Ylli televiziv, Paris Hilton, ka treguar se ajo dhe këngëtarja, Britney Spears, janë të lidhura fort përmes traumave që kanë përjetuar si gra shumë të ekspozuara në publik gjatë viteve 2000, duke thënë se këto përvoja i kanë bërë “shumë të forta”.
44 vjeçja, ka thënë se së fundmi është takuar me Spearsin gjatë një udhëtimi në Meksikë për ditëlindjen e këngëtares dhe se kanë folur hapur për mënyrën mizore se si trajtoheshin atëherë.
“Po, isha me Britneyn disa javë më parë për ditëlindjen e saj në Meksikë dhe po flisnim për sa mizorë dhe dashakeqë ishin njerëzit atëherë. Ajo është një nga të paktat persona që mund ta kuptojë këtë në atë nivel. Kjo na ka bërë të dyjave shumë të forta”, ka thënë Hilton në podcastin I’ve Never Said This Before me Tommy DiDario, ka raportuar FemaleFirst.
Hilton ka folur edhe për përvojën e saj personale, duke pranuar se jeta në qendër të vëmendjes në atë periudhë ishte jashtëzakonisht izoluese.
“Atëherë ishte argëtim të shkatërroje gratë. Ishte shumë izoluese, sepse pak njerëz e kuptonin se çfarë do të thoshte të trajtoheshe në atë mënyrë. Ishte normalizuar”, ka thënë ajo.
Duke reflektuar, ylli ka thënë se po t’i fliste vetes së saj më të re, do t’ia jepte këtë mesazh:
“Do të kalosh shumë gjëra të vështira dhe të frikshme, por një ditë do t’ia vlejë, sepse do të frymëzosh miliona njerëz, do ta kthesh dhimbjen në qëllim dhe do të ndihmosh fëmijë, gra dhe të mbijetuar në mbarë botën”.
Një nga postimet që Hilton pati bërë për ditëlindje të Spearsit më parë:
Ajo ka shtuar gjithashtu se do t’i thoshte vetes të mos kishte frikë të tregonte veten e vërtetë.
“Do të doja ta kisha bërë këtë më herët”, ka thënë ylli.
Në fund, Hilton ka përmbledhur gjithçka me një reflektim të fortë.
“Mendoj se nëse u mbijeton viteve 2000… gjithçkaje që kam kaluar… mund t’i mbijetosh çdo gjëje”, ka thënë ajo.