OpEd

Xhaka, Zhegrova, Juventusi dhe Aeroporti i Sllatinës

Ndeshja e Kosovës kundër Zvicrës më 18 nëntor nxori në pah dy skajshmëri të realitetit kosovar. Fishkëllimat e turpshme të tifozëve ndaj Granit Xhakës treguan një infantilizëm të dëmshëm politik; megjithatë, mbërritja e një avioni privat të Juventusit për Edon Zhegrovën në Prishtinë dëshmoi transformimin historik të Kosovës - nga Aeroporti i zymtë i Sllatinës në një portë të hapur për yjet e futbollit, për botën, kulturën, dijen

1.

Më shumë se moti i keq - shi, skllotë - më 18 nëntor, kur Kosova luajti futboll kundër Zvicrës, një shije të keqe lanë fishkëllimat e një pjese të tifozëve të Kosovës kundër Granit Xhakës. “Jam i befasuar, kjo është e fundit që prisja - sinqerisht. Sidomos këtu në shtëpi. Dhimbja është e madhe, për të qenë i sinqertë“. Këto qenë fjalët e Xhakës pas ndeshjes. 

Tribunës në stadiumin “Fadil Vokrri” duket se i pëlqente të fishkëllejë: më parë kundër himnit të Sllovenisë, një vend mik i Kosovës, më 18 nëntor kundër Granit Xhakës, më të mirit futbollist me origjinë shqiptare ndonjëherë në histori. 

Po cila ishte arsyeja? U tha se arsyet kishin emër: Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu.
Albian Hajdari, i lindur në Binningen të Zvicrës, dhe Leon Avdullahu, i lindur në Solothurn të Zvicrës, të dy të përgatitur si lojtarë në kuadër të infrastrukturës sportive zvicerane, vendosën të luanin për Kosovën. Askush nga zërat publikë në Zvicër nuk i quajti tradhtarë. Vendim i tyre. E drejtë e tyre. Granit Xhaka dha një vlerësim nga aspekti sportiv. Tha që ata do të mund të luanin edhe për Zvicrën po të kishin durim, por do t’u duheshin tri deri katër vjet për të siguruar një vend të përhershëm në fushën e lojës të kombëtares zvicerane. A është kjo arsye që t’i fishkëllehet Granit Xhakës 75 minuta? Jo, nuk është. Nuk ka asnjë dilemë që konkurrenca për t’u pranuar në ekipin e futbollit të Zvicrës është dukshëm më e madhe se ajo në ekipin kosovar. Disa nuk kanë kohë të presin, disa kanë frikë se po u ikë koha, të tjerët vendosin në favor të Kosovës ndoshta edhe për arsye vetëm patriotike - punë e tyre. Nuk duhet të gjykohen, as paragjykohen. Por nëse edhe analizat sportive si e Xhakës përdoren për fushata me fishkëllima, atëherë kjo i ngjan një censure të imponuar nga turma.

Natyrisht në tribunë vlejnë disa “rregulla” të tjera dhe komunikimi nuk është i ngjashëm si në ndonjë klub anglez debati, por prapëseprapë këto britma Granit Xhaka as nuk i meritonte, as nuk ia kishte borxh askujt. Është i njëjti që i ka bërë krenarë miliona shqiptarë me karrierën e tij brilante si futbollist - dhe këtë e ka bërë sidomos falë Zvicrës. Nëse ndokush që është rritur në Zvicër mendon se, pas vendimit të tij për të luajtur për Kosovën, bëhet patriot më i madh se të tjerët që luajnë për Zvicrën, atëherë kjo tregon infantilizëm edhe përtej fushës së futbollit. 

Para 12 viteve, më 13 tetor 2013, kur Kosova s’ishte fare anëtare e UEFA dhe FIFA, në Luzern luajti Zvicra kundër Shqipërisë. “Trimat” shqiptarë nga tribuna nuk patën ide më të mirë se sa të brohorisnin: “Valon magjupi”. Turp atëherë, turp sot kundër Granit Xhakës.
Granit Xhaka para ndeshjes kundër Kosovës tha edhe këtë: Kosova po luan në nivel shumë të mirë. Por këto fjalë meraklitë e fishkëllimave nuk i kanë dëgjuar, as lexuar, as kuptuar.

2.

Secila medalje i ka dy anë. Nëse ajo çfarë ngjau me Xhakën ishte e turpshme (ndonëse në fund, kur doli nga fusha, disa i duartrokitën dhe bënë mirë), një ngjarje me Edon Zhergovën tregoi anën tjetër të medaljes dhe ilustron ndryshimin aq të madh të Kosovës në këtë çerekshekull. Edon Zhergova u lind më 31 mars 1999 në Gjermani, një javë pasi NATO filloi bombardimin e Serbisë për t’i dhënë fund shtypjes brutale të popullsisë shqiptare nga regjimi i Beogradit. 

Le të kthejmë pak shikimin prapa.

Aeroporti i Prishtinës në vitet 1990-të quhej “Aeroporti i Sllatinës”. Ishte i zymtë. Patën mbetur pak punëtorë shqiptarë, dominonin e komandonin zyrtarë të pushtetit të dhunshëm serb: policë, agjentë, hajdutë, ndonjë sherbëtor shqiptar i regjimit të Beogradit dhe shantazhues të panumërt - kush dinte serbisht i quante: siledžije. Shpesh duhej paguar ryshfet policit apo doganierit. Ose të dyve. Avionët që niseshin nga “Aeroporti i Sllatinës” ishin të vjetër. Pilotët me pamjen e tyre si konduktorë të ndonjë linje rurale të “Kosovatransit” në vitet 1970-të, nuk zgjonin besim të madh në mesin e pasagjerëve. 
Historia e Kosovës ka ndryshuar. Sa ka ndryshuar u pa natën e 18 nëntorit. Pas ndeshjes së kombëtares së Kosovës kundër Zvicrës, Zhegrova mori rrugën drejt Aeroportit të Prishtinës. Aty ekipi i Juventusit i kishte dërguar një avion privat për ta sjellë në Itali, që të ketë kohë për çlodhje para ndeshjes së fundjavës. “Aeroporti i Sllatinës” ende është në Sllatinë. Veçse historia ka ndryshuar. Kur ndyshon historia, edhe njerëzit duhet të ecin në hap me kohën. Shumica e kanë bërë këtë hap. Disa në tribunë jo.