Showbiz

Chris Brown në gjykatën e Londrës para gjykimit që pritet të nisë në tetor

Chris Brown

Chris Brown

Foto: Associated Press

Këngëtari amerikan, Chris Brown, është paraqitur në një gjykatë në Londër, në prag të gjykimit që pritet të nisë në muajin tetor, lidhur me akuzat për një sulm të dyshuar ndaj një producenti muzikor në një klub nate në kryeqytetin britanik, ka raportuar Reuters.

Sipas autoriteteve britanike, Brown, akuzohet për tentim për shkaktim të dëmtimit të rëndë trupor, si dhe për një akuzë më të lehtë për sulm që ka shkaktuar lëndime fizike.

Prokuroria e ka përshkruar ngjarjen si një “sulm të paprovokuar” me shishe, i cili dyshohet se ka ndodhur në vitin 2023.

Këngëtari i ka mohuar të gjitha akuzat.

36-vjeçari u paraqit të mërkurën në Gjykatën e Londrës, ku foli vetëm për ta konfirmuar identitetin e tij.

Ai u pa duke shtrënguar duart me të pandehurin tjetër, Omololu Akinlolu, 39-vjeçar, i cili gjithashtu i ka mohuar akuzat.

Në sallën e gjyqit ndodheshin dhjetëra mbështetës, të cilët e përshëndetën Brownin ndërsa ai largohej nga banka e të akuzuarve.

Gjykimi për këtë çështje pritet të nisë në muajin tetor, ndërsa një seancë tjetër paraprake është caktuar për në muajin prill.

Dy të akuzuarit janë liruar me kusht.

Brown ishte liruar me kusht në muajin maj të vitit të kaluar, pasi kishte paguar një garanci prej 5 milionë funtesh britanike, gjë që i mundësoi atij të vazhdonte turneun e tij “Breezy Bowl XX”, i cili përfundoi në muajin tetor.

Këngëtari i muzikës R&B, fitues i dy çmimeve “Grammy” dhe i njohur për hitet “Loyal”, “Run It” dhe “Under the Influence”, ishte arrestuar në një hotel në Manchester, në veri të Anglisë, pasi ishte kthyer në Britani për herë të parë që nga incidenti i dyshuar.