OpEd

Tragjedia dhe triumfi i Joseph Rothit

Një jetë e shekullit të 20-të: Nga hebreu i Ukrainës në shkrimtar vjenez, nga gazetar që portretoi Ahmet Zogun në endacak që vdiq në mjerim në Paris. Jeta e Joseph Rothit është më shumë se një roman

1.

Shkrimtari Soma Morgenstern (1890-1976) ishte mik i ngushtë i Joseph Rothit. Ai kujton një shëtitje në mal me shkrimtarin Joseph Roth (1894-1939) në afërsi të Vjenës. Ishte një ditë me diell në fillim të vjeshtës, tregon Morgenstern. Roth në atë kohë ishte në gjendje të mirë fizike, por pas gjysmë ore sugjeroi të uleshim. Qëndruam për pak kohë në heshtje, në vetmi të plotë. Aty pranë u dëgjua cicërima e një zogu. Një herë, dy herë, tri herë. Joseph Roth u mrekullua dhe tha: “S’kam fare vesh për muzikë, por i dëgjoj me qejf zogjtë kur këndojnë”. Nuk mund ta besoja se një njeri aq i ndjeshëm mund të ishte krejtësisht indiferent ndaj muzikës dhe ia thashë këtë, tregon Morgenstern. Fillova t’i këndoja disa këngë popullore. Një këngë trishtuese hebraike më duhej t’ia përsëritja vazhdimisht. Pas këtij argëtimi muzikor, Rothi u ngrit i freskuar dhe i çlodhur. Por, para se të dilnim nga vetmia e lëndinës, më kërkoi ta përsëritja këngën edhe një herë. Dhe këtë herë, derdhi një lot për dashurinë e shkuar. Pasi i fshiu sytë me shami, i thashë: “Rabi Nachman (prijës fetar hebraik) thotë se njerëzit e këqij i duan këngët trishtuese”.

Atëherë Rothi thirri i gëzuar: “Unë bëj pjesë aty! Jam njeri i keq, shumë i keq”. Këtë slogan të jetës së tij e dëgjova prej tij shumë herë gjatë miqësisë sonë, vazhdon të tregojë Morgenstern. Para vdekjes, një artiste e vizatoi Joseph Rothin. Atij i pëlqeu shumë vizatimi dhe shkroi poshtë tij: “Ky jam unë me të vërtetë. I keq, i dehur, por i mençur”.

2.

Joseph Roth ishte hebre. Hebre i Europës Lindore. Ai dëshironte me çdo kusht të depërtonte në një botë që, kur ishte i ri në Brodi të Galicisë Lindore (Ukraina e sotme), e shihte si botën e tij ideale: botën e borgjezisë intelektuale dhe shpirtërore. Roth ishte një armik i deklaruar i nazizmit shumë kohë para vitit 1933.

Dobësia e tij e madhe ishte se pinte tepër. Një ves që i vinte nga dëshpërimi. Në vitin 1918, bashkë me të u shemb edhe Austria. Kjo ia theu zemrën.

Galicia, krahina më lindore e monarkisë së Habsburgëve, konsiderohej një rajon i prapambetur në skajin e largët të perandorisë. Ishte një vend multikulturor. Shumica e 7 milionë banorëve - polakë, ukrainas, gjermanë dhe mbi të gjitha komuniteti i madh hebraik - jetonin në varfëri të skajshme. Këtu lindi Moses Joseph Roth më 2 shtator 1894.

Qyteti i tij i lindjes, Brodi, ishte një qendër administrative pranë kufirit mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Rreth vitit 1900, Brodi kishte rreth 16’000 banorë, prej të cilëve 12’000 ishin hebrenj. Jeta e gjallë hebraike në Brodi e formësoi karakterin e Rothit për gjithë jetën. Brodi ishte një qytet i veçantë. Hebrenjtë nuk jetonin atje të veçuar apo të mbyllur si në geto. Ishte një qytet ku lulëzonte tregtia dhe shumica e popullsisë ishte hebraike, çka e bënte jetën e komunitetit shumë të pasur. Kishte ortodoksë, hasidë dhe pasues të haskalasë (iluminizmit hebraik).

