Rrëfimi për jetën mesatare në Kosovë, për shkretëtirën e kthyer në tokë bujqësore, për lypësen me ‘pos” të bankës dhe për biftekun e përgatitur me printer
Mes shumë premtimesh e rrenash, lëvdatash e statistikash në fushatën që sapo mbaroi, një prej tyre ironikisht mund të jetë e vërtetë.
Ministri në detyrë, Murati, në fillim të dhjetorit tha se familjet kosovare po e mbyllin 2025-tën me gati 5 miliardë euro depozita në banka. Nuk foli se sa persona i kanë gjithë ato para, kush ka kursyer, nëse këto kursime janë sjellë nga jashtë, mos veç ndonjë person a dy të vetëm e kanë gjysmën apo si është puna.
Në këtë amulli, shpëtim është mesatarja. Nëse ky 5-miliardësh pjesëtohet me numrin e popullatës, del se secili person, edhe fëmijët, të kenë nga 3000 euro në llogari. Jo keq për një familje 4-anëtarëshe – 12 mijë euro kursime.
Nëse është e vërtetë ose nëse të paktën kështu do të ishte shpërndarja, kjo do të përbente sinjal të mirë se klasa e mesme, ajo që e mban një shoqëri gjallë, është e fortë dhe stabile.
Por shporta e përditshme, inflacioni e kriza politike e tregojnë krejt të kundërtën.
Të kundërtën e kësaj mesatareje të artë prej 3000 eurosh kursime për secilin person, e tha edhe vetë ministri pak ditë më vonë. Njoftoi se mbi 90 mijë familje të cenueshme gjatë dhjetorit kanë përfituar subvencionim të faturave të energjisë.
Çka i bie kjo?
Nëse në rastin e parë më kursime nxorëm mesatare, e njëjta logjikë shkon edhe tash. Mbi 90 mijë familje nga 4 anëtarë, mesatarisht i bie minimumi 360.000 persona janë të cenueshëm. Janë gati çereku i popullsisë, sipas regjistrimit të fundit. Pra ka shumë të varfër, pastaj ajo që do të duhej të ishte shumica – shtresa e mesme po varfërohet.
Në gjithë këtë mashtrim me shifra, kam dëgjuar edhe një barsoletë në një vend fqinj, ku një pensionist shpërthen duke dëgjuar për pensionin mesatar që ka shkuar gati në 1000 euro.
Kështu e thotë plaku: “Ja, unë i kam 80 vjet dhe nipi im i ka 10. Vitet tona së bashku bëjnë 90. Nëse e nxjerrim mesatare, del se të dy jemi 45-vjeçar. Nuk është keq apo jo? Por e vërteta është se as unë si 80-vjeçar e as nipi im 10-vjeçar nuk jemi aktiv në shtrat!”.
Pak a shumë, kjo është shtresa mesatare në Kosovë, e pafuqishme për të diktuar ndonjë politikë apo për të ndryshuar ndonjë situatë.
E nëse ky realitet në Kosovë shpjegohet më së miri me barsoletë, atëherë dua të ndajë edhe përshtypjet nga një vizitë në Izrael së fundmi, e që realiteti atje mund të duket si barsoletë për ne, ose për disa.
Izraeli është i ngritur mbi shkretëtirë, por shifrat flasin se po kthehet në gjigant të prodhimit bujqësor.
Gjithë shkretëtirën e ka kthyer në tokë pjellore (diçka që neve në Kosovë na ka falë Zoti, veç duhet ta punojmë), ka shpikur sistemin e ujitjes pikë-pikë për vete e për botën (neve shpesh na ka shërbyer ky sistem i ujitjes për të vjedhur subvencione nga Ministra e Bujqësisë) dhe kultivon pa fund, gjithçka.
Shembujt se gjithçka mund të bëjë dora e njeriut janë të shumtë.
