Nesër mbrëma do të dimë se kush fitoi dhe sa. Do të kemi festa, e do të kemi konferenca për shtyp, ose nuk do t’i kemi fare. Ashtu siç nuk e di po qe se do të jemi në gjendje t’i përcjellim të gjitha, se nuk e di nëse do të kemi rrymë. Apo se do t’i shpenzojmë plot do miliona për rrymë prej importit për t’u siguruar që të mos mbetemi në terr. Tri-katër ditët në vijim do të shpijnë në fund të vitit ashtu siç e nisëm: me fushatë e zgjedhje. Do të arrijmë në fillimvit të dërrmuar për shkak se 2025-a na humbi kot
Atë që e dimë me siguri është se fushatë zgjedhore nuk do të ketë më këtë vit. Pa asnjë dyshim, na ka dalë për hundësh fushata e pandërprerë nga janari. E na kanë dalë për hundësh edhe të gjitha pasojat që i solli fushata e pafund dhe kriza e papërfunduar politike.
Dhjetëditëshi i fundit elektoral u shndërrua në garën “kush o ma i forti” në kuptimin e premtimeve se kush do t’i rrisë më shumë rrogat e sektorit publik me të ardhur në pushtet. Nuk pati parti që nuk premtoi rritje – vetëm prisja dikë që do ta imitonte Trumpin e të thoshte se rritja do të jetë 100% kurse ulja e çmimeve do të mbërrijë 400% a 500%.
I gjithë përqendrimi i premtimeve sillej rreth sektorit publik dhe miklimit të diasporës – thuajse të gjithë e dinë se dallimin në vota do ta sjellin mërgimtarët – dhe jo ata që do të votojnë në vendet ku jetojnë, por ata që votojnë në Kosovë. Ngase gjasat janë se kosovarët rezidentë do të zgjedhin të mos dalin në zgjedhje në numër të konsiderueshëm, për shkak të lodhjes dhe zhgënjimit me gjithçka që ka ndodhur sivjet.
E sa zhgënjyese qe fushata e tregojnë dy elemente: vizioni i zhvillimit ekonomik ku motori, sektori privat, duhet përkrahur dhe stimuluar – thuajse nuk ekziston. Tek asnjëra palë.
E gjithë esenca është që paratë e gatshme të buxhetit të shpërndahen tutje, pa u lodhur për ta ndërtuar një sistem të sigurimit, social, shëndetësor e pensional.
Nga ana tjetër, elementi i dytë, i cili fort ma vrau veshin qe premtimi për ndërtimin e rrugës së Mitrovicës. Do të thotë, qe 16 vjet - edhe njëherë, qe 16 vjet - ne e dëgjojmë ndërtimin e rrugës së Mitrovicës si premtim zgjedhor. Katërdhjetë kilometra rrugë. Mesatarisht, 2.5 kilometra në vit – ani që me katër shirita. Marre. Por të ishte marrja e vetme, lehtë e kishim kapërcyer.
Marre është edhe një 40-kilometërsh tjetër, deri në Podujevë. Qe dhjetë vjet qëkur ka nisur zgjerimi e nuk përfundon “gjithë ajo vepër arkitekture”, meqë siç dëgjova, i kishte 13 rrethrrotullime përgjatë trasesë. Pra, potencialisht 13 vende ku mund të ndodhin aksidente trafiku për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë – në një rrugë që duhet të jetë autostradë, por që u është përshtatur qejfeve të secilit katund që do që të ketë dalje në xhade.
* * *
Qe fushatë e bajatshme – dhe mirë që nuk zgjati më shumë se 12 ditë. Shërbeu për shpëlarjen e listave, kinse rifreskimin e tyre me emra të rinj e të panjohur; me shpërfaqjen serioze të problemeve brenda partive të caktuara; me “uljen pak të topit” dhe me fyerje e ofendime shumë më pak sesa në fushatën e janarit. Përfundimisht qe fushatë më pak euforike dhe ku politikanët vazhduan me zgjedhjen selektive të mediumeve ku donin ta përçonin porosinë. E edhe aty pati ndryshime – ato që dikur kishin qenë të padenja, tash u bënë të pranueshme.
Politika kështu e ka: “Këto janë parimet e mia, e nëse nuk ju pëlqejnë, hajt si i kam edhe do të tjera”...
Nuk ka pasur fushatë në të cilën fituesit nuk na kanë gënjyer. Edhe kjo nuk dallon nga cilado më parë. Dhe përderisa nuk ka një mekanizëm për t’i mbajtur përgjegjës për mosrealizimin e premtimeve, të tilla do t’i kemi zgjedhjet përherë. E edhe qeveritë që dalin nga to – premtime që përherë, pjesërisht do të plotësohen. Sidomos aty ku paratë shpenzohen më së lehti.
Pra, në vazhdën e shpërndarjes së parasë publike pa dhimbtë tri katër ditë para zgjedhjeve, u rishfaq ministri i Financave për të treguar se familjet e prekura do të përkraheshin financiarisht për t’i mbuluar faturat e rrymës. Ajo që kishte menduar se do të mund të ishte edhe një vendim që do të mund t’i impresiononte votuesit, iu kthye bumerang me kamatë.
