Pse askush nuk duhet të mllefoset që Edi Rama ua tha shqiptarëve një të vërtetë të hidhur: jeni popull që po e shkatërron ambientin, pra bazën jetësore, duke hedhur bërllok kudo në natyrë e hapësira urbane. A ka përjashtime? Po, po, ka, por shumica janë me plehun - në majë të plehut!
Në papërgjegjësinë e tmerrshme ndaj ambientit JEMI NJË! Andaj askush të mos zemërohet që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha që, krahas shqiptarëve të Shqipërisë, edhe ata të Kosovës dhe Maqedonisë nuk dallojnë sa i përket hedhjes së mbeturinave në hapësirat publike. Kjo është e vërtetë. Më shumë do t’ju pëlqente sikur Edi Rama t’iu thoshte se hedhja e bërllokut në rrugë e trotuare është vepër e rëndësishme patriotike. Nuk ua tha, dreqi!
Po ecnim me veturë në Ksamil para disa javësh. Nga një veturë para nesh (me targa të Shqipërisë) së pari u hodh një letër. Menduam se ishte hedhje e paqëllimshme. Pas ca metrash u hodh edhe një masë e padefinueshme bërlloku. Pastaj, disa minuta më vonë, u hodh një shishe e plastikës, mjaft e madhe. Si shqiptar i Kosovës (dhe si turist nga Zvicra) mund të mllefosesh me një pamje të tillë. Por pastaj mendja të shkon te bërlloku i Prishtinës i përhapur anekënd qytetit. Te duhma që vjen nga pothuaj çdo kontejner i stërmbushur me bërllok. Te vaji i rrjedhur i veturave që ka krijuar një shtresë të rrezikshme mbi rrugë. Te grindjet cinike të politikanëve lokalë se kush është fajtori që me ditë të tëra nuk zbrazen kontejnerët me plehra. Te cilësia e ajrit që nuk është cilësi, por helm pothuaj vdekjeprurës (në faza të caktuara të vitit).
Një çerekshekull pas çlirimit Kosova mbetet ndër vendet më të ndotura në Evropë! Qeveri qendrore dhe lokale kanë llomotitur dhe llomotisin pandërprerë për tema të mëdha, por jeta e qytetarëve zhvillohet mes bërllokut - fatkeqësisht falë tolerancës së qytetarëve dhe me pjesëmarrjen e tyre në bërllokëzimin, shkatërrimin, ndotjen, pisllëkun e lagjeve, rrugëve, rrugicave, shtigjeve, livadheve, natyrës në përgjithësi.
Ujërat e zeza (që ta kuptoni më mirë: muti e shurra) derdhen pandërprerë në lumenj të Kosovës, të cilët s’janë më lumenj, por vija kanalizimi. U shkatërruan! Një shoqëri që nuk është në gjendje të heqë plehun nga pragu, a mund të arrijë diçka më shumë?
Në Tetovë prej vitesh aktivistë të shoqërisë civile zhvillojnë një betejë kundër ajrit të ndotur. Një ajër toksik që shkakton sëmundje të ndryshme, veçanërisht trajta të kancerit. Edhe atje si në Kosovë politikanët e kanë gojën plot me premtime e përbetime se kur të marrin pushtetin do të pastrojnë ajrin. Shkojnë e vijnë politikanët, por ajri i ndotur mbetet.
Para dy vjetëve, në shtator 2023, gazeta britanike “The Guardian” shkroi se Shkupi është një nga tri zonat më të ndotura në kontinent. Këtë fakt kjo gazetë e bazonte në të dhënat mbi cilësinë e ajrit në Evropë. “Së bashku me qytete të Ballkanit Perëndimor dhe në Poloni, ai (Shkupi) është një nga pikat e nxehta të Evropës për grimcat e imta më të vogla se 2.5 mikronë në diametër, të njohura si PM2.5. Disa prej këtyre grimcave të imëta depërtojnë përmes mushkërive dhe hyjnë në vena, duke udhëtuar nëpër qarkullimin e gjakut dhe duke shkaktuar dëme në organet që takojnë. Një studim i vitit 2018 zbuloi se ajri në Shkup ishte aq i ngarkuar me ndotës, saqë banorët vdisnin mesatarisht dy deri në tre vjet më herët sesa do të jetonin pa këtë faktor mjedisor, ‘kryesisht të parandalueshëm’”.
Nuk është ndryshe as në Prishtinë. Njerëzit vdesin dy, tre apo pesë vjet më herët për shkak të ajrit të ndotur. Për shkak të pisllëkut. Po të jetonin në vende me ajër të pastër, do të jetonin më gjatë. Qëllimi i shumë politikanëve shqiptarë nuk është përmirësimi i jetës së qytetarëve. Nuk ka qenë në të kaluarën, s’është as sot.
Edi Rama e tha një të vërtetë, por nuk e tha të vërtetën e plotë: është në pushtet që nga viti 2013 dhe ende në Shqipëri jo vetëm që mbeturinat hidhen pothuaj kudo dhe shkaktojnë një pamje të shëmtuar, por, për fatin e zi të turizmit, edhe ujërat e zeza derdhen në det. Siç ndodh në Kosovë me ndotjen e lumenjve me ujëra të zeza. JEMI NJË!
Kur kryeministri i tanishëm (në detyrë) i Kosovës më 18 maj 2001 e prezantoi programin qeverisës, askund nuk i përmendi fjalët ekologji, ambient, mbrojtje e ambientit, politikat e gjelbra. Edhe në programin aktual të quajtur “zotimet” për mandatin 2025-2029, asnjë kapitull nuk i kushtohet eksplicit mbrojtjes së ambientit. Përmenden pesë diga e pesë rezervuarë që pritet të ndërtohen. Por çfarë uji do të mblidhet aty? Për këtë mbretëron heshtje. Siç ka mbretëruar heshtje qe 25 vjet sa i përket shkatërrimit masiv të ambientit në Kosovë - me gurthyes komandantësh, me ndërtime skandaloze nga biznesmenët që janë bërë të tillë, ngase janë financues të partive apo kushërinj plaçkitësish me pushtet shumëvjeçar, me politikanë që keqpërdorin financat madje edhe në aksione për “pastrimin e Kosovës”. JEMI NJË! Dhe shumë të lumtur në majën e plehut tonë të përbashkët.