OpEd

Së pari një ampulë me helm për qenushen Blondi, pastaj diktatori vrau veten

Si sot para 80 vitesh - më 30 prill 1945 - Adolf Hitleri vrau veten. Një javë më vonë Gjermania kapitulloi. Kështu mori fund Lufta e Dytë Botërore.

Blondi - kështu quhej qenushja e Adolf Hitlerit, e cila i kishte qëndruar besnik diktatorit për shumë vite. Fotografitë ku ata shihen së bashku synonin të tregonin “anën njerëzore” të Hitlerit, i cili s’kishte anë njerëzore, nëse merren parasysh krimet e mëdha që ia shkaktoi njerëzimit.

Në fund të prillit 1945 Hitleri e kishte kuptuar përfundimisht se po vinte fundi. Trupat sovjetike marshonin drejt Berlinit, nazistët nuk mund të prisnin mëshirë prej tyre. Më 30 prill rreth orës 14:00 Hitleri dhe e dashura e tij Eva Braun, të cilën e kishte martuar në çastet e fundit të jetës në shenjë falënderimi për lojalitetin, u tërhoqën në hapësirat private të bunkerit ku Hitleri po strehohej. Bashkëpunëtorëve më besnikë diktatori u shpërndau ampula me helm dhe i porositi që mundësisht, për të mos rënë në duar të sovjetikëve, t’u dorëzoheshin trupave britanike apo amerikane. Më parë me një ampulë të tillë ishte vrarë Blondi, qenushja e Hitlerit. Vetë diktatori vrau veten me një plumb në gojë. Hitleri me gjasë nuk dëshironte të përjetonte fatin e Benito Mussolinit. Ai ishte vrarë nga partizanët italianë më 28 prill 1945 dhe një ditë më vonë ishte varur dhe ekspozuar në një pikë karburanti në Milano.

Rreth orës 15:30 një sherbëtor hapi derën dhe njoftoi të pranishmit në bunker se ajo që pritej kishte ndodhur: Hitleri kishte vrarë veten. Gruaja e tij, ndërkaq, kishte marrë një ampulë me helm. Pastaj kufomat u nxorën në oborrin e bunkerit, mbi to u hodh benzinë dhe pas disa përpjekjeve atyre iu vu zjarri. Mbetjet mortore të Hitlerit dhe gruas së tij u groposën në kopshtin e bunkerit.

Si pasardhës në postin e presidentit të Rajhut Gjerman dhe komandant të Wehrmachtit, forcave ushtarake gjermane, Hitleri e caktoi admiralin Karl Dönitz. Shefin e propagandës Joseph Goebbels e emëroi kancelar të Rajhut. Po më 30 prill 1945, rreth orës 22:40, mbi kulmin e Rajhstagut (parlamentit) në Berlin valonte flamuri sovjetik. Atë e vendosi ushtari sovjetik Mihail Minin. Meqë nuk qëlloi një fotograf për të dokumentuar këtë moment ikonik, krejt ngjarja e inskenua sërish më 2 maj 1945. Më 1 maj Joseph Goebbelsi dhe gruaja e tij, para së të vrisnin veten, i vranë 6 fëmijët e tyre. “Fëmijë, mos u frikësoni, doktori po ju jep tani një injeksion, të cilin e marrin të gjithë fëmijët dhe ushtarët”, ju tha Magda Goebbeles Kunz fëmijëve të saj. Mjeku u injektoi atyre morfium. Kur fëmijët fjetën, Magda e urdhëroi mjekun t’ua fusë në gojë nga një ampulë me helm. Meqë mjeku s’gjeti forcë ta bëjë këtë, u urdhërua një mjek tjetër, i cili kreu këtë vepër.

Ndonëse Hitleri tashmë kishte vdekur, opinioni gjerman nuk dinte gjë. Më 1 maj, mes orës 21:00 dhe 22:25, radioja Reichssender Hamburg ndërpreu tri herë programin duke paralajmëruar një lajm të rëndësishëm nga qeveria gjermane. Mes ndërprerejeve u emituan pjesë të operave të Richard Wagnerit (“Tannhäuser”, «Rheingold» dhe “Götterdämmerung”) dhe Simfonia e Shtatë e Anton Brucknerit. Dikur u dëgjua zëri i spikerit: “Nga shtabi kryesor i fyrerit njoftohet se fyreri ynë, Adolf Hitleri, ka rënë sot pasdite në komandën e tij në Kancelarinë e Rajhut, duke luftuar deri në frymën e fundit kundër bolshevizmit, për Gjermaninë”. Shkaku i vdekjes dhe rrethanat u mbajtën të fshehura qëllimisht.

Pastaj fjalën e mori admirali Karl Dönitz, i cili u përbetua se lufta do të vazhdojë për të shpëtuar gjermanët nga “bolshevizmi”. Në vijim u emituan himni gjerman dhe kënga e Horst Wessel, një paramilitar nazist i vrarë më 1930 nga një komunist gjerman. Pasuan 3 minuta heshtje, pastaj u emitua muzikë funebër, mes tyre “Eroica” e Beethovenit. Programi i radios përfundoi me fjalët: “Përshëndesim dëgjuesit tanë në Gjermani dhe në botën e jashtme, ushtarët tanë në det, në front dhe në ajër me përshëndetjen gjermane: Heil Hitler”. Disa gjeneralë gjermanë, të internuar afër Londrës, e quajtën Karl Dönitzn “lopë”, “sharlatan” dhe “Hitler të vogël”. 8 ditë më vonë krerët nazistë nënshkruan kapitullimin.