OpEd

Le të fitojë më i miri

E nga ajo që po mund ta kuptoj këtyre ditëve është se rrugëtimi i të qenit "antiamerikan" po zgjatka po aq sa zgjat rënia nga pozita qeverisëse në opozitë. Pra, të gjithë ata që këtyre ditëve po trumbetojnë se nuk kanë vota për zonjën Vjosa Osmani, me plot të drejtë e kanë që të mos e votojnë atë po deshën, mirëpo obligimin kushtetues dhe detyrën me të cilën i ka ngarkuar qytetari e kanë që të qëndrojnë në sallën e Kuvendit dhe ta kryejnë punën e tyre prej deputeti për të cilën paguhen. Natyrisht, gjithmonë e kanë edhe mundësinë e emërimit të një kandidati të tyre për postin e presidentit dhe le të fitojë më i miri. Koha e pazareve të natës, terminaleve, emërimeve të ambasadorëve, kushtëzimeve të ndryshme politike dhe përfitimeve të tjera për zgjedhjen e presidentit ka perënduar

Kosova gradualisht po e përmbyll ciklin e zgjedhjes së institucioneve të saja, pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 Shkurtit. U konstituua Kuvendi, si dhe u zgjodh Qeveria në krye me kryeministrin Albin Kurti.

Tash në radhë ka mbetur edhe zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës dhe me këtë përmbyllet cikli i formimit të të gjitha institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, a do të shkojë përzgjedhja e pretendueses për postin e presidentes, zonja Vjosa Osmani, aq lehtë dhe në fakt a do të mund të zgjidhet ajo fare, nëse bazohemi në deklaratat politike të partive të mbetura në opozitë e të cilat me moszgjedhjen e saj do të mund ta dërgonin vendin në zgjedhje të reja të parakohshme. Është folur mjaft dhe janë bërë me dhjetëra emisione me "analiza" të kësaj situate në debatet politike televizive, pjesa më e madhe e të cilave janë thjesht shterpe, kakofoni zërash të paartikuluar nëpër studiot televizive dhe abuzim me paratë e taksapaguesit nëse i referohemi transmetuesit publik, RTK-së.

Por e kuptoj se në një Kosovë me një papunësi aq të lartë honorarët janë të mirëseardhur dhe, siç do të thoshin të moçmit e shtetit nikoqir në të cilin unë jetoj: "there is no business like show business" (nuk ka biznes më të mirë sesa show biznesi).

Përndryshe është e pamundur ta shpjegosh faktin se si është e mundur që së paku 7 televizione me frekuenca nacionale çdo natë, duke filluar nga ora 8:00 e deri diku pas mesnate transmetojnë debate politike, me "analistë", si dhe mysafirë, karaktere të konsumuara politike apo mediatike.

Edhe Pavarottin me ta servu 7 televizione me nga 1,5 - 2 orë çdo ditë druaj që të zgjon irritim e ndoshta edhe ndonjë alergji të pazbuluar nga shkenca e mjekësisë, prej muzikës operistike.

Mirëpo të kthehemi te gjendja faktike rreth përzgjedhjes së presidentit nga Kuvendi i Kosovës dhe partitë politike aty, respektivisht përfaqësuesit e votuesve dhe popullit, në Kuvend.

Para zgjedhjeve Ramush Haradinaj dhe partia e tij ishin të parët të cilët dolën me ofertën për Ramush Haradinajn president. Sipas deklaratave të vetë Haradinajt dhe anëtarëve të AAK-së, zgjedhja tij do të sillte stabilitet dhe qëndrueshmëri për shtetin e Kosovës.

Në anën tjetër, pas bashkimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje dhe listës "Guxo" të zonjës Vjosa Osmani, edhe ky binom politik ofertën e vet parazgjedhore e bazoi në përzgjedhjen e Albin Kurtit për kryeministër, si dhe Vjosa Osmanit për presidente në mënyrë që vendi të udhëhiqet me duar të pastra, ta luftojë korrupsionin, si dhe ta vazhdojë rrugëtimin e vet në përmbushjen e standardeve dhe obligimeve për inkuadrimin e Kosovës në proceset dhe rrugën evropiane, si dhe interesave atlantike.

LDK-ja nuk kishte ofertë dhe as kushtëzim mbi kandidatin për president ashtu siç e pati në tetor të vitit 2019, ku pas zgjedhjeve dhe gjatë formimit të koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje e zvarriti me muaj të tërë atë proces duke insistuar nga VV-ja që marrëveshja e tyre e koalicionit të përfshinte edhe mbështetjen e VV-së për zgjedhjen e pretenduesit për pozitën e presidentit në Kuvend, njëherë pasi që t’i kalonte mandati presidentit të atëhershëm Hashim Thaçi.

E që nga atëherë nga kampi i LDK-së kemi dëgjuar edhe deklarata të tilla si: "presidenti i takon PDK-së, presidenti duhet të jetë konsensual e të ngjashme".

