Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Burgu i Dubravës: NATO-ja dhe ekzekutimet

Në KPZ Dubrava më 1999 ndodheshin rreth 1.030 të burgosur shqiptarë – të dënuar, persona të sjellë nga paraburgimi dhe të tjerë të privuar nga liria – si dhe 40 të burgosur serbë të organizuar në grupe për kryerjen e detyrave speciale dhe gjashtë të burgosur shtetas të Shqipërisë.

Në qershor të vitit 1998, me vendim të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, të burgosurit u larguan nga Institucioni Korrektues-Penal i Dubravës (KPZ Dubrava), ndërsa burgun e morën nën kontroll pjesëtarët e Njësisë për Operacione Speciale (JSO). I gjithë kompleksi u përdor prej tyre deri në fund të vitit 1998.

Në një datë të pacaktuar, para fillimit të bombardimeve të NATO-s, Dragoljub Jankoviq, ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Serbisë, dhe Zoran Stevanoviq, zëvendësministër i Drejtësisë dhe shef i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, u dërguan drejtuesve të institucioneve korrektuese-penale dhe përgjegjësve të burgjeve hetimore në Republikën e Serbisë një urdhër me shkrim që të gjithë të burgosurit shqiptarë të transferoheshin në KPZ Dubrava.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Para transferimit të të burgosurve shqiptarë, në mars të vitit 1999, në KPZ Dubrava u organizua sjellja e rreth 40 të burgosurve serbë të dënuar për vrasje, trafik droge dhe vepra të tjera të rënda penale.

Sipas të dhënave nga kallëzimi penal që roje anonime paraqitën në vitin 2008 te presidenti dhe kryeministri i Qeverisë së Republikës së Serbisë, si dhe te Prokuroria për Krime Lufte, kundër dy këshilltarëve të ministrit të Drejtësisë, drejtorit të KPZ Dubrava dhe shefit të shërbimit të sigurisë, pas grupit të përzgjedhur të të burgosurve serbë mbërriti edhe armatimi: 39 pushkë automatike dhe 12 mitralozë, granata dore dhe granatahedhës. Pretendohet se armët u sollën nga këshilltarët e ministrit, të shoqëruar nga pjesëtarë të Njësisë për Operacione Speciale (JSO).

Deri në mesin e majit, nga burgjet e Serbisë qendrore në KPZ Dubrava u transferuan mes 300 dhe 400 të burgosur shqiptarë, kryesisht të dënuar politikë, por edhe persona të dënuar për krime ekonomike, grabitje dhe vrasje. Një grup i madh të burgosurish nga burgu i Nishit, mes të cilëve ndodhej edhe profesori Ukshin Hoti, u transferua më 29 prill 1999.

Grupi i fundit prej 150 shqiptarësh, pothuajse të gjithë civilë, me vendim për ndalim policor, u transferua në KPZ Dubrava më 17 maj 1999. Ata ishin arrestuar gjatë periudhës 1–10 maj 1999 në lagjen Çabrat dhe në pjesë të tjera të Gjakovës, kur në total u arrestuan rreth 300 shqiptarë. Pas marrjes në pyetje dhe rrahjeve, rreth 150 prej tyre u liruan, ndërsa 150 të tjerë u mbajtën për disa ditë në objekte të ndryshme dhe më pas, meqenëse nuk kishte vend në burgun e Gjykatës së Qarkut në Pejë, për dy ditë në bodrumin e biznesmenit Sali Nimani në Pejë, për t’u transferuar më pas, më 17 maj, në KPZ Dubrava.

Pas sjelljes së personave të privuar nga liria nga Gjakova, në KPZ Dubrava ndodheshin rreth 1.030 të burgosur shqiptarë – të dënuar, persona të sjellë nga paraburgimi dhe të tjerë të privuar nga liria – si dhe 40 të burgosur serbë të organizuar në grupe për kryerjen e detyrave speciale dhe gjashtë të burgosur shtetas të Shqipërisë.

Bombardimi i NATO-s

Rreth mesditës së 19 majit 1999 u dëgjua një shpërthim nga drejtimi i ndërtesës së administratës. Në total ranë katër bomba – një mbi ndërtesën administrative, dy mbi bllokun C dhe një tjetër mbi bllokun fqinj. Rojet u larguan duke i lënë të burgosurit të mbyllur. Në katin e dytë, i njohur si “korridori”, u vranë të paktën tre të burgosur, ndërsa shumë të tjerë u plagosën.

