Zgjedhjet lokale

Traktorë e goma të veturave në kremtet e partive nëpër komuna

Disa në sheshe e të tjera në ambiente të mbyllura, partitë politike kanë organizuar festa në qytetet ku fituan të dielën mbrëma. Në disa kremte, simpatizantët morën me vete edhe traktorët e disa të tjerë gomat e veturave

Fitoret në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale u kthyen në festa të mëdha të partive politike në qytetet ku dolën të parat.

Në Prishtinë simpatizantët e LDK-së u mblodhën në shi, në sheshin “Skënderbeu” për të festuar fitoren e Përparim Ramës.

Këngët, vallet e valimi i flamujve ishin pjesë e kësaj feste.

“Uroj me gjithë zemër, mundi nuk ka shkuar kot. Nuk janë shërbyer me të pavërteta, por vetëm me të vërteta, kanë qenë shumë seriozë, në çdo rast”, ka thënë një qytetar për fitoren e LDK-së në kryeqytet, të dielën mbrëma.

Gëzimin e fitores simpatizantët e LDK-së e shprehën përmes kërcimit nën tingujt e daulleve. I kënduan edhe kundërkandidatit të Ramës, Hajrulla Çeku të LVV-së, duke ia kërkuar “kthimin me tren për në Prizren”.

Festë LDK-ja pati edhe në Pejë.

Në këtë qytet për mandatin e katërt të Gazmend Muhaxherit simpatizantët nxorën edhe traktorët për defilim, e nuk munguan as flamujt e LDK-së dhe të Dardanisë.

Për Muhaxherin, pejanët patën edhe lëvdata.

“Pikësëpari është një punëtor i palodhshëm për të mirën e të gjithë qytetarëve, e meriton fitoren. Fitorja është e plotfuqishme, sepse është dhënë nga populli, është dhënë nga puna që e ka bërë deri më tani dhe punët që do t’i bëjë në të ardhmen”, ka thënë qytetari Gani Lajçi, qytetar.

E sipas Namik Bajraktarit, nën udhëheqjen e Muhaxherit Peja ka lulëzuar.

“Zakonisht ne e kemi traditë fitoren e LDK-së, e falënderojmë për angazhimin dhe mundin që e ka bërë. Pejën e ka lulëzu, i shpreh suksese të mëtejshme, sepse i takon një familjeje patriotike”, ka thënë qytetari Bajraktari.

Festa në Pejë është mbyllur me hedhjen e shumë fishekzjarrëve.

Në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë pati disa dhjetëra simpatizantë që rrinin në heshtje, por kështu nuk ishte në Gjilan. Në këtë qytet simpatizantët e LVV-së festuan me fishekzjarrë para teatrit, pas rikonfirmimit edhe për një mandat të Alban Hysenit. Përqafime e fotografi me kryetarin Hyseni bënë shumë qytetarë.

Hyseni në balotazh mposhti Arbër Ismajlin e LDK-së.

Festë të VV-së pati edhe para selisë së kësaj partie në Fushë-Kosovë, pas fitores së Valon Prebrezës. Në kremte i pranishëm ishte edhe lideri i kësaj partie Albin Kurti.

Prebreza mposhti Besnik Osmanin e LDK-së, parti që ka udhëhequr këtë qytet që nga paslufta.

Festë e madhe është bërë edhe në Mitrovicë të Jugut, ku Faton Peci ka marrë udhëheqjen e qytetit pas fitores në balotazh ndaj Arian Tahirit të PDK-së.

Në festë i pranishëm ishte edhe lideri i VV-së. E disa simpatizantë u panë edhe me goma të veturave në duar, referencë për deklaratën e Kurtit, kur gjatë fushatës iu kërkoi qytetarëve të Mitrovicës të votonin Pecin e jo “gomën rezervë”, siç e quajti ai Tahirin e PDK-së.

Me këngë, valle e fishekzjarrë u festua edhe në Prizren për fitoren e Shaqir Totajt edhe për një mandat. Në festë mori pjesë edhe lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.

Totaj fitoi në balotazh ndaj kandidatit të VV-së, Artan Abrashi.

Festa janë organizuar edhe në qytetet ku kanë fituar kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si në Gjakovë, Klinë, Suharekë e Rahovec.

Të dielën qytetarët vendosën se kush do të udhëheqë në Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Mitrovicë të Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.

20 komuna e kanë vendosur kryetarin në rundin e parë, i mbajtur më 12 tetor.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë fituar nga shtatë komuna, ndërsa PDK-ja 6 e AAK-ja 5. Lista Serbe i ka fituar 10 komuna.

LVV-ja pasi fitoi në raundin e parë Podujevën, Shtimen dhe Kamenicën, në balotazh triumfoi edhe në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë.

LDK-ja në raundin e parë fitoi Lipjanin e Istogun, ndërsa në balotazh e fitoi Prishtinën, Pejën, Dragashin, Junikun e Vitinë.

E PDK-ja në raundin e parë e fitoi Skenderajn, Ferizajn dhe Hanin e Elezit, kurse në rundin e dytë edhe Prizrenin, Kaçanikun e Vushtrrinë.

AAK-ja e ka fituar pa balotazh Deçanin, kurse më 9 nëntor edhe Gjakovën, Suharekën, Rahovecin e Klinën, komuna ku ka qeverisur deri më tash.