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 Shkurtit nuk ka pasur ofertë kandidature për president, përveç asaj për bartësin e listës së saj dhe për postin e kryeministrit, si dhe programit të tij se si të udhëhiqej Kosova gjatë mandatit të tij, zotëri Enver Hoxhaj.

Kjo ishte një përmbledhje e shkurtër mbi atë se çka ofruan dhe premtuan partitë politike para zgjedhjeve të 14 Shkurtit.

E dimë se Kosova ka sistem parlamentar dhe faktikisht në zgjedhjet qendrore nuk votohet as për president e as për kryeministër. Votohet vetëm për deputetë, të cilët do të jenë përfaqësues të popullit në Kuvend e të cilët më pas do t’i zgjedhin edhe kryeministrin e edhe presidentin në Kuvend me anë të votimit të definuar me Kushtetutë për secilin post.

Ofertat e partive politike mbi bartësit e listave të tyre për pozita të kryeministrit apo edhe ofertat e tyre për kandidatët e tyre për pozitë të presidentit mbas vete vetëm bartin atë anën e legjitimitetit nga ana e votuesit mbi kandidaturën e tyre, por jo edhe aktin e zgjedhjes, akt i cili i takon ekskluzivisht Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Zgjedhjet përfunduan me rezultatin përfundimtar: LVV 50,28%, PDK 17%, LDK12,7% dhe AAK me 7,1%.

Këto janë rezultatet e arritura të partive politike nga 48% e votuesve të regjistruar, të cilët iu përgjigjën ftesës për të falë në zgjedhje.

Pra, çfarëdo interpretimi që ua bëjmë këtyre rezultateve pa ngarkesa partiake politike mbi kokë na lë të kuptojmë se zgjedhjet e fituara nga ana e VV-së janë sikur një fitore e një referendumi, ku më shumë se gjysma e qytetarëve, të cilët kanë votuar, kanë votuar për një opsion të caktuar.

Dhe cili rezulton të jetë legjitimiteti i dalë nga këto zgjedhje? Rezulton në faktin që Albin Kurti të jetë kryeministër i Qeverisë së Kosovës, si dhe që Vjosa Osmani me 300,000+ votat e saja nga zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021 të jetë kandidatja e VV-së pretenduese për presidente të Republikës së Kosovës.

Rregullat kushtetuese mbi përzgjedhjen e presidentit në Kuvend janë shumë të qarta. Zgjedhja e presidentit në Kuvend bëhet në tri raunde. Dy raundet e para duhet të jenë 80 vota (pa marrë parasysh se a janë ato pro, kundër apo abstenime në kutinë e votimit). Në raundin e tretë mund të zgjidhet presidenti me një shumicë të thjeshtë, d.m.th. 61 vota pro.

Tani këtu në këtë pikë fillojnë lojërat dhe blofet politike të partive politike.

Çdo ditë i dëgjojmë deklaratat e protagonistëve të PDK-së dhe AAK-së se ata as nuk kanë votë e as kuorum për pretenduesen për presidente zonjën Vjosa Osmani. Që d.m.th. se ata e japin mundësinë e mosqëndrimit në sallë për mos t'ia bërë kuorumin asaj për presidente. Me rastin e moszgjedhjes së kandidates për presidente vendi shkon në zgjedhjet e parakohshme. Qeveria e sapoemëruar bëhet qeveri në detyrë dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Mirëpo nuk duhet harruar faktin se ushtruesi i detyrës së presidentit, z. Glauk Konjufca, ka mandat për ta ushtruar atë detyrë deri më 5 maj 2021, dhe pas asaj date Kushtetuta nuk posedon asnjë nen se si të procedohet tutje. Kosova do të hynte në një udhë të paudhë kushtetuese, e cila do të mund të sillte situata që ne as nuk mund t’i dimë.

Të kthehemi edhe pak tek historiku politik, i cili e përcolli pretenduesen për presidente nga zgjedhjet e tetorit 2019 e deri këto të fundit të 14 Shkurtit 2021. Ajo në zgjedhjet e Tetorit 2019 ishte bartëse e listës për pozitën e kryeministrit nga ana e partisë ku ajo asokohe ishte anëtare dhe njëra ndër nënkryetaret e saj. Në ato zgjedhje ajo si pretenduese për kryeministre kishte edhe ofertën e saj politike nga posti i kryeministres së një qeverie të re, si dhe politikat partiake nga partia nga e cila ajo po vinte.

