OpEd

Në zënie të hapit

Ne që jemi rritur në kohën kur i këndohej liderit të gjithëdijshëm, e dimë se çfarë domethënie ka trushpërlarja. E dimë edhe sa mund duhet për ta shpërlarë trurin nga shpëlarja ideologjike. E dimë se çfarë do të thotë frika e ndrydhja, por e dimë edhe çka do të thotë çlirimi

Nuk e di se sa herë në këta 12 muaj e kisha përsëritur se në 20 vjetët e fundit, ky kishte qenë viti më i rëndë që e kisha jetuar, përjetuar e mbijetuar. Dhe jo që në këta 20 vjet nuk kisha përjetuar humbje të mëdha me peshë shumë të rëndë emocionale.

2025-a, për shumë e shumë arsye ishte një vit për të tejkaluar sa më shpejt. Por jo edhe pa i nxjerrë mësimet nga ai – se si nuk duhet komplikuar vetes jetën dhe se si nuk ka rrezik më të madh sesa të besosh se shpëtimi i këtij vendi është një lider i vetëm dhe absolut.

* * *

Tashmë i dimë rezultatet e zgjedhjeve, në të cilat, në shenjë proteste për krejt maltretimet që i kemi përjetuar në 2025-n, e shfrytëzova të drejtën time për të votuar duke e prishur fletëvotimin me në “X” të madh – aq sa ma zuri faqja.

E vetëdijshme se për votën time aq ua ka bërë partive politike që nëntë muaj të vitit i kaluan duke u përpjekur për t’u pozicionuar sa më mirë karshi militantëve të tyre dhe sidomos duke bërë përpjekje thuajse mbinjerëzore për të marrë sa më shumë vota nga diaspora.

Kësaj radhe, aq ma bëri mua për cilëndo parti – sepse “sille kah ta sillsh”, atë që ma vërtetuan vjet qe se nuk ka absolutisht asnjë dallim mes tyre sa i përket listës së prioriteteve: i pari pushteti bashkë me beneficionet personale, e fundit Kosova.

Mjaftonte të përcilleshin tri fushatat që na bënë të dilnim katër herë për të votuar: me programe politike pro-forma, me premtime koti, shumë syresh të parealizueshme, me intensitet propagande të përqendruar rreth liderëve dhe marrëveshjet e çastit të fundit për kthimin e votës militante në favor të një kandidati, për ta shndërruar në borxhli. Kah fundi, nisën edhe këngët për liderin.

* * *

Ne që jemi rritur në kohën kur i këndohej liderit të gjithëdijshëm e dimë se çfarë domethënieje ka trushpërlarja. E dimë edhe sa mund duhet për ta shpërlarë trurin nga shpërlarja ideologjike. E dimë se çfarë do të thotë frika e ndrydhja, por e dimë edhe çka do të thotë çlirimi.

E ndrydhje më të madhe sesa cirku rreth konstituimit të Kuvendit që na e hëngri thuajse gjithë vitin nuk ka pasur. Loja e shpifur e fajësimit dhe bartjes së përgjegjësisë nga njëra palë te tjetra flisnin për papjekurinë e secilit prej tyre, dikush më shumë e dikush më pak. Papjekurinë për të mos qenë në gjendje të kuptojnë se shteti është shumë më i rëndësishëm sesa sedra e tyre, e sidomos më i rëndësishëm sesa interesat e tyre të ngushta personale të përcjella nga përfitimet që shumë mirë kanë ditur t’i kurdisin pararendësit e tyre, po aq shpirtngushtë.

Manipulimi i pafund me Kushtetutën e ligjin dhe interpretimi i lirë i dispozitave juridike sipas tekeve e qejfeve vetëm sa e brishtoi edhe me një sistem juridik që edhe ashtu ka shumë të meta me shumë pasoja. E krijoi një situatë të zgjatur të përkohshmërisë, sikur të ishim një “shtet i përkohshëm”, siç e kishte përkufizuar një ministër me dy shtetësi. Shtet që na kushtoi shumë për ta krijuar. Aq shumë sa do të duhej të ishim tejet të marrë ta lëmë të na ikë duarsh.

E mund të na ikë, nëse politikanët oportunistë mbesin të paprekshëm.

* * *

Për shkak të vitit të shkuar, po hyj në 2026-n me një shije të hidhur zhgënjimi në kufi me dëshpërimin.

Sivjet brezi im do ta kremtojë 45-vjetorin e maturës – në kohën kur ne do të duhej të mendonim se si ta mbërrijmë moshën e pensionit, që na troket te dera, me sa më shumë shtendosje dhe me ëndrra për një jetë të qetë, e shpresojmë edhe të gjatë, pa telashe dhe me dëfrim.

Do ta kremtojë duke e gjetur veten në një shtet që nuk është në gjendje ta krijojë sisteme pensionale e shëndetësore; në një vend ku librat shërbejnë për t’i zbukuruar dollapët; ku të rinjtë vendosin të mos kenë fëmijë sepse nuk kanë si t’i mbajnë ku e gjithë jeta na reduktohet në “a e ndive çka tha ky, e çka tha ai” – pa e përjetuar një agim në të cilin zgjohesh pa dhembje të kresë, sepse e sheh që edhe ty, në këtë moshë, të mbyllet perspektiva.

* * *

E një fije shprese megjithatë është aty. Po ajo shpresë që na e ka dhënë fuqinë të kalojmë nëpër faza shumë më të rënda, sepse e kemi ditur se ka më mirë.

Kurse e mira nuk ka skaj.

Vetëm duhet zënë hapin.

Gëzuar!

 

[email protected]