3.

Gjatë fëmijërisë Joseph Roth jetoi me nënën e tij, Maria Roth. Banuan me qira, të tërhequr dhe në një hapësirë të ngushtë. Ai nuk u rrit në varfëri ekstreme, por në kushte modeste, edhe pse fotografitë e hershme përpiqen të përcjellin imazhin e një borgjezie solide. Joseph Roth u rrit pa baba. Që gjatë shtatzënisë së nënës, tregtari i drithit, Nachum Roth, nuk u kthye nga një udhëtim zyrtar. Gjurmët e tij humbën. Sipas thashethemeve, ai vdiq në vitin 1910 nga çmenduria, larg atdheut. Brenda familjes nuk u fol kurrë për sëmundjen mendore të babait; kjo temë ishte tabu. Çmenduria konsiderohej stigmë dhe turp në shoqërinë hebraike. Situata e vështirë ekonomike e sociale e traumatizoi djalin. Më vonë, ai do të tregonte legjenda të shumta për fëmijërinë e tij. Fantazonte shumë: herë thoshte se babai i tij ishte fisnik polak, herë oficer austriak, e herë dijetar hebraik.

Kur një shok e luti Joseph Rothin t’i bashkohej një shoqate cioniste, ai refuzoi dhe tha se ishte asimiluar, por jo në polak, por në austriak. Roth gjithmonë shikonte drejt metropolit, Vjenës. Vjena ishte caku i çdo njeriu në perandorinë e Habsburgëve që ishte rritur diku në provincë. Kështu ishte edhe për Joseph Rothin. Në Vjenë ishin gazetat e mëdha, ishte Perandoria, ishte pushteti, ishin intelektualët, kafenetë dhe jeta që ëndërrohej në provincë.

4.

Në letrat drejtuar xhaxhait të tij në Lemberg, Rothi shkruante se e lakmonte atë. Ai moment kur xhaxhai hipte në tren dhe nisej drejt “botës së madhe”. Kjo shprehje, “bota e madhe”, ishte ideali i së panjohurës. E largëta, e bukura. Kjo ishte gjendja shpirtërore e Rothit të ri. Që në shkollën fillore hebraike ai mësonte gjermanisht, polonisht dhe hebraisht. Ishte një nxënës i shkëlqyer, i pari i klasës. Në vitin 1914, Rothi nisi studimet në Universitetin e Vjenës. Vjena ishte atëherë metropol botëror me 1,7 milion banorë. Rothi punonte si mësues shtëpie dhe publikonte poezitë e tregimet e para nëpër revista. Në një letër drejtuar hallës së tij shkruante: “Çdo i ri ëndërron për një të ardhme të madhe e të lumtur. Pse jo edhe një poet? Ndoshta janë kështjella në ajër ato që po ndërtoj? Vullneti është zoti im dhe me punë e këmbëngulje arrihet edhe qëllimi më i lartë”. Ai studioi pesë semestra filozofi dhe letërsi. Edhe në sallat e leksioneve ulej paksa i veçuar nga studentët e tjerë. Rothi nuk i përfundoi kurrë studimet. Arsyetimi i tij? “Prita poezi, por gjeta gjermanistikë”.

5.

Antisemitizmi ishte i pranishëm kudo në Vjenë para Luftës së Dytë Botërore. Mes studentëve hebrenj dhe atyre nacionalistë gjermanë kishte shpesh përleshje të përgjakshme. Popullsia vendase i përbuzte veçanërisht hebrenjtë e ardhur nga Lindja. Asnjë galician nuk i shpëtoi kësaj klime armiqësore, as Rothi. I revoltuar, ai vërente: “Vjenezit i mungon një pjesë e trurit, pikërisht ajo pjesë ku e ka selinë inteligjenca”. Nga ana tjetër, Rothi ishte i magjepsur nga jeta në kryeqytetin e perandorisë. Pavarësisht varfërisë, ai kërkonte vendin e tij mes elitës. Përpiqej të fshihte origjinën e tij modeste nga Galicia. Si student, vishej me shumë modë, si një dendi i vërtetë vjenez. “Ndihesha i huaj në këtë botë, i dëbuar, pothuajse i mallkuar”, shkroi ai më vonë. “Nuk më mbetej tjetër veçse ta shtoja arrogancën për të mbuluar varfërinë”.

