Botë

Dënohet ish-senatori francez pasi e drogoi një deputete për të abuzuar seksualisht me të

ish-senator

Një ish-senator francez është dënuar me katër vjet burgim pasi është shpallur fajtor se e ka droguar një deputete me qellim që ta sulmonte seksualisht.

Joel Guerriau do të vuajë 18 muaj të dënimit  në burg, ndërsa është urdhëruar t’i paguajë Sandrine Jossos 5.000 euro dëmshpërblim për shkaktimin e vuajtjes emocionale.

68-vjeçari dyshohet se në nëntor të vitit 2023 e kishte ftuar Josson, deputete e Asamblesë Kombëtare Franceze, në banesën e tij në Paris, ku kishte pranuar se i kishte hedhur drogë në pije.

Guerriau, i cili kishte shërbyer si senator i rajonit Loire-Atlantique nga viti 2011  deri më 2025, ka pretenduar se veprimi ishte aksidental dhe se nuk kishte asnjë qëllim për ta sulmuar seksualisht. Avokatët e tij kanë paralajmëruar ankimim ndaj vendimit, shkruan The Independent.

Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga mediat franceze, Josso e kishte vizituar shtëpinë e  Guerriaus për të festuar rizgjedhjen e tij, kur filloi të ndihej keq pasi kishte pirë një gotë shampanjë.  

Pija kishte shije të pazakontë dhe Josso, 50-vjeçare, fillimisht kishte menduar se “ndoshta ishte shampanjë e prishur”, por kur Guerriau këmbënguli që të ngrinin edhe një dolli tjetër, ajo u alarmua.

Ajo vuri re se rrahjet e zemrës i ishin përshpejtuar dhe u largua nga banesa, pastaj shkoi në spital me ndihmën e një mikut të saj.  Raporti toksikologjik zbuloi se në trupin e saj kishte tre më shumë MDMA apo ekstazi sesa doza rekreative.

“Shkova për të vizituar një mik dhe zbulova një agresor”, ka deklaruar Josso gjatë dëshmisë së saj të hënën. “Ai më shikonte me ngulm, nuk e kisha parë kurrë në atë mënyrë. Nuk doja ta tregoja dobësinë time sepse kisha frikë se nëse i thosha që nuk ndihesha mirë do të më detyronte të shtrihesha”, ka thënë ajo.

Guerriau ka deklaruar se në atë periudhë po kalonte një gjendje të rënduar të shëndetit mendor dhe vuante nga depresioni. Ai ka pretenduar se kishe ndërmend ta merrte vet drogën një natë më parë dhe se aksidentalisht ia kishte hedhur Jossos.

“Me pak fjalë, jam një idiot”, ka thënë ai.

“Ndjej keqardhje. Jam i neveritur nga vetja, nga pakujdesia dhe budallallëku im”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se dëshiron të flasë publikisht për rreziqet e drogave, duke thënë se “nuk flitet mjaftueshëm për efektet e këtyre substancave”.

Ish-senatori ka deklaruar se nuk mban mend të ketë bërë kërkime në internet rreth ekstazisë, duke thënë se “ishte në tren dhe mendime thjesht  vijnë”, si dhe ka shtuar se anëtarët e qeverisë duhet të tregojnë interes për “të gjitha ngjarjet aktuale”.

Josso është detyruar të marrë gjashtë muaj pushim nga puna pas ngjarjes dhe i janë nxjerrë katër dhëmbë për shkak të shtrëngimit të nofullës nga stresi.

Prokurori Benjamin Coulon ka theksuar se Guerriau kishte votuar vetë për ligjin që e bën vepër penale administrimin e një substance të dëmshme me qëllim kryerjen e përdhunimit apo sulmit seksual.

“Ajo që kam përjetuar është ende shumë e dhimbshme”, ka thënë Josso. “Trauma psikologjike është sikur të jesh e ngrirë në kohë… trembem për gjënë më të vogël. Jam bërë shumë e ndjeshme”.