"Qysh prej kohësh, kur ne ia shitëm votën tonë kurrkushit, populli ka abdikuar nga detyrat e tij"
1.
Në një fshat të Shalës, gjatë luftës së fundit, forcat serbe kishin ndërhyrë dhe kishin vrarë disa anëtarë të paarmatosur të një familjeje; në opinionin publik u dhanë emrat e të vrarëve dhe rrethanat e ngjarjes, me pedanterinë me të cilën u shënua edhe kjo masakër e radhës e forcave serbe.
Pas disa vjetësh, kur nga kjo ngjarje duhej përgatitur lëndë dëshmie për padi të krimeve të luftës, familjarët pranuan se anëtarët e tyre qenë vrarë, por nuk pranuan se ishin vrarë si civilë të paarmatosur. Ata këmbëngulën se familjarët e tyre ishin pjesëtarë të UÇK-së, anëtarë të filan brigade dhe se ishin vrarë në luftim e sipër me forcat serbe.
Për familjen e Shalës që ndërroi rrëfimin ekzistoi një motiv shumë më i fortë se ai i thurjes së legjendave të paqena. I afërmi i tyre i vrarë si civil i paarmatosur hynte në kategori të vajtimit; do të përkujtohet një herë në vit si emër dhe statistikë, si një më shumë në listën e të masakruarve. I afërmi i tyre i vrarë me uniformë të UÇK-së dhe me pushkë në dorë do të meritonte statusin e luftëtarit të rënë për liri, rrjedhimisht edhe pensionin gjegjës.
Familja e Shalës, e varfëruar ekonomikisht edhe më me vrasjen e meshkujve të tyre, zgjodhi që në vend të një drejtësie të largët dhe abstrakte, që do të dëshmonte se filan komandanti i forcave serbe kishte urdhëruar të vriteshin të gjithë meshkujt shqiptarë, të merrte kompensimin konkret për viktimizim, pensionin e luftëtarit.
2.
Do të quhej kalim kufiri moral ai i kalimit imagjinar prej viktimës së paarmatosur në atë të dëshmorit të kombit, siç ndodhi në Shalë. Por, familja e Shalës nuk bëri ndonjë përjashtim prej ndërrimit kolektiv të diskursit në Kosovë. Gjatë luftës ishte një popull i përndjekur, i dhunuar e i vrarë,i dëbuar prej vendit të vet për t'u bërë pas luftës, me nevojën për rrëfim tjetër, një popull imagjinar që e çliroi vendin e vet. Në këtë rrëfim imagjinar çdo ditë shtohen betejat historike, figurat legjendare dhe numri i veteranëve që kanë luftuar.
Ekziston një arsyetim i fortë moral, bile, për familjen e Shalës. Ajo pati meshkuj të vrarë, me apo pa pushkë, dhe e kërkoi pensionin. Përse të mos bëhet një gjë e tillë ndërkohë që as njëzet vjet pas lufte, prej njëmbëdhjetë mijë pjesëtarëve të UÇK-së që ishin të regjistruar, vendi tashmë ka pesëfish më shumë të tillë që kërkojnë pensionin e veteranit të UÇK-së?
Pesëfishimi i numrit të veteranëve kryen dy funksione të nevojshme: rrit numrin e atyre që rrëfejnë se si e kanë çliruar Kosovën (pra, orvelliançe, janë më të barabartë se të tjerët) dhe njëkohësisht krijon mundësi për pagesën e 40 mijë rrogave plotësuese atyre që kanë nevojë.
3.
Edhe veteranët fals kanë një arsyetim moral, të fortë madje. Përse të mos kenë të drejtë të marrin pension veterani kur ishin në filan fshat apo qytet, afër kësaj apo asaj beteje të lavdishme; a nuk ishim të gjithë në luftë? Për më tepër, përse të mos kenë të drejtë të marrin pensione veterani kur nuk u punësuan, si ata të tjerët, në KEK, PTK , RTK, Aeroport, “Trepçë” në "rrogë të shtetit"? Nëse raporti mes të punësuarve të nevojshëm dhe atyre "fals" në KEK , PTK, RTK e kështu me radhë është 1:5, përse qenka problem raporti mes luftëtarëve të vërtetë dhe atyre fals, kur vjen radha tek pensionet?
Nuk është problem. Siç u pa, që nuk ka qenë problem rritja e rrogave sa herë janë afruar zgjedhjet, me gjithë vlerësimet e FMN-së e të ekspertëve ekonomikë se kështu rrezikohet stabiliteti makroekonomik i vendit dhe gjëra të tjera të komplikuara.
Në botën e komplikuar të FMN-së dhe ekspertëve ekonomikë, një vend nuk mund të japë pensione për veteranë fals, të rrisë rroga pa rritje ekonomike, të punësojë pa kurrfarë kriteri ekonomik njerëz në ndërmarrje publike...
Por, në botën e thjeshtë të pushtetarëve në Kosovë, të gjitha këto mund të bëhen. Siç do të konstatojë këto ditë një lider sindikal i arsimit, kur iu shpjegua se nuk ka para për kërkesat e tyre: E si po ka para nga fondi rezervë i Qeverisë për çdo gjë, por nuk ka për ne?
4.
Ndjenja se Qeveria ka një thes parash dhe i shpërndan sipas qejfit, nuk është e pameritë. Pushteti në Kosovë nuk përgjigjet për shpenzimet e bëra: ka harxhuar miliarda euro pa marrë mundin as të informojë Kuvendin, lëre më qytetarin e rëndomtë.
Por, ndjenja se Qeveria ka një thes parash që i shpërndan sipas qejfit, pos që nuk është e pameritë, nuk është as e re. Është regjistruar si ndjenjë diku në shekullin II para erës sonë, nga satiristi romak Juvenali. Asokohe, shkruan ai, një popull që dikur merrej me çështje të mëdha tash "... e kufizon veten dhe shpreson me padurim për vetëm dy gjëra: bukë dhe cirqe".
romakë kishin konstatuar, dy mijë e dyqind vjet para atyre kosovarë, se mënyra se si mbahet një popull është nëse ia shpërndan bukën - me pensione e rroga, me thesin e pafund buxhetor, i cili nëse nuk mbushet nga puna, mbushet nga borxhet - dhe organizon cirqe. Romakët organizonin gladiatorë e luanë, teatër e poezi, kurse këta në Kosovë e kanë shndërruar tërë jetën publike në cirk, sa komik në përmbajtje, aq tragjik në rezultat. Seancat e kota të Kuvendit të Kosovës, temat si demarkacioni, që mbajnë vëmendjen e njëjtë sikur gladiatorët dhe luanët, negociatat me Serbinë, që mëtojnë të zëvendësojnë dramat heroike, përkujtimet e festat e pafund që tejkalojnë Homerin - që të gjitha mbushin vëmendjen e atyre që kanë marrë një copë bukë. Ata që nuk e kanë marrë ende mund të shpresojnë se do të ikin nga këtu sa më shpejt që të jetë e mundur - apo ndoshta të fitojnë copën e bukës nga Qeveria që vjen.
Juvenali, dy shekuj para erës sonë, kishte konstatuar se, edhe pse u ndodhte një gjë e tillë romakëve, mbase ky mësim u shërben edhe kosovarëve:
" Qysh prej kohësh, kur ne ia shitëm votën tonë kurrkushit, populli ka abdikuar nga detyrat e tij".