Ashtu si pritej, hendbollistet e Kosovës kanë pësuar humbje të thellë nga Franca, kampionia e botës, në nisje të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026.
Ndeshjen e Grupit 1 të zhvilluar në Nimes të Francës, Kosova e humbi me rezultatin 43:12.
Franca, medaliste e artë dhe e argjendtë nga Lojërat Olimpike në Tokio e në Paris, e mbylli pjesën e parë me rezultatin 20:5. Epërsia ishte e thellë edhe në pjesën e dytë.
Merlinda Qorraj i realizoi gjashtë gola dhe ishte më e dalluara te Kosova, duke e shënuar gjysmën e golave të gjithë skuadrës.
Dy gola i pati Arona Krasniqi, ndërsa nga një gol shënuan Tina Hetemi, Elisa Mulaj, Xhesika Mehmetaj dhe Mirjeta Bytyqi.
Te Franca më së shumti gola pati Alicia Toublanc, tetë gjithsej.
Kosova e luan ndeshjen e radhës ndaj Kroacisë të dielën në Prishtinë nga ora 17:15.
Në grup është edhe Finlanda.
Kualifikimi në Evropian është i mundur edhe nga vendi i tretë në grup, aty ku Kosova e sheh rastin.