Më kujtohet nga koha kur unë isha zëdhënës i Postë-Telekomit të Kosovës, njëri nga drejtorët e njërës prej shtyllave të kompanisë, kishte kritika të shumta ndaj drejtoreshës së përgjithshme asokohe. Kritikat i shfaqte edhe nëpërmjet artikujve, të cilët i publikoheshin në gazetat ditore të asaj kohe. Më kujtohet sikur sot një titull kur i njëjti drejtor po e kritikonte edhe akuzonte edhe ministrin e Telekomunikacionit asokohe. Titulli në gazeta ishte: "Mustaqe unë, mustaqe ti, por burrnia me lesh nuk matet". Edhe pse nuk më kujtohet saktësisht pjesa e tjetër e artikullit, e as epilogu i artikullit se cila ishte njësia matëse e burrnisë? Çfarëdo që na qenka ajo!
Kabllogramet diplomatike kësaj radhe do t’i mbaj në sirtarin tim dhe nuk do të merrem me interpretimin e kuptimit të tyre diplomatik. Nëse e gjykoni ditarin nga emërtimi i titullit dhe se do të merrem me interpretimin e mulla Shefqet Krasniqit, edhe aty gaboheni.
Mirëpo, ka ardhur koha që edhe unë si ambasador i Republikës së Kosovës dhe përfaqësues i popullit në Facebook, t’i them ca fjalë për pozitën e gruas në shoqërinë tonë.
Nuk jam i mendimit se ne duhet ta lartësojmë gruan, sepse ajo atë punë e bën vetë shumë mirë dhe e vendos veten e vet në atë pozitë të merituar edhe pa ndihmën tonë aspak. Ajo e ka aftësinë, dijen dhe guximin që ta vendosë veten aty ku ajo përket, në piedestalin e shoqërisë sonë. Ajo që ne, si botë mashkullore duhet të bëjmë, është që gruan ta akceptojmë si të barabartë e pastaj ajo vetë, me aftësitë e saj, do të na e dëshmojë se sa ma e fortë, sa më e qëndrueshme dhe se sa më sakrifikuese dhe më luftarake është se secili burrec zhurmaxhi aty nga turma e burrecave.
Më kujtohet nga koha kur unë isha zëdhënës i Postë-Telekomit të Kosovës, njëri nga drejtorët e njërës prej shtyllave të kompanisë, kishte kritika të shumta ndaj drejtoreshës së përgjithshme asokohe. Kritikat i shfaqte edhe nëpërmjet artikujve, të cilët i publikoheshin në gazetat ditore të asaj kohe. Më kujtohet sikur sot një titull kur i njëjti drejtor po e kritikonte edhe akuzonte edhe ministrin e Telekomunikacionit asokohe. Titulli në gazeta ishte: "Mustaqe unë, mustaqe ti, por burrnia me lesh nuk matet".
Edhe pse nuk më kujtohet saktësisht pjesa e tjetër e artikullit, e as epilogu i artikullit se cila ishte njësia matëse e burrnisë?! Çfarëdo që na qenka ajo!
E mendova këtë temë, mirëpo nuk e kisha të qartë se si saktësisht do t’i qasesha kësaj teme.
Do të kthehem përmbas në kohë aty nga vitet ‘80. Ishin vitet kur unë edhe gjenerata ime po i përjetonim vitet tona të pubertetit.
Nga të gjithë shokët e ngushtë të cilët i kisha, Arbeni, Artani, Fatosi, Modesti, Ardiani, Fioreti, e shumë e shumë të tjerë të gjithë kishin motra. Unë ndihesha i hendikepuar në mesin e tyre, pasi që unë nuk kisha motër. U kisha lakmi për atë gjë. Shoqet tona të klasës, apo ato me të cilat u rritëm së bashku nëpër lagjet tona, i respektonim dhe i trajtonim sikur të ishin motra tona. I njëjti respekt dhe relacion vlen edhe këtyre ditëve pas aq shumë vjetësh. A ishte një botë më pak e prishur se kjo e cila e njohim ne sot, apo ishte mënyra se si ne ishim edukuar nga prindërit tanë?
E kujtoj se atëherë doli edhe albumi, i cili Madonnan e bëri këngëtare të famshme. Ishte albumi "Like a virgin". Imazhi i saj prej një rebeleje me emrin Madonna (Maria, nëna e virgjër e Krishtit), dhe kryqin e saj të madh në gjoks. Theksin dëshiroj ta vë në këngën e saj të parë në atë album "Material girl" (Çika materialiste). Në tekstin e asaj kënge ajo portretizon një grua, në epiqendrën e së cilës është paraja dhe pranimin dhe afërsinë me botën mashkullore, të cilën ai personazh e lejon vetëm nëse ata meshkuj kanë para. Mirëpo, autorja nuk e portretizonte veten e saj nëpërmjet atij teksti të asaj kënge. Ajo, në fakt, përqeshte shumë vajza të reja të Hollywoodit të asaj periudhe, të cilat kishin zgjedhur mënyrë më të lehtë dhe të shpejtë për t’i "arritur majat" e karrierave të tyre.
Në mes rreshtash kupton se rregullat e shoqërisë i caktojnë burrat e varësisht nga ngritja e vetëdijes së asaj shoqërie edhe rrethanat sociale, ato rregulla dallojnë edhe nga substanca edhe nga akceptimi i atyre rregullave nga vetë gjinia e kundërt.
Për çfarë rregullash e kam fjalën? Ta quajmë "korruptim ndjenjash", vardisje, respekt, shprehje përkushtimi, pronësim, pasion?
Rendi shoqëror shtetëror i vendit në të cilin po i përjetoja ditët e mia të pubertetit, ishte shteti komunist/socialist i ish-Jugosllavisë. Pak a shumë të gjithë kishim njëlloj dhe nuk ishin dallime të mëdha materiale ndërmjet njerëzve. Dhuratat që do të ishe në gjendje t'ia dhuroje një simpatie apo të dashurës tënde, ishin simbolike asokohe. Një parfum i vogël, të cilin edhe ashtu e përdornin 90 për qind të çikave asokohe, sepse zgjedhje të madhe nuk kishte. Po të ishe më fatlum mund dhe të vizitoje Italinë apo Greqinë, mund të blije dhuratë një jakne xhinsi apo thjesht xhinse. Me përfundimin e viteve ’90, shoqëria jonë asokohe fillon ta përjetojë liberalizimin e parë dhe privatizimin e hershëm të tregut. Këtu edhe lindin biznesmenët e parë lokalë. Zakonisht ishin pronarë kafenesh, butikësh apo mini-marketesh. Kapitali paksa po rritej dhe po fillonte të bëhej dallimi i parë i shtresave edhe në shoqëri. "Dhuratat" tashmë po fillonin të bëheshin pak më të vlefshme. Me ndonjë drekë apo darkë diku, ndonjë pizza që sapo kishin filluar të ofroheshin në disa nga kafiteritë e asaj kohe, darkë në ndonjë qytet të ndonjë republike tjetër apo edhe shteti tjetër fqinj.
Vitet ‘90 u karakterizuan me luftërat në trojet e asaj ish-Jugosllavie ku tashmë kishte edhe përfitues të shumtë luftërash që e kishin arritur pasurinë e tyre nëpërmjet plaçkitjeve të shumta, kontrabandimit të derivateve të naftës si dhe cigareve, shkëmbimin e devizave në tregun e zi, si dhe një mori aktivitetesh të tjera anti-ligjore të pasurimit të shpejtë dhe enorm. Kosova asokohe për shkak të aparteidit të shtetit serb u karakterizua me një ikje enorme të popullatës në kërkim të një jete më të mirë dhe të drejtë, anembanë rruzullit tokësor. Kjo mërgatë apo pjesa më e madhe e saj filloi që të punonte dhe që t’i krijonte të mirat e saj materiale. Për rolin e mërgatës në mbajtjen e familjeve të tyre në Kosovë, si dhe vetë shtetit paralel të Kosovës asokohe kundrejt shtetit serb, do të shkruaj ndonjëherë tjetër. Por, ajo që dëshiroj të theksoj është se këtu na lindin edhe biznesmenët e parë tonë, të cilët biznesin e tyre e kishin jashtë kufijve të Kosovës. Ashtu si edhe republikat e tjera jugosllave, lufta nuk e kurseu as Kosovën edhe pse ishte lufta e fundit të cilën e kishte iniciuar Serbia në ato troje. Pas përfundimit të luftës dhe ndërtimit të organeve të përkohshme shtetërore, në skenën shoqërore arritën komandantët e luftës së Kosovës. Brenda një kohe relativisht të shkurtër komandantët u shndërruan në politikanë e këta të fundit u shndërruan në biznesmenë e edhe aksionarë të bizneseve të shumta të njohura, e edhe të panjohura për publikun e gjerë.
Tashmë dhuratat e korruptimit të ndjenjave, vardisjes, respektit, shprehjes së përkushtimit, pronësisë, pasionit ishin bërë shumë më të shtrenjta. Tani e marrin formën e veturave të shtrenjta, banesave, vendeve të punës, gardërobës së shtrenjtë, pushimeve ekzotike, diplomave të fakultetit etj.
Jo secila grua i pranon këto "rregulla" dhe dhurata, por ja që ka edhe mjaft të atilla të cilat shkallët e "sukseseve" të tyre i shohin vetëm si dhurata të gatshme. Mirëpo, prapë se prapë unë nuk e akuzoj gruan për këtë gjë. Janë burrat ata, të cilët e imponojnë një gjë të tillë si rregull dhe normë shoqërore, ashtu siç e ceka në fillim të Ditarit.
Nëse do t’u referohesha teksteve të këngëve të ditëve të sotme, ato janë kryesisht denigruese ndaj gruas, e gjithashtu të përcjella edhe nga video-klipet ku gruaja portretizohet vetëm si objekt seksi, thjesht mish i bardhë.
Në tregun tonë muzikor kjo qasje është edhe më e theksuar dhe e bastarduar ku gruaja denigrohet, qoftë në përmbajtjen e teksteve të këngëve, qoftë në realizimin e video-klipeve.
Ta rrisësh dhe ta edukosh sot një çikë, jam i bindur se nuk është aspak kollaj dhe ta mësosh atë që ta ketë jetë vetja e vet, ta ketë integritetin dhe unin e saj. Të jesh e rrethuar nga një botë e vrazhdë dhe nga materialistë dhe abuzues të parave dhe pasurisë për përfitime të tjera, nuk është aspak e lehtë. Por, ja që shoqëria jonë po arrin që të prodhojë sportiste kulminante botërore, këngëtare po ashtu kulminante botërore, sot kemi gra të cilat denjësisht na përfaqësojnë në skenën politike dhe ne këtu e bëjmë diferencën, qoftë edhe me shtetet, të cilat traditën e demokracisë dhe shtetformimit e kultivojnë shumë më gjatë se sa ne.
Shikuar hollë e hollë, asgjë e re për kulturën dhe traditën tonë. Kujtojeni mbretëreshën Teuta, Hyjneshën në fron, Nënë Terezën, gra të mëdha kanë lindur dhe kanë dalë nga gjiri i këtij kombi dhe assesi nuk do të lejojmë të na mësojnë apo imponojnë diçka tjetër. Gruaja ka qenë dhe do të mbetet epiqendra e zhvillimit të shoqërisë dhe kulturës sonë, jo pse do t’ia dhurojë asaj mashkulli atë rol, por sepse atë rol ajo do ta rifitojë vetë falë sukseseve dhe sakrificave të saj.
Atë rremin e mbrapshtë të patriarkatit primitiv duhet çrrënjosur në rrënjë. Atë ua kemi borxh nënave tona, motrave, vajzave, si dhe grave tona. Shoqëri e shëndoshë dhe vitale mund të jetë vetëm ajo shoqëri, e cila gruan dhe rëndësinë e rolit të saj e ka në qendër të saj.
© KOHA Ditore