Të pasurit e blejnë famën, të tjerët bëhen të famshëm: me një rrahje spektakolare, siç bëri vaki së fundi në një qytet provincial serb
Thonë që dasma është dita më e bukur e jetës. Thonë. Për një çift në Gornji Milanovac të Serbisë doli të jetë dita më e tmerrshme e jetës. Kështu bëri vaki më 28 shtator, ishte e diel. Në një restorant të këtij qyteti serb u mblodhën të ftuarit, zunë vend, filluan të dëfrehen - muzikë, mish dhe mastikë (ndoshta ka qenë raki e mirëfilltë serbe, shlivovicë, por mastika këtu po përmendet për shkak të aliteracionit, pra si element retorik i stolisjes së fjalisë).
Ndonjë lexues mund ta ketë humbur durimin tashmë, ndonjë lexuese kureshtare mund të pyes: ç’ndodhi në Gornji Milanovac? Si në çdo rrahje, kacafytje, ngatërresë, përleshje, grindje, gjakosje, grushtim (sa e pasur është gjuha shqipe!), edhe për rastin e Gornji Milanovacit ka deklarata të ndryshme mbi atë se si ndodhi ajo që ndodhi.
Sipas një versioni - një mysafire e sulmoi nusen.
Sipas një versioni tjetër - kjo dramë filloi kur dhëndri vuri re se njëri nga të ftuarit në dasmë po sillej çuditshëm. Atëherë iu afrua bashkëshortes së tij dhe, sipas dëshmitarëve okularë (të cilët citohen nga mediat serbe), i kërkoi ta qetësonte burrin. Ajo nuk veproi sipas lutjes, por e gërvishti dhëndrin me thonj në fytyrë.
Të shohim tani se çka thotë një dëshmitare për gazetën “Blic”: “Pas kësaj, nusja iu afrua për ta mbrojtur dhëndrin, dhe mysafirja që e kishte gërvishtur atë me thonj e goditi nusen; nuk jemi të sigurt nëse me shuplakë apo me grusht, dhe ia shqeu fustanin e nusërisë, ndërsa nusja u rrëzua”.
Rrëmuja nuk mori fund me kaq.
Pastaj një mysafire nisi të fjalosej me nusen, e cila i tha: “Mos më krijo probleme në dasmë, dil jashtë”. Duke dalë jashtë, mysafirja u rrëzua, humbi vetëdijen. Shpejt u shfaq në vendin e ngjarjes Ndihma e Shpejtë (ose urgjenca, për ata që nuk e kuptojnë mirë gjuhën shqipe). Mjeku iu afrua gruas për t’ia matur pulsin. Në atë çast bashkëshorti i saj u soll si çdo burrë krenar nga Ballkani dhe i bërtiti mjekut: “Pse ma prek gruan?”, mandej u përpoq ta shtyjë dhe godasë.
Në tollovinë e përgjithshme u përfshinë edhe disa të ftuar të tjerë, të cilët u vunë në mbrojtje të mjekut dhe penguan një incident më të madh në hotelin “Shumadija” në Gornji Milanovac. Hetimet vazhdojnë, një grua u shtrua në spital.
Nuk duket çdo dasmë si seria e fotografive në Instagram, nusja me fustan të bardhë si bora, burri me Ferrari të kuq si gjaku i demave të goditur me heshtë nga torerot spanjollë, përpara liqeni i Comos, në horizont alpet zvicerane.
Nuk duket çdo dasmë si dasma më e shtrenjtë në historinë e njerëzimit, kur u martuan Radhika Merchant dhe Anant Ambani, një vajzë dhe një djalë të dy familjeve të pasura të Indisë. Kremtimet kryesore zgjatën nga 12 deri më 14 korrik 2024 dhe kushtuan deri në 200 milionë dollarë amerikanë. Në atë dasmë, e cila sipas gazetës “Guardian” ka kushtuar madje 600 milionë dollarë, nuk munguan Tony Blair dhe Boris Johnson, Kim dhe Khloé Kardashian, Priyanka Chopra dhe Nick Jonas. Dhe shumë e shumë figura të tjera prominente nga mbarë bota. Në krahasim me dasmën e Gornji Milanovacit festa martesore e fëmijëve të llastuar nga India duket monotone. Të pasurit e blejnë famën, të tjerët bëhen të famshëm: me një rrahje që kulmon me kërcënimin: “Pse ma prek gruan?” Këso llafesh nuk janë dëgjuar as në dasmat venedikase të George Clooney dhe Amal Alamuddin si dhe të Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez.
Keni dëgjuar për Dasmën e Kanës? Shumë mirë që ekziston Bibla (nganjëherë edhe Kurani), aty mund të gjenden përherë rrëfime që konfirmojnë gjykimet dhe paragjykimet tona, por pak fletë më tutje pohohet e kundërta. Me një fjalë, mrekullitë janë të pakufishme në librat fetarë.
Ja versioni i shkurtër i Dasmës së Kanës: kjo dasmë, në të cilën ishin të ftuar Jezusi, Maria dhe dishepujt, është një nga ngjarjet më të njohura në Ungjillin sipas Gjonit. Gjatë festës ndodhi e papritura: mbaroi vera. Në kulturën hebraike të asaj kohe, ky ishte një turp i madh për familjen e dhëndrit. Meqë atëherë s’kishte WhatsApp për t’i dërguar tjetrit një mesazh diskret për të mos rënë në sy, Maria iu afrua Jezusit dhe i tha: “Nuk kanë më verë”. Jezusi rrudhi supet dhe u përgjigj se ende s’kishte ardhur çasti i tij (ose ora e tij) për të bërë mrekulli. Megjithatë, Jezusi u tha shërbëtorëve të mbushnin me ujë gjashtë enë të mëdha prej guri. Kur e nxorën ujin, ai ishte bërë verë. Kjo ishte mrekullia e parë e Jezusit sipas Biblës. Kështu Jezusi e shpëtoi dasmën.