Më 21 maj 1999, rreth orës 11:00, burgu u bombardua sërish. Atë ditë, rojet dhe administrata e burgut i sistemuan të burgosurit në oborrin e burgut. Bombat e para ranë mbi mensën dhe kuzhinën e burgut, pastaj edhe mbi ndërtesën e pranimit ku ndodheshin 167 të burgosur nga Gjakova. Gjatë gjithë ditës bombardimi vazhdoi, duke përfshirë sallën sportive dhe objekte të tjera. Sipas dëshmive të të burgosurve, gjatë sulmit të dytë të NATO-s u vranë 19 të burgosur.

Burgu nën kontrollin e policisë speciale

Më 22 maj 1999, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Serbisë ia dorëzoi kontrollin e burgut njësive speciale të policisë. Pas kësaj pasuan vrasje masive të të burgosurve shqiptarë.

Gjatë gjykimit të Slobodan Milosheviqit u bë publik një shkresë e drejtorit të KPZ Dubrava, Aleksandar Rakoçeviq, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Serbisë:

“Me datën 22 maj 1999, rreth orës 05:00, mbërriti një njësi speciale e MPB-së e cila hyri në pjesën e mbyllur të institucionit, ndërsa me urdhrin e tyre punonjësit e shërbimit të sigurisë u tërhoqën në një unazë më të gjerë përreth murit rrethues. Nuk na është e njohur se çfarë bënë atje, por u dëgjuan shpërthime. E njëjta njësi e MPB-së erdhi përsëri rreth orës 17:00 dhe më 23 maj rreth orës 05:00.”
Kronologjia e vdekjeve

Një i burgosur shqiptar, që po vuante një dënim prej 18 muajsh burg për shkak se kishte bërë roje i armatosur në fshatin e tij, pësoi një sulm në zemër më 9 prill 1999, teksa, së bashku me të burgosur të tjerë, po nxirrte qymyr nga depoja pranë kaldajës së burgut. Dy të burgosurve shqiptarë u humbet çdo gjurmë pas lirimit nga burgu i Dubravës më 16 maj 1999. Dënimi i profesorit Ukshin Hoti përfundonte më 17 maj 1999.

Dy të burgosur u vranë pas lirimit, menjëherë pasi dolën nga burgu i Dubravës, më 16 maj 1999.
Një boshnjak, i ndodhur në paraburgim policor, u vra më 20 maj 1999 në fushën sportive nga një plumb i qëlluar prej kullës së rojës.

Në sulmet e aviacionit të NATO-s më 19 dhe 21 maj 1999 humbën jetën 24 të burgosur shqiptarë dhe zëvendësdrejtori i burgut të Dubravës.

Gjatë natës ndërmjet 21 dhe 22 majit 1999, rojet, gardianët dhe të burgosurit serbë të armatosur, vranë nëntë të burgosur shqiptarë që përpiqeshin të arratiseshin përmes hapjeve të krijuara në murin e burgut nga bombardimet.

Një i burgosur shqiptar kreu vetëvrasje me varje më 22 maj 1999, pasi dëgjoi se të burgosurit do të transferoheshin në burgun e Nishit. Në Dubravë ai ishte sjellë pikërisht nga Nishi, ku, sipas dëshmive të të burgosurve që e njihnin, kishte qenë i ekspozuar ndaj keqtrajtimeve të rënda.

Në orën 6:30 të mëngjesit të 22 majit 1999, një polic me megafon, nga kulla e rojës, iu drejtua të burgosurve:

“Ne do t’ju transferojmë në burgun e Nishit, për sigurinë tuaj personale.”

Rreth orës 6:00, i njëjti polic dhe dy gardianë iu drejtuan sërish të burgosurve:

“Keni edhe dhjetë minuta kohë për t’u rreshtuar dhe për t’u bërë gati.”

Në fushën sportive përballë kullave të rojës ndodheshin rreth 800 të burgosur, ndërsa të tjerët ishin fshehur nëpër ndërtesa.

Pak sekonda pas rreshtimit filluan të binin granata