Murati shkroi në FB se 90 mijë familje të cenueshme kanë pranuar subvencionin e faturave të energjisë elektrike brenda programit që e mbulon periudhën gjashtëmujore të dimrit (tetor-mars). Kriteret kryesore për të përfituar nga kjo masë janë që familjet të kenë të ardhura deri në 150 euro për anëtar e të mos kenë pasuri të paluajtshme me më shumë se 100 mijë euro vlerë.
Ndaj statusit të Muratit, reagoi ekonomisti Agron Demi me një fakt tronditës: “...Familje e cenueshme nënkupton familje e varfër ose në kufi të varfërisë. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë janë regjistruar 353 mijë familje. Pra 25.5% janë në situatë financiare që duhet me ua subvencionu faturat. Matja e fundit e varfërisë në Kosovë është bâ me 2017 dhe ka qenë 17%. Prej atëherë e kemi përjetuar pandeminë e krizën me çmime por nuk kemi pasur regjistrim të varfërisë. Kjo që po e konstaton MFPT është tregues se varfëria është në rritje, ashtu siç është në shumë vende pas pandemisë”.
Me muaj të tërë ka që e përmendi krizën ekonomike që jemi duke e përjetuar, dhe përherë përgjigjja nga pushteti ka qenë se kurrë më mirë nuk i kemi pasur punët; se kemi rritje ekonomike; se kemi aktivitet të shtuar ekonomik; se qarkullimi i parasë është shtuar (në doganë pa asnjë dyshim marrë parasysh deficitin enorm tregtar)... gjithnjë duke u mbështetur në shënimet statistikore ASK-së.
Rastisi që pikërisht shënimet zyrtare të ASK-së të na e qartësonin se mbi 25% e familjeve të Kosovës na qenkan të cenueshme ekonomikisht. E nëse e mësyjmë të vërtetën, numri i tyre do të jetë madh – ngase nuk mund të pretendosh që me rrogën mesatare në sektorin privat mund të jetosh me komoditetin që do të duhej të ta ofronte vendi i punës.
Autogol i Muratit. Vulosje e asaj që ka mbi shtatë muaj e themi. Jemi në krizë.
* * *
E kriza jonë nuk është vetëm politike a ekonomike. Është edhe morale.
Pa pritur dhe thuajse “prej askund”, dje opinionit iu kthye ish-kryeprokurori i shtetit Lekë Lumezi. Njeriu që ka mbajtur postin shtatë vjet, dhe gjatë mandatit të të cilit nuk ka ndodhur asnjë procedim të ndonjë peshku të madh deri në fund të procedurës që do të përfundonte me aktgjykim dënues – u emërua kandidat për zëvendësprokuror të shtetit nga personi që prej një jave e ushtron detyrën e kryeprokurorit në vend të një ushtruesi tjetër detyre që qëndroi në post nja katër vjet.
Kthimi i Lumezit në skenë nënkupton edhe reflektimin e ndikimit të krahut politik mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës. Lumezi u zgjodh kryeprokuror më 2015-n në kohën e koalicionit PDK-LDK qëndroi në atë pozitë deri më 2022-n, kur duhej largohej se nuk mund të rikandidonte; u përpoq ta shtynte Blerim Isufajn si “trashëgimtar” tijin, porse ky nuk u dekretua nga Osmani. Tash qenka zbuluar një mundësi e re për të depërtuar në krye, e për të mbajtur ndikimin në trupin i cili do të pësojë ndryshime që nga viti i tjetër kur hyn në fuqi ligji i ri. Zgjedhja e zëvendëskryeporkurorit të shtetit është çështje e KPK-së ekskluzivisht, ngase për këtë post nuk duhet dekreti i kryetares.
Në një shtet normal, ku drejtësia duhet të funksionojë, e ku një person që ka dështuar plotësisht ta kryejë detyrën e tij profesionalisht, rikthehet pa asnjë pasojë të vetme kah kapixhiku për në KPK – ky lajm duhet ta ndez alarmin.
Do të duhej të ishim të brengosur: se nëse deri tash prokuroria ka pasur më shumë dështime sesa suksese, prej tash e mbas, situata do të jetë edhe më e keqe. Situata do të kthehet atje ku ka qenë para thuajse dhjetë vjetësh: ku njerëzit edhe do të mund të hetoheshin e ndiqeshin, por ku edhe do të lirohen, qoftë për shkaqe procedurale qoftë për shkak të dëshmive të dobëta e jobindëse.
Do të duhej të ishte çështje që do të duhej tërhequr një valë reagimesh. Porse në mes të garës për të marrë pushtet, gjëja e fundit është rikthimi i Lumezit, në stilin “hajt se merremi me te mandej”.
* * *
Nesër mbrëma do të dimë se kush fitoi dhe sa. Do të kemi festa, e do të kemi konferenca për shtyp, ose nuk do t’i kemi fare. Ashtu siç nuk e di po qe se do të jemi në gjendje t’i përcjellim të gjitha, se nuk e di nëse do të kemi rrymë. Apo se do t’i shpenzojmë plot do miliona për rrymë prej importit për t’u siguruar që të mos mbetemi në terr.
Tri-katër ditët në vijim do të shpien në fund të vitit ashtu siç e nisëm: me fushatë e zgjedhje. Do të arrijmë në fillimvit të dërrmuar për shkak se 2025-a na humbi kot.
E vetëm kur ikë koha, e kupton se sa e vlefshme është. Mbase nuk na duhet edhe një vit i kotë për ta kuptuar këtë.