Futboll

Real Madridi e synon revanshin e menjëhershëm ndaj Benficas

Liga e Kampionëve

Real Madridi do ta kërkojë menjëherë revanshin ndaj Benficas, me të cilën skuadër përballet në plejofin e raundit nokaut të Ligës së Kampionëve.

Shorti i tërhequr të premten në Nyon të Zvicrës ka bërë që Real Madrid – Benfica të jetë njëra prej përballjeve të plejofit.

Benfica fitoi 4:2 ndaj Real Madridit të mërkurën mbrëma, duke ia mohuar 15 herë kampionit të Evropës kalimin direkt në një të tetën e finales. Me fitoren dramatike, skuadra portugeze e siguroi avancimin në fazën e plejofit. Madje fitoren me dy gola dallim, që i duhej për kualifikim, Benfica e arriti me gol të minutës së 98-të, të shënuar nga portieri Anatoliy Trubin.

Tani skuadrat kanë edhe dy ndeshje, ndërsa vetëm njëra prej tyre do të jetë në një të tetën e finales. 

Fituesi në fuqi i Championsit, Paris Saint-Germaini, do të luajë ndaj Monacos. Është ky çifti i vetëm i plejofit nga i njëjti vend.

Befasia e këtij edicioni të Championsit, Bodo/Glimti i vogël nga Norvegjia, do të ballafaqohet me finalistin e vitit të kaluar, Interin.

Nëse avancon në një të tetën e finales, Madridi mund të ketë tjetër përballje me Manchester Cityn.

Shorti ka përcaktuar që ish-trajneri i Madridit, Jose Mourinho, të kthehet në “Santiago Bernabeu”.

Mourinho me Benfican e befasuan skuadrën e madhe spanjolle në xhiron e fundit të fazës së ligës. Benfica ishte duke udhëhequr 3:2 pas 90 minutave, ndërsa i duhej edhe një gol për të shkuar tutje me goldallim më të mirë. E arriti avancimin tutje në mënyrën më dramatike të mundshme. Ukrainasi Trubin e shënoi me kokë golin vendimtar.

Madridi, që para se të niste ndeshja ishte në vendin e tretë, doli jashtë tetëshes së parë dhe për këtë arsye duhet të luajë në fazën e plejofit.

Mourinho, dy herë fitues i Ligës së Kampionëve, do të ketë mundësi t’i shkaktojë ish-skuadrës më shumë dhimbje në këtë edicion.

Real Madridi u përball me shumë telashe, ndërsa kulmi ishte largimi i trajnerit Xabi Alonso. Vendin e tij e zuri Alvaro Arbeloa, që synon ta shpëtojë edicionin.

“Është faza vendimtare tani dhe çdo ndeshje mund të të largojë apo të të afrojë te trofeu”, ka thënë drejtori i Marrëdhënieve Institucionale te Real Madridi, Emilio Butragueno.

“Do të kthehemi në Lisbonë. Është pak për të qeshur, sepse kishim 60 vjet pa luajtur ndaj kësaj skuadre dhe tani do të përballemi tri herë brenda një muaji. Duhet të marrim rezultat pozitiv. Në ndeshjen e kaluar portugezët luajtën mirë dhe treguan fuqinë e tyre. Kjo duhet të na ndihmojë të përgatitemi sa më mirë për ndeshje”, deklaroi Butragueno.

Ndeshja e parë është në Lisbonë më 17 apo 18 shkurt. Ndeshja e kthimit zhvillohet në Madrid më 24 apo 25 shkurt.

Ndërkohë, drejtori i futbollit te Benfica, Mario Branco, theksoi se ishin të përgatitur për short të vështirë.

“Pavarësisht a ishte Real Madridi apo Interi, ne e dinim se do të ishte shumë vështirë. Real Madridi është ekip i madh. Madrilenët janë mjeshtër të Ligës së Kampionëve, por për ne tani është situatë ndryshe. E kemi parë të mërkurën se për Benfican asgjë nuk është e pamundur. Është klub që është mësuar me netët magjike, do të mundohemi ta bëjmë të njëjtën gjë edhe në të ardhmen. Benfica dhe Reali janë klube historike në Evropë dhe në Ligën e Kampionëve”, deklaroi Branco.

PSG-ja, skuadra e cila e fitoi Ligën e Kampionëve në mënyrë të jashtëzakonshme në edicionin e kaluar, do të ketë rrugë të gjatë për mbrojtjen e trofeut. Fillimisht do të përballet me Monacon, që është nëntë vende dhe 21 pikë prapa në ligën franceze.

Rruga drejt triumfit të PSG-së në edicionin e kaluar kaloi nëpërmjet plejofit.

Bodo/Glimti ka qenë tregim suksesi në këtë edicion. Regjistroi rezultate të mëdha ndaj Manchester Cityt dhe Atletico Madridit, për të avancuar në plejofin e fazës nokaut. Dhe do të jetë rrezik i madh edhe për Interin.

Galatasaray – Juventus, Borussia Dortmund – Atalanta, Qarabag – Newcastle United, Club Brugge – Atletico Madrid, Olympiacos – Bayer Leverkusen janë çiftet e tjera të plejofit.

Ekipet që janë kualifikuar direkt në një të tetën e finales janë: Arsenali, Bayern Munichu, Liverpooli, Tottenhami, Barcelona, Chelsea, Sportingu dhe Manchester City.

Çiftet e plejofit të fazës nokaut të Championsit

Benfica – Real Madrid

Bodo/Glimt – Inter

Monaco – Paris Saint-Germain

Qarabag – Newcastle

Galatasaray – Juventus

Club Brugge – Atletico Madrid

Borussia Dortmund – Atalanta

Olympiacos – Bayer Leverkusen