Hebreu i Europës Lindore, Joseph Roth, luftoi gjithë jetën për një qëllim: donte të ishte austriak. Donte të ishte një austriak gjermanofon. Dhe shihte me zemërim se si, ose të paktën kështu e ndjente ai, njerëzit donin t’ia mohonin këtë të drejtë. Ndjenja e të mospasurit atdhe, që e shoqëroi deri në vdekje, kishte të bënte thellësisht me origjinën e tij dhe pozicionin e tij si i huaj në shoqërinë e Habsburgëve.

6.

Me shpalljen e luftës së Austro-Hungarisë ndaj Serbisë më 28 korrik 1914, shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Ndryshe nga shumë intelektualë, Roth fillimisht ishte pacifist. Ai fajësonte pushtetin dhe ushtrinë për vuajtjet e pajustifikueshme të civilëve. Por sa më shumë zgjaste lufta, aq më shumë ai e vinte në dyshim qëndrimin e tij. “Shkova në luftë siç shkojnë në martesë të gjithë beqarët që nuk e durojnë dot vetminë. Tani nuk isha më i vetëm. Tani ishim të gjithë, miliona, dhe nuk më interesonte nëse ndërmarrja jonë kishte kuptim apo jo”.

Nga viti 1917, Rothi u stacionua në Galici. Punonte për një gazetë ushtarake dhe ishte përgjegjës për censurën e postës ushtarake që vinte nga fronti. Vendlindja e tij ishte një fushëbetejë brutale. Rothi pa nga afër shkatërrimet dhe pogromet mizore të trupave ruse ndaj civilëve, veçanërisht ndaj hebrenjve. Në mars 1919, ai u kthye në Vjenë. Brenda një kohe të shkurtër gjeti punë te gazeta “Der Neue Tag”. Rothi u shndërrua shpejt nga një autor i thjeshtë poezish në një gazetar të spikatur. Ishte gazetar skeptik, i orientuar nga e majta, që dilte hapur kundër klerikalizmit dhe monarkizmit. “Çdo klerikalizëm është reaksionar”, shkruante ai. Raportet e tij trajtonin pasojat sociale të luftës në Vjenë: varfërinë, papunësinë, mungesën e ushqimeve dhe nevojat e invalidëve të luftës.

7.

Ai kishte një talent të jashtëzakonshëm letrar për të përshkruar atmosferat dhe mjediset. “Kam parë fëmijë që lëshonin flluska sapuni. Ishin flluska të vërteta... Mendoj për flluskat e shumta që pamë të shpërthenin dhe se si prodhimi i flluskave kaloi nga gojët e fëmijëve në ato të politikanëve. Flluska të revolucionit botëror, të diktaturave të proletariatit... Por që kur kam parë flluskat e vërteta, ato me ngjyrat e ylberit, i shoh këto të tjerat me përçmim”.

Aftësia e Rothit për të shprehur me saktësi atë që vëzhgonte ishte e lindur. Ai nuk pati nevojë të përgatitej gjatë për këtë.

Kafeneja vjeneze nuk është thjesht një vend, është një botëkuptim. Të punosh në kafene, shpesh edhe të jetosh aty, ishte një formë ekzistence e kthyer në ideal për shumë artistë. Nga vjeshta e vitit 1919, gjendja financiare e Rothit u përmirësua. Tani mund ta ndërronte dhomën e tij me qira me kafenenë. Aty ai mund të përqendrohej plotësisht në shkrim, duke ndjekur njëkohësisht bisedat e të tjerëve. Rothi shkruante me një shkrim të vogël, herë me penë e herë me laps, shpesh në blloqe të vogla shënimesh.

Kur gazeta u mbyll në vitin 1920, ai u shpërngul në Berlin. Berlini do të ishte qendra e jetës së tij deri në vitin 1925. Atje bëri karrierë të shpejtë, duke shkruar për gazetat më të rëndësishme socialiste, kundër luftës dhe nacionalizmit. Ai e shihte veten si një vëzhgues i detajeve të rëndomta. “Vetëm gjërat e vogla të jetës janë të rëndësishme”.

