OpEd

Rifunksionalizimi i Këshillit Ekonomiko-Social: Investim për stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës

Besnik Vasolli

Në një kohë kur Kosova përballet me sfida të brendshme politike dhe presione të jashtme, mungesa e një Këshilli Ekonomiko-Social (KES) funksional është një boshllëk i madh institucional. Ky këshill, i paraparë me ligj për të bashkuar qeverinë, punëdhënësit dhe punëtorët rreth tavolinës së dialogut, ka vite që nuk funksionon realisht. Mandati i tij ka skaduar, ndërsa proceset më të rëndësishme për qytetarët dhe bizneset, si përcaktimi i pagës minimale, marrëveshjet kolektive apo politikat e tregut të punës, mbesin pa diskutimin e detyrueshëm trepalësh.

Pse na duhet një KES funksional tani?

Një KES funksional do të ishte mekanizmi i vetëm ku qeveria, sindikatat dhe odat ekonomike mund të zhvillonin dialog të strukturuar social. Ky dialog nuk është vetëm formalitet, është mënyra e vetme për të marrë vendime me legjitimitet, për të ndërtuar besim ndërmjet palëve dhe për të siguruar që reformat nuk prodhojnë më shumë probleme sesa zgjidhje. Për një vend të vogël dhe të brishtë si Kosova, dialogu social është garanci kundër konfliktit social, kundër grevave dhe kundër vendimeve të njëanshme.

Një KES aktiv do të përmirësonte dukshëm marrëdhëniet ndërmjet qeverisë, biznesit dhe punëtorëve. Do të ofronte besim institucional se vendimet nuk merren vetëm nga një palë, por janë rezultat i kompromisit dhe konsensusit. Do të garantonte mbrojtjen e palëve më të dobëta, si punëtorët e sektorëve informalë, të cilët shpesh mbeten pa zë. Dhe mbi të gjitha, do të reduktonte tensionet sociale, duke i zhvendosur ato nga rruga në tavolinën e bisedimeve.

Një KES funksional do të ishte provë se Kosova ka kapacitet të zhvillojë dialog social të qëndrueshëm, dhe do të dërgonte mesazh tek investitorët e huaj se vendi ka stabilitet social dhe mekanizma për të menaxhuar tensionet. Investitorët e shohin mungesën e dialogut social si risk reputacional dhe financiar, ndërsa një KES aktiv është sinjal i besueshmërisë afatgjatë.

Efektet në ekonomi dhe biznes

Ekonomia kosovare vuan nga mungesa e parashikueshmërisë. Një vend ku paga minimale vendoset pa konsultim gjithëpërfshirës, ku reformat fiskale ndryshojnë shpejt dhe ku sindikatat veprojnë vetëm përmes grevave, nuk është vend i sigurt për investim. Një KES funksional krijon parashikueshmëri për biznesin, siguri për punëtorët dhe legjitimitet për qeverinë. Ky është trekëndëshi mbi të cilin ndërtohet zhvillimi ekonomik.

Çfarë duhet të bëjmë?

Për rifunksionalizimin e KES-it duhet të caktohen përfaqësuesit e rinj, të rishikohen rregullat e punës, të sigurohet buxheti dhe sekretariati profesional. Duhet të ketë angazhim të qartë që vendimet e KES të merren seriozisht nga institucionet relevante. Donatorët mund të ndihmojnë me trajnime dhe asistencë, por vullneti për ta bërë funksional është vetëm i yni.

Nëse dëshirojmë të kemi një ekonomi të qëndrueshme, një treg pune të drejtë dhe një proces integrimi të besueshëm, duhet ta rifunksionalizojmë Këshillin Ekonomiko-Social. Kjo nuk është vetëm një kërkesë ligjore, por një garanci për stabilitet, zhvillim dhe përfaqësim. Është koha të dëshmojmë se dimë të ndërtojmë institucione që funksionojnë, për punëtorët, për bizneset, për qytetarët dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare)