Në Vushtrri, kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, u ka folur mbështetësve të tij për rezultatet që janë arritur në kushte krize dhe situata të jashtëzakonshme. Tash sipas tij mund të imagjinohet se çfarë mund të bëhet me katër vite pa kriza e me fokus në zhvillim. Në takim me disa biznese të komunave tjera ai ka premtuar mbështetje për sektorin e privat. Për njërën prej tyre ka treguar se si për pesë vjet ka rritur numrin e punëtorëve nga 131 në 264 e qarkullimin nga 26 milionë në 63 milionë euro
Me duartrokitje e brohoritje u prit në Vushtrri, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili synon mandatin e tretë të kryeministrit.
Fjalimin e tij e nisi me “më shumë siguri e më shumë begati e mos lëshoni pe”, e qytetarëve të Vushtrrisë u kërkoi votën për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kurti tha se pavarësisht sfidave me të cilat është përballur Qeveria, është arritur që ato të tejkalohen me sukses.
“Në mandatin tonë më shumë se dy vite gjatë qeverisjes, kemi pasur kriza të njëpasnjëshme dhe situata të jashtëzakonshme dhe as vetëm dy vite nuk i kishim kushtet normale dhe rezultatet ishin të jashtëzakonshme. Tash imagjinoni se çfarë mund të bëjmë me katër vjet pa kriza, me stabilitet dhe fokus në zhvillim. E kemi tejkaluar suksesshëm pandeminë, krizën energjetike, krizën e inflacionit, edhe sulmet e agresionet terroriste të Serbisë. Prandaj më 28 dhjetor votoni Vetëvendosjen”, ka thënë Kurti.
Qytetarëve të Vushtrrisë Kurti u ka premtuar se do të ketë vazhdim të rritjes ekonomike dhe pagave.
Në Fushë Kosovë, Kurti vizitoi një biznes privat me 30 të punësuar. Ai ka folur për përfitimet që sektori privat ka pasur viteve të fundit nga mbështetja financiare e qeverisë
“Produktet e tyre, që i gjejmë në tregun vendor dhe rajonal, janë të licensuara dhe certifikuara sipas standardeve evropiane. Mirënjohje për punën, sipërmarrjen dhe kontributin në ekonomi të bizneseve tona prodhuese, të cilat do ta kenë përsëri mbështetjen e qeverisë edhe në mandatin tonë të ardhshëm”, është zotuar Kurti.
E më herët gjatë ditës së premte ai ka qëndruar edhe tek një kompani e cila nga viti 2020 e deri më 2025 ka dyfishuar numrin e punëtorëve.
“Në vitin 2020 kompania e i kishte 131 të punësuar. Sot ajo i ka 264 punëtorë, rritje prej 100%. 26 milionë euro e kishin qarkullimin vjetor para pesë vitesh, e sot ajo arrin 63 milionë euro. Paga mesatare në kompani ka kapërcyer nga 460 në 737 euro. Kompani e ndan edhe pagën e 13-të, të cilën edhe ne si qeveri do ta ndajmë për sektorin publik në mandatin e ardhshëm, dhe atë qysh në fillim të vitit. Përkrahjen do të vazhdojmë ta rrisim për kompanitë dhe bizneset edhe në katërvjeçarin e ardhshëm, për të qëndruar pranë tyre në çdo hap dhe kontribuar në zhvillimin e tyre”, ka thënë Kurti.
E premtime, ai dha edhe për pensionistët e për të rinjtë.
“Rritja e pensioneve do të vazhdojë me rritjen ekonomike. Por për pensionistët do të bëjmë edhe një program të veçantë, gjyshet edhe gjyshërit të cilët do të kujdesen për nipat e për mbesat, prej moshës 1 – 3 vjeç do të marrin edhe 100euro shtesë mbi pensionin bazik kur punojnë të dy prindërit. Qëllimi ynë është që sa më shumë gra, e sa më shumë nëna të punojnë”.
E, kandidati për deputet nga kjo komunë, Sylejman Meholli, tha se Vushtrria është qyteti të cilit i shkon slogani për begati.
“Vushtrria është qyteti simbol i bujqësisë e prodhimtarisë prandaj sloganet tona mishërohen e bashkohen edhe me Vetëvendosjen, edhe me germën e Vushtrrisë, edhe me germën e Vetëvendosjes”, është shprehur Meholli.
Përveç Vushtrrisë, në ditën e tretë, Lëvizja Vetëvendosje fushatën e vazhdoi edhe në Obiliq e Fushë Kosovë.
Në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, LVV-ja ka dalë fituese. Synon që këtë ta përsërisë edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.