8.

Në vitin 1919, Rothi njohu Friederike Reichler, një vajzë 19-vjeçare, e rritur në kushte modeste në lagjen hebraike të Vjenës. Friedel ishte jashtëzakonisht e bukur dhe shumë e turpshme. Më 5 mars 1922, ata u martuan sipas ritit hebraik. Friedel shkoi me bashkëshortin në Berlin. Morën një banesë me qira. Ai ecte lart e poshtë në dhomë me duart në xhepa, si në një sallë pritjeje treni, duke pritur sinjalin e nisjes. Në verën e vitit 1923, çifti u nis drejt Pragës, stacioni i parë i një udhëtimi të gjatë nëpër Europë. Joseph Roth u bë korrespondent i “Frankfurter Zeitung”. Me reportazhet e tij nga Polonia, Gjermania, Franca, Rusia dhe Shqipëria, ai do të bëhej i famshëm dhe një nga gazetarët më të paguar të vendit. Takoi dhe portretoi Ahmet Zogun, ndërsa në njërin nga reportazhet shkroi si vijon: “Shqiptarët e qyteteve janë njerëzit më të ndrojtur në bisedë. Këtu duhet më pak guxim për të shtënë me armë sesa për të folur. Përpara se një shqiptar të thotë mendimin e tij të vërtetë, ai preferon më mirë të qëllojë me armë”.

Mes viteve 1923 dhe 1932, ai shkroi qindra artikuj. Ai dhe Friedel bënin një jetë nomade, duke ndërruar vazhdimisht hotele. “Siç kthehen burrat e tjerë në shtëpi te gruaja dhe fëmijët, ashtu kthehem unë te dhoma e hotelit dhe portieri”, shkruante ai. Rothi jetoi gjithë jetën e tij të shkurtër - mezi 45-vjeçare - me valixhe në dorë. Nuk mblidhte objekte, as pasuri. Mblidhte vetëm brisqe, bastunë dhe orë. Shkruante 6 deri në 8 orë në ditë nëpër bare e hotele. Paratë i harxhonte menjëherë, shumë prej tyre për alkool. Thuhet se shpenzonte shuma marramendëse në muaj, diçka që për shumë njerëz ishte e paimagjinueshme.

Puna në gazetë nisi ta pengonte ambicien e tij si shkrimtar. Ai gjithashtu kritikonte qëndrimin e butë të redaksive ndaj nazizmit që po rritej. Për Rothin, një shkrimtar i vërtetë duhej të botonte romane. Romanin e tij të parë, “Rrjeta e merimangës”, e botoi si seri në gazetë. Personazhi kryesor ishte një ish-lejtënant i zhgënjyer, Theodor Lose, i cili bie nën ndikimin e një organizate radikale të djathtë në München, që kishte lidhje me Hitlerin. Lose bën karrierë përmes tradhtisë politike dhe vrasjes. Romani ishte profetik: u botua dy ditë para se Hitleri të tentonte grushtin e shtetit në München, në nëntor 1923. Rothi ishte i tmerruar nga indiferenca e Gjermanisë ndaj Hitlerit: “Shfaqet një ngjitës letrash muri, e quan veten shkrimtar, dhe të gjithë i besojnë”.

9.

Rothi ndihej gjithnjë e më keq në Gjermani. Në vitin 1925 njoftoi se do të largohej për në Paris për të shkruar romane. Për të, Parisi ishte kryeqyteti i botës: “Kush nuk ka qenë këtu, është vetëm gjysmë njeriu dhe aspak europian”. Fotot e para nga Franca tregonin një çift të lumtur. Por Friedel vuante nga mungesat e gjata të të shoqit, i cili ishte gjithmonë në lëvizje.

