OpEd

Kur oportunizmi vlen më shumë se shteti

Kosova rich country! Për politikanët dhe “përfaqësuesit e popullit”, po. Por jo për masën e gjerë. Dhe është tepër cinike të thuhet se nuk ka krizë ekonomike e të thuhet se mund të ketë “krizë sociale”. Quaje si të duash, jetesën e rënduar, që është pasojë e drejtpërdrejtë e krizës politike, e vuajnë qytetarët. E vuan Kosova

Pra, asnjë befasi.

VV-ja nuk e pati seriozisht kur e kandidoi Konjufcën për kryeministër. Donte t’i fitonte edhe dy javë kohë, për t’i çuar zgjedhjet në fund të vitit, kur mund të llogaritet në prezencën e mërgimtarëve. I fitoi dy javë dhe e “fitoi” datën e dëshiruar: 28 dhjetorin.

Opozita nuk lëshoi pe, sepse nuk deshi të poshtërohej në terrenin e lojës, edhe një herë, nga VV-ja. Tashmë shtatë muaj me radhë u detyrua të vepronte siç deshi VV-ja, që e shfrytëzoi paqartësinë rreth afatit të konstituimit të Kuvendit, ngase e dinte se nuk i kishte votat për qeveri.

Dhe, që nga përfundimi i zgjedhjeve të shkurtit, VV-ja nuk e bëri as përpjekjen më të vogël për të gjetur bile një marrëveshje transitore me ndonjërën parti politike (pos me Nismën, me vota të pamjaftueshme e me apetite të mëdha) për t’i gjetur zgjidhje çështjes së buxheteve dhe të parave të BE-së.

Qartazi, donte ta shfrytëzonte si atu zgjedhore: “ja, ne i krijuam të gjitha kushtet, por opozita nuk deshi. Pra, për shkak të opozitës nuk ka buxhet, nuk ka para nga Evropa”.

Rezultati final – luftë e pafund inatesh, me përpjekjen e përhershme të fajësimit të asaj pale tjetër, me rritje të pakontrolluar cinizmi dhe një polarizim i skajshëm i shoqërisë, që militantët e VV-së e përkufizojnë si: “ose me VV-në, ose kundër saj”.

* * *

“Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Rritja ekonomike në çerekun e dytë sivjet ka qenë 4.58 për qind të bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha kryeministër e tash edhe sa jam në detyrë, asnjëherë rritja nuk ka qenë nën 4 për qind. Rritja ekonomike është 6 për qind. Prandaj s’ka protesta të qytetarëve, por vetëm ankesa të opozitarëve. Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Po rrezikojmë krizë sociale nga kriza buxhetore e financiare për shkak të keqpërdorimeve të procedurave. Le të mos keqpërdoren procedurat. Le të jemi në nivel të përgjegjësisë si përfaqësues të popullit, por edhe si zyrtarë të shtetit, si dikush që personifikon dhe ndërton imazhin e shtetit të pavarur si republikë demokratike”, tha Kurti në Kuvend, në seancën e jashtëzakonshme thirrur nga kryetari i Kuvendit pa kaluar nëpër kryesi.

Jo, krizë ekonomike nuk ka për 120 deputetët, asistentët e tyre dhe krejt shërbyesit civilë e publikë që paguhen nga buxheti i Kosovës, e të cilin kryesisht e siguron sektori privat.

Rrafsh dy milionë euro i kanë shkuar Kosovës për t’i paguar deputetët dhe asistentët e tyre që nuk e kanë kryer asnjë punë të vetme qe shtatë muaj. Krejt këta, të cilëve u ka rënë lotaria me t’u zgjedhur në Kuvend, do të kenë të drejtë t’i marrin edhe nga dymijë euro në muaj edhe një vit që nga dhjetori, po qe se mbesin pa punë.

Po e kam përshtypjen se asnjëri nga ta nuk do të dojë të gjejë punë tjetër: ku tjetër mund të gjendet luksi i rrogës së majme katërshifrore për një punë ku nuk duhet ta përdorësh trurin (po qe se ke kapacitet për të menduar), ngase tjetërkush vendos për të. E në rastin më të mirë, do të donin të garonin sërish, për t’u rehatuar në Kuvend për aq sa të zgjatë mandati. Çerek mandati a gjysmë mandati, njësoj: prapë do të kualifikohen për 12 muaj rrogë pa punuar fare.

* * *

Kosova rich country!

Për politikanët dhe “përfaqësuesit e popullit”, po. Por jo për masën e gjerë. Dhe është tepër cinike të thuhet se nuk ka krizë ekonomike e të thuhet se mund të ketë “krizë sociale”. Quaje si të duash, jetesën e rënduar që është pasojë e drejtpërdrejtë e krizës politike, e vuajnë qytetarët. E vuan Kosova. Dhe jo, as pagesat e njëhershme zgjedhore nuk do ta zgjidhin problemin.

