Rajon

“Krim, jo aksident” – Novi-Sadi mban tubimin më të madh përkujtimor në histori

Serbia

Foto: Associated Press

Një vit pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor, që shkaktoi vdekjen e 16 persona, dhjetëra mijëra qytetarë mbushën rrugët e Novi-Sadit në tubimin më të madh përkujtimor në historinë e Serbisë. Në nderim të viktimave, ata mbajtën 16 minuta heshtje. E rastin sërish e kualifikuan krim, për të cilin e akuzuan pushtetin e presidentit, Aleksandër Vuçiq

Me dhjetëra mijëra qytetarë nga gjithë Serbia kanë mbushur rrugët e Novi-Sadit në tubimin më të madh përkujtimor për 16 personat që vdiqën një vit më parë nga shembja e një pjese të strehës së stacionit të porsarenovuar të trenit.

Ata mbajtën 16 minuta heshtje në nderim të viktimave, kur akrepat treguan orën

11 e 52, kohë kjo kur edhe ka ndodhur tragjedia. Tubimi, që njëherësh është vlerësuar të jetë më i madhi i mbajtur ndonjëherë në histori të Serbisë, përbën demonstrim masiv të pakënaqësisë me qeverinë e presidentit, Aleksandër Vuçiq.

Disa nga protestuesit, një pjesë e të cilëve mbërritën në Novi-Sad duke ecur në këmbë nga qytete të tjera, e kualifikuan ngjarjen si krim e vrasje dhe jo aksident, tek i akuzuan autoritetet se kanë gjak në duart e tyre.

“Është ditë pikëllimi. Është ngjarje e tmerrshme, veçanërisht kur shënohet përvjetori i këtij krimi, dhe ne shpresojmë përnjëmend që diçka e tillë nuk do të na ndodhë më kurrë. E ne, si gjeneratat më të vjetra, i mbështesim këta të rinj dhe mendojmë se duhet që t’i shkojnë kësaj pune deri në fund. Ne jemi prapa tyre”, ka deklaruar Gordana Jerotijeviq, protestuese nga Vërbasi.

Për ngjarjen e një viti më herët, studentë e të rinj nga e gjithë Serbia ndërmorën protesta pothuajse të përjavshme, duke e akuzuar qeverinë e Vuçiqit për korrupsion dhe për mosnxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë.

Këtë organizim të studentëve, komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e ka vlerësuar si ngjarje që po sjell ndryshim në Serbi.

“Një vit më parë, stacioni i trenit në Novi-Sad u shemb dhe mori 16 jetë. Ne i kujtojmë ata sot. Kjo tragjedi po e ndryshon Serbinë. I shtyu masat të avokojnë për përgjegjësi, për liri shprehjeje e për demokraci gjithëpërfshirëse. Këto janë të njëjtat vlera që e çojnë Serbinë në BE”, ka theksuar Kos.

E presidenti serb Vuçiq, ka ndezur qirinj në kishë për viktimat e 1 nëntorit të 2024-s.

“Kaloi një vit, i cili përgjithmonë e ka ndryshuar Serbinë. Gjashtëmbëdhjetë shpirtra janë shuar me rastin e rrënimit të strehës në stacionin hekurudhor në Novi-Sad. Sot, për secilin prej tyre ndezim qirinj, duke u lutur në heshtje dhe duke besuar se emrat dhe kujtimet e tyre do të mbesin përgjithmonë në zemrat tona”, është shprehur presidenti serb.

Ngjarja e vitit të shkuar është bërë shkak që kundër pushtetit të Vuçiqit të nisë vala masive e protestave në qytete të ndryshme të Serbisë. Gjatë tyre janë shënuar raste të shpeshta të përdorimit të dhunës ndaj protestuesve, në atë që nxiti zemërim edhe më të madh në publik.