Në vitin 1926, ndërsa Rothi ishte për pesë muaj në Rusi, gjendja e Friedel u rëndua. Në vitin 1928, ajo nisi të lëngojë nga një sëmundje mendore, me gjasë skizofreni. Ishte vetëm 27-vjeçare. Rothi filloi të fajësonte veten. Kostoja e klinikave ishte një peshë e rëndë financiare dhe shpirtërore. “Dhjetë vite martesë më janë dukur si dyzet”, shkruante ai. Ai ndihej i plakur, pa dhëmbë, pa energji dhe me shqetësime të vazhdueshme financiare. Historia e Friedel përfundoi tragjikisht: në vitin 1940, ajo u vra nga nazistët në kuadër të programit të tyre të eutanazisë. Rothi nuk arriti ta mësonte këtë.
Një kthesë vendimtare në karrierën e tij erdhi kur nisi bashkëpunimin me shtëpinë botuese Kippenheuer. Gustav Kippenheuer nuk ishte vetëm botuesi i tij, por edhe një mbështetës që besonte verbërisht në talentin e tij. Në vitin 1930 u botua romani “Hiob”, i cili i siguroi Rothit famë ndërkombëtare. Për herë të parë, ai arriti të siguronte të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e mëdha të mjekimit të gruas së tij. Në vitin 1932 u botua kryevepra e tij, “Marshi i Radeckit” (Radetzkymarsch). Në këtë roman, Rothi përshkruan rënien e monarkisë austro-hungareze nëpërmjet të historisë së tre brezave të familjes Trotta. Libri u prit me lëvdata të jashtëzakonshme nga kritika dhe u konsiderua menjëherë si një nga romanet më të rëndësishme të letërsisë gjermane.
Megjithatë, suksesi letrar u errësua nga situata politike. Më 30 janar 1933, ditën kur Hitleri u emërua kancelar, Joseph Roth u largua nga Berlini me trenin e parë drejt Parisit. Ai e kishte kuptuar më herët se kushdo tjetër rrezikun që kanosej. “Do të digjen librat tanë”, u shkroi ai miqve të tij. Dhe vërtet, në maj të atij viti, veprat e tij u hodhën në turrat e druve nga nazistët.

10.

Vitet e tij të fundit në Paris ishin të mbushura me dëshpërim, varfëri dhe alkoolizëm. Edhe pse vazhdonte të shkruante me një intensitet të pashoq, shëndeti i tij po rëndohej me shpejtësi. Ai jetonte në hotelin “Foyot”, i rrethuar nga shishet e alkoolit dhe dorëshkrimet e tij. Për të, alkooli ishte bërë “vdekja e tij e lëngshme”, por edhe mjeti i vetëm për të duruar dhimbjen e humbjes së atdheut dhe sëmundjen e gruas. Në maj të vitit 1939, pasi mori lajmin se miku i tij Ernst Toller kishte vrarë veten, Joseph Roth u rrëzua në një kafene në Paris. Ai vdiq pak ditë më vonë, më 27 maj 1939, në një spital për të varfrit.

U varros në varrezat e Thiais, në jug të Parisit. Varrimi i tij ishte një pasqyrim i jetës së tij kontradiktore: aty u mblodhën hebrenj ortodoksë, monarkistë austriakë, socialistë dhe shkrimtarë në ekzil. Secili prej tyre synonte të përvetësonte Rothin, por ai kishte vdekur ashtu siç kishte jetuar: një atdhetar i pafat, një njeri që nuk i përkiste asnjë vendi tjetër përveç atij që krijonte përmes gjuhës së tij të mrekullueshme.

Një muaj para vdekjes, Roth e kishte përfunduar veprën e tij të fundit letrare, “Legjenda e pijetarit të shenjtë”, me këto fjalë plot shpresë: “Zoti na dhëntë të gjithëve neve, që pimë, një vdekje të lehtë dhe të bukur”. Rothit nuk iu dhurua një vdekje e bukur. Fundi i tij erdhi në delir, me ethe dhe vuajtje. Më vonë, shkrimtari nobelist gjerman, Heinrich Böll, do të shkruante: “Lufta e Dytë Botërore dhe Holokausti e shkatërruan jetën hebraike në Brodi”.

(Disa të dhëna në këtë tekst bazohen në dokumentarin televiziv për Joseph Rothin të televizionit 3sat, në romanet e Rothtit dhe biografinë e tij të shkruar nga Wilhelm von Sterburg).