Pushteti, edhe pse zyrtarisht “në detyrë” – nuk lë vend pa përsëritur se si është rritur numri i të punësuarve në Kosovë. Por, në asnjë vend të vetëm nuk del të tregojë se çfarë rroge marrin këta të punësuar. Kjo, nëse i marrin, dhe kur i marrin.

Është skajshmërisht e lehtë për politikanët të flasin përralla për zhvillim e përparim, sepse ata vetes ia rrisin rrogat kur të duan, dhe nuk u bën vaki që të mbesin pa pagë, për shkak se thesari kurrë nuk rri i zbrazët.

Të thuash se nuk ka krizë, sepse populli nuk proteston, është ftesë për të dalë në rrugë e për ta bërë edhe më të nderë gjendjen. Por kur kjo të ndodhë një ditë, që mund të mos jetë shumë e largët, le ta quajnë krizë sociale për shkak të procedurave apo çfarëdo u bie ndërmend – dhe prapë do të jetë krizë ekonomike. Madje e mbijetesës.

* * *

Në seancën e jashtëzakonshme, a priori të kurdisur për të dështuar, Kurti e tha edhe këtë: “Nëse shkojmë në zgjedhje, këto mjete pra 90 milionë euro (nga Plani i Rritjes dhe Marrëveshjes për reforma me Bankën Botërore) për të cilat ne kemi punuar e angazhuar, do të humbin, sepse ka shumë shtete tjera që presin me krahë të hapur financim të tillë”.

Fajin kryesor për humbjen e këtyre milionëve me 0% kamatë, e kanë pikërisht Kurti dhe partia e tij. Në dorën e Kurtit kanë qenë dy gjëra: zgjedhja e kryeparlamentarit pa e tjerrë kandidimin e Albulena Haxhiut dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme në verë. Edhe në verë do të kishte ardhur diaspora, dhe shumë gjëra ishin qartësuar që atëherë. Nuk do të vinim në situatën kur mund të mbetemi edhe pa paratë e falura e edhe pa ato që vetë i “prodhojmë” me shumë mund, e të cilat më pas ministri interpretues i Kushtetutës i shpërndan me lehtësi të padurueshme.

Por jo. I gjithë skenari ka qenë të ketë qeveri në detyrë sa më gjatë që është e mundur, që të kalonin edhe zgjedhjet komunale, ashtu që më pas të afroheshim te pika ku duhet zgjedhur kryetarin e shtetit. E që eventualisht të plaste edhe një krizë e radhës. Të cilën nuk do ta përjashtojmë, nëse paragjykojmë se rezultatet e zgjedhjeve të radhës mund të jenë të ngjashme me ato të shkurtit.

* * *

Partitë që ishin opozitare deri në zgjedhjet e shkurtit të sivjetmë, njësoj ranë në provim këtë javë.

Edhe ato treguan se më shumë u intereson pushteti sesa mirëqenia e qytetarëve. Për dallim nga VV-ja e cila u dëshmua absolutisht e painteresuar për t’ua kërkuar votën për qeverinë transitore të Konjufcës, ato megjithatë kanë mundur ta votonin atë. Dhe me këtë akt, do të hapnin rrugë për formimin e komisioneve të nevojshme për t’i kaluar çështjet më urgjente që mbetën varur në ajër.

Por jo.

Edhe ato kanë kalkuluar se do të mund ta shfrytëzonin elanin e zgjedhjeve komunale, për të fituar ndonjë votë më tepër në këto të rejat qendrore, për ta ndërruar pak pasqyrën politike në vend. Me shpresën se mund ta qesin VV-në në opozitë, po qe se disi, do të bëheshin bashkë.

Krejt palët pa asnjë dallim, treguan se nuk e kishin fijen e turpit. E me këso parti, e kësi politikanë (pa asnjë përjashtim në të dyja rastet), kujt i vyejnë armiqtë? Mjerim!

* * *

Fushata zgjedhore, në letër, do të zgjasë 12 ditë. Po qysh dje, tashmë ia nisën aderimet, e kanë nisur edhe postimet me pagesë në FB. E dyshoj shumë se do të ketë ndonjë program politik – po edhe nëse do të ketë, fort e dyshoj se dikush do të joshet t’i votojë përrallat që i thuhen, kur e di se në fund, programi politik i cilësdo parti këtu është si të bëhet me pushtet e ta mbajë atë, pavarësisht çmimit që do ta paguajnë qytetarët.

Çështje tjetër do të jetë nëse votuesit do të dalin të votojnë. Për qejfet e politikanëve kosovarë, Kosova tashmë i harxhoi 8 milionë në shkurt, nja 10 milionë në tetor (ani pse ishin zgjedhje të rregullta) e tash do t’i shpenzojë edhe nja 8 milionë – thuajse bëhet fjalë për bonbone. Këta 8 milionët e fundit të vitit shpenzohen kot së koti – sepse i gjithë rrëfimi ka mundur të ishte ndryshe.

Por, politikanët nuk deshën. E ne heshtëm.

[email protected]