Njëri nga premtimet ishte edhe koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje pas rezultateve të zgjedhjeve. Kur ato përfunduan rezultuan me një fitore të ngushtë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilës i takoi pozita e kryeministrit dhe i cili u zgjodh me votimin e deputetëve të VV-së dhe partnerit të saj të koalicionit - LDK-së. Mirëpo këtu fillojnë edhe çarjet e "para" në mes të këtij koalicioni. LDK-ja vazhdonte që ta kërkonte mbështetjen blanko nga ana e VV-së për kandidaturën për president nga ana e LDK-së (e që terreni i përgatitej kandidaturës së Isa Mustafës), VV-ja ua ofronte pozitën e kryekuvendarit, por LDK-ja deklaronte se ajo pozitë nuk është fare e rëndësishme. Me atë rast VV-ja e ofroi emrin e Glauk Konjufcës për pozitën e kryekuvendarit dhe ai u zgjodh në atë pozitë. LDK-ja, e cila u vu para një akti të kryer tashmë u tërbua fare se si është e mundur që partneri i koalicionit t'ia merrte asaj pozitën, e cila do t’i takonte zonjës Osmani. Më pas Glauk Konjufca jep dorëheqjen nga pozita e kryekuvendarit për t'ia lëshuar vendin zonjës Osmani.

Pas emërimit dhe votimit të zonjës Osmani në postin e kryekuvendares ajo vazhdon me premtimet të cilat ia kishte bërë elektoratit, edhe pse tashmë ajo nuk ishte në pozitën e kryeministrit, por premtimet e saja kishin përfshirë edhe premtimet në emër të LDK-së, të cilat përfshinin pika të përbashkëta me Vetëvendosjen, siç ishin p.sh. reciprociteti ndaj Serbisë, ndër të tjerash.

LDK-ja ngadalë dhe sigurt po ua kthente shpinën premtimeve të bëra ndaj elektoratit të saj në tetor 2019 dhe po e fillonte një udhëtim tashmë të njohur dhe të teledirigjuar nga prapaskena nga binomi Thaçi/Mustafa.

Koalicioni ndërmjet VV-së dhe LDK-së nuk kishte aspak sinqeritet e as partneritet të mirëfilltë që nga fillet e saja dhe në rastin e parë oportunistik LDK-ja ngre mocion kundër Qeverisë, pjesë e së cilës ishte vetë që ta rrëzonte atë. Këto veprime tensionuan edhe më shumë raportet midis zonjës Vjosa Osmani dhe partisë së saj. Ato e arritën kulmin kur kryetari i partisë kërkoi nga anëtarët e Kryesisë së partisë që të votonin në e-mail adresën e tij mbi përjashtimin apo mospërjashtimin e zonjës Osmani nga të gjitha pozitat në kuadër të partisë. Se kush si e ka votuar atë askush asnjëherë nuk e pa, mirëpo kryetari i atëhershëm i LDK-së, Isa Mustafa, doli me një njoftim në Facebook mbi vendimin me vota të fshehta për përjashtimin e Vjosa Osmanit nga të gjitha funksionet partiake. Sot dëgjojmë zëra nga eksponentët e LDK-së se ajo është larguar nga partia dhe nuk është përjashtuar. Nuk e quajnë rastësisht politikë.

Ku gjendemi tash?

Sot LDK-ja është e përgjysmuar nga LDK-ja e zgjedhjeve të tetorit 2019. Ajo e ka zgjedhur kryetarin e saj të ri zotëri Lumir Abdixhiku, i cili sigurisht se do të jetë në një presion të hatashëm të partiakëve të vet e të mos flasim për oponentët politikë, të cilët LDK-në do të dëshironin ta shihnin sikur një parti të shuar dhe blofet e presionin e tyre politik nuk do ta ndalin deri në ditën e votimit të kandidatëve për president.

Nga ana tjetër, edhe presioni nga vendet e QUINT-it, si dhe nga Ambasada e Qeverisë Amerikane është që Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe nuk ka aspak arsye për të shkuar në zgjedhje të reja të parakohshme. Ata nuk e imponojnë votimin për ndonjë kandidat të caktuar, mirëpo e imponojnë zbatimin e procedurës për përzgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

E nga ajo e cila po mund ta kuptoj këtyre ditëve është se rrugëtimi i të qenit "antiamerikan" po zgjatka po aq sa zgjat rënia nga pozita qeverisëse në opozitë.

Pra, të gjithë ata që këtyre ditëve po trumbetojnë se nuk kanë vota për zonjën Vjosa Osmani, me plot të drejtë e kanë që të mos e votojnë atë po deshën, mirëpo obligimin kushtetues dhe detyrë me të cilën i ka ngarkuar qytetari e kanë që të qëndrojnë në sallën e Kuvendit dhe të kryejnë punën e tyre prej deputeti për të cilën paguhen. Natyrisht, gjithmonë e kanë edhe mundësinë e emërimit të një kandidati të tyre për postin e presidentit dhe le të fitojë më i miri.

Koha e pazareve të natës, terminaleve, emërimeve të ambasadorëve, kushtëzimeve të ndryshme politike dhe përfitimeve të tjera për zgjedhjen e presidentit ka perënduar.