Lëvizja Studentore e Serbisë shpalosi Memorandumin e vet për Kosovën. Nëse i përsërit të njëjtat qëndrime si V. Koshtunica ku është relevanca e saj?
1.
Dr. Vojisllav Koshtunica mund të ndihet i përmbushur, eksperimenti i tij funksionoi, në skenë ka dalë një gjeneratë e re nacionalistësh që do të vazhdojë betejat e humbura.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjenerata e re e nacionalistëve, Lëvizja studentore në bllokadë, u lajmëruan me Memorandumin “për Kosovën e Metohinë” në të cilin pika e parë është “Kosova dhe Metohia janë pjesë e patjetërsueshme dhe përbërëse e Republikës së Serbisë” me shpjegimin vijues: “Ky fakt nuk është vetëm kategori kushtetuese, por edhe imperativ historik dhe moral që nuk i nënshtrohet negocimit në thelb.
Ruajtja e rendit kushtetues të Serbisë në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë është themel i mbijetesës së shtetit serb dhe garanci për një paqe të drejtë në rajon”.
Dr. Koshtunica kaloi një cikël të pasur jetësor. Ishte njëri prej juristëve të rinj të përjashtuar nga Fakulteti në vitet shtatëdhjetë (mu për shkak të mospajtimeve me liritë që i jepeshin asokohe Kosovës), qe përkthyes i "Federalist papers", debateve kushtetuese të etërve të demokracisë amerikane, pjesë e lëvizjeve demokratike në Serbi pas rënies së komunizmit dhe do të mbetej në shtëpi me macet e tij (legjenda urbane thoshte 17 sish) duke lexuar libra dhe shkruar për padrejtësitë e përhershme që i bën popullit serb sikur të mos ishte paraqitur shansi që emri i tij prej nacionalisti të përzgjidhej si kandidati më i mirë për të rrëzuar Sllobodan Millosheviqin në zgjedhjet e vitit 2001. Dhe, rrugët e tij u hapën edhe më kur disa plumba ia mbyllën rrugën partnerit të tij të deriatëhershëm qeverisës , Z. Gjingjiq. Atëbotë dr. Koshtunica dhe Serbia ishin para udhëkryqit historik të ndjekin rrugën evropiane e të hyjnë në BE së bashku me Kroacinë (siç dëshironin jo pak njerëz në BE) apo të ndjekin rrugën e rrahur dhe gruas së krehur, asaj të Sllobodan Millosheviqit.
Koshtunica zgjodhi të dytën, insistoi që Kosova është juridikisht pjesë e Serbisë duke lidhur inat kundër realitetit, shkencave juridike, Serbisë e të gjithë të tjerëve pos maceve, të cilave iu kthye.
2.
Një çerek shekulli më pas, fëmijët e rritur me inatin e Koshtunicës prodhuan një dokument i cili thotë të njëjtat gjëra që i thoshte edhe ai, me një dallim. Studentët, e këtë Koshtunica nuk do të lejonte sepse do të ishte zhytje në ngrohtësi, përdorën gjuhën poetike, ose patetike, dhe aty u gjet vend për “fushën e betejës të larë me gjak”, dhe “horizontin shpirtëror nga i cili edhe sot na ndriçojnë kishat e Prizrenit, narteksi i Pejës, ari i Banjskës dhe shtyllat e harqeve të Graçanicës”.
Por, me edhe një dozë të shtuar diplomacie përsëritën atë që thoshte Koshtunica, para se t’u kthehej maceve: “Serbia duhet të bashkëpunojë në mënyrë aktive dhe konstruktive me të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare, duke i njohur ato si partnerë të pashmangshëm në gjetjen e zgjidhjes më adekuate dhe të qëndrueshme në kuadër të Kushtetutës së saj”.
3.
Mund të duket obsesion rinor ky i idesë se çerek shekulli pas Koshtunicës po ofrohet një gjeneratë e të rinjve në Serbi e cila thotë se po që se i fiton zgjedhjet e ardhshme do të bashkëpunojë me botën në mënyrë që bota t’i adaptohet Kushtetutës së Serbisë.
Pra, po, të rinjtë kanë ndonjëherë iluzionin se bota sillet rreth tyre dhe kjo mund t’u ketë ndodhur studentëve serbë. Problemi është te kontinuiteti sepse përgjatë këtij shekulli e pak edhe nga ai i kaluari një pjesë e rëndësishme e politikës serbe është projektuar me idenë se Ballkani Perëndimor dhe politika rreth tij duhet t’i adaptohet boshtit të Serbisë; siguria, pasiguria, integrimet, çintegrimet, zhvillimi, paqja e lufta dhe çdo gjë tjetër varet nga Serbia.
Studentët këtu bashkëdyzojnë gabimin.
Është krejtësisht jorelevante për Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Evropën se studentët protestues besojnë që Kosova është pjesë e territorit të Republikës së Serbisë. Që të gjithë - Kosova, Ballkani Perëndimor dhe Evropa - funksionojnë fare mirë përkundër këtij besimi dhe do të funksionin po njëjtë sikur Lëvizja studentore të shpallte se ata besojnë që Toka është e rrafshët.
Por, njëkohësisht, duke mos krijuar relevancë për Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Evropën, Lëvizja studentore e rrezikon relevancën e vet. Nëse një çerek shekulli pas Koshtunicës del një gjeneratë e re e cila i përsërit postulatet e tij, e postulatet e tij qenë krijimi i vazhdimësisë të politikës së Millosheviqit me mjete të tjera, atëherë cila është vlera e shtuar e lëvizjes?
Në mungesë të kësaj pyetje, dhe përgjigjes ndaj saj, studentët rrezikojnë që figurativisht ta përcjellin tutje Koshtunicën, në ruajtje të maceve.
4.
Përgjatë këtij shekulli bashkëbiseduesit e pushteteve të ndryshme të Serbisë janë përpjekur të interpretojnë sikur të ishin mesazhe të koduara qëndrimet dhe veprimet e tyre. Që të gjithë kanë përsëritur dëshirën apo ambicien që Serbia të jetë pjesë e Evropës. Pas çdo përsëritje dëshmitë për këtë kanë qenë gjithnjë më të vogla: Serbia është më larg Evropës sot se ç’ishte kur filloi negociatat për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Në vend të projektimit të dëshirave të huaja, mbase për të gjithë që përpiqen ta kuptojnë Serbinë do të vlente të pranohen gjërat ashtu si janë. Pra, jo, Serbia mazhoritare nuk e sheh veten pjesë të Evropës. Dhe, jo, fakti se ekziston një lëvizje studentore kundër pushtetit të kësaj Serbie e me qëndrime të kësaj Serbie nuk e kualifikon automatikisht e pa dëshmi për të qenë vizion i ardhmërisë evropiane.