partitë politike në Kosovë qëmoti janë shndërruar në korporata, të cilat kanë klientë dhe i servisojnë ata. Prandaj, edhe nuk pritet ndonjë ndryshim dramatik në rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse do të ketë diku rritje e diku rënie. Popullariteti i ndonjë lideri partiak, siç kemi parë edhe nga e kaluara, nuk përkthehet në Kosovë doemos në vota për partinë e tij. Sepse njerëzit kanë vetëm një votë dhe atë ia japin partisë nga e cila ata dhe familja e tyre kanë interes. Ky sistem politik, që është stabilizuar në rajonin e Ballkanit, vështirë që do të ndryshojë shpejt.
Mjafton të shikohet vetëm përbërja e Qeverisë Haradinaj e të mos shkohet fare më poshtë në nivelet e qeverisjes lokale. Më shumë se 80 zëvendësministra. Disa prej tyre kurrë nuk kanë pasur takime me ministrat, të cilëve do të duhej t’u shërbenin si zëvendës.
Sa i përket dialogut, edhe në Bruksel është faza e transicionit në krye të institucioneve të BE-së. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, do të duhej të përmbyllej deri më 1 nëntor. Deri atëherë as në Bruksel nuk do të ketë kush në emër të BE-së të ndërmjetësojë sinqerisht në dialog, pos nëse vërtet punohet me Federika Mogherinin për të arritur shpejt e shpejt një marrëveshje për ndryshimin e kufijve të Kosovës, siç përflitej se po ndodh. Prandaj, Kosova duhet së pari të mendojë për vete dhe çka do t’i sjellin zgjedhjet e jashtëzakonshme asaj, e pastaj të tentojë të krijojë një qëndrim unik rreth vazhdimit të dialogut me Serbinë.