Në veri, Izraeli ndan kufirin me Libanin me një mur të lart e gjarpëror. Dhe nga kodra deri ku mund të shkohej si civil, shihej ara e lëvruar dhe e mbjell fiks deri te muri në kufi. Pra që asnjë pëllëmbë tokë të mos shkojë dëm.
Njëjtë ishte edhe në kufi me Gazën në jug të vendit, e për arat skaj rrugës as që ia vlen të flitet. Gjithkund, pafund sera, të mbjella në një tokë të përfituar nga shkretëtira.
Në ditën e parë të vizitës, bashkë me disa kolegë gazetarë nga Kosova e Shqipëria, u vendosëm në Jerusalem. I madh, rrugës për t’u bërë metropol dhe i gjithi i veshur me gurë. Asnjë ndërtesë nuk bën dallim, fasada është e njëjtë.
Nëse shkon në Jerusalem dhe nuk viziton vendet e shenjta, s‘ke bërë asgjë. Para se të futemi në kompleksin ku janë Kupola e Shkëmbit (Dome of the rock) dhe xhamia Al-Aqsa, që konsiderohet vendi i tretë më i shenjtë për besimtarët myslimanë pas Mekës e Medinës, organizatorët e turit kërkojnë kujdes.
Njëlloj si marrëdhëniet mes popujve në këtë vend, edhe siguria brenda kompleksit Haram al-Sharif, është e komplikuar. Në hyrje dhe rojet janë izraelite e brenda kompleksit kujdestaria është e Jordanisë.
Hyrja në xhaminë Al-Aqsa nuk lejohet për gjithkënd. Veç për meshkuj myslimanë. Të huajt, si ne që ishim, duhet të dëshmonin se janë myslimanë përmes ndonjë duaje apo ndonjë sure Kurani.
Pak metra tutje është Muri i Lotëve, vendi më i shenjtë për hebrenjtë e pak minuta ecje edhe Kisha e Varrit të Shenjtë, ku sipas besimit të krishterë, u kryqëzua, u varros dhe u ringjall Krishti.
Në mbrëmje, në dalje të një restoranti na pret një lypëse. Me thirrjen “sadaka”, ajo ofron një tas plastike për metelik e në dorën tjetër ‘posin’ e bankës. Nëse s’ke para, mund të japësh sadaka edhe me kartelë bankare. Zgjidhje që në Kosovë nuk e gjen as në shumë markete.
Të nesërmen mbërrijmë në muzeun e Hollokaustit “Yad Vashem”. I madh sa, nëse shkon në orët e pasdites nuk arrin ta shëtitësh e ta shikosh të tërin. I ngritur në rreth 450,000 m² është kompleks që përfshin muze, memoriale, qendra kërkimore dhe arkiva. Në oborrin e tij, haset edhe një falënderim për Shqipërinë, për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndryshe prej Jerusalemit shumë fetar ku edhe fëmijët mbajnë “Kipa” (kapelë), sa për shkak të fesë aq edhe për shkak të identitetit, Tel-Avivi është rrëfim tjetër. Është prej qendrave më mikpritëse për komunitetin LGBTQ+, me plazh mahnitës, ndërtesa të mëdha e jetë nate. Natyrisht, për t’u dehur është “pak problem”. Një Vodka-Schweppes apo një Gin-Tonic kushton mbi 20 euro.
Mes shumë veprave, Tel-Avivi e Izraeli krenohen edhe me qendrën e inovacionit “Shimon Peres”.
Aty shfaqet çdo e zbulim izraelit ndër vite, dhjetëra inovacione që pritet të ndryshojnë botën e ndër të tjera, ciceronia me mburrje thotë se “së shpejti do të hani biftek nga printeri”.
Në Kosovë, klasa e varfër dhe ajo e mesme e varfëruar e ka të vështirë ta qerasë veten me biftek të vërtetë viçi, por ndoshta atë të printerit do ta ketë më të kapshëm.