Postimit të shefes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në platformën “X” për vizitën në Kosovë dhe takimin me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin në detyrë Albin Kurti, i ka reaguar emisari i presidentit amerikan për misione të veçanta në botë, Richard Grenell.
Grenell ka thënë se Von der Leyen ka heshtur kur u arrestua ish-presidenti Hashim Thaçi.
“Gjykata juaj e Hagës e ka mbajtur presidentin Thaçi për 5 vjet. Si mund t’i jepni këshilla për drejtësi çdo vendi? Ju qëndruat të heshtur ndërsa Jack Smith arrestoi një president në detyrë, vetëm sepse ai ishte duke shkuar për të takuar Donald Trumpin për të krijuar një marrëveshje paqeje që përfshinte shpërbërjen e punës së Jack Smith/gjykatës. Është e turpshme se si media e ka injoruar këtë ndjekje penale politike”, ka shkruar Grenell në postimin e tij.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, qëndroi sot në Kosovë derisa pas takimit me Kurtin e Osmanin, kërkoi që të vazhdohet me ndërtimin e institucioneve dhe finalizimin e hapave të nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, të ulë tensionet në vend. Gjithashtu, Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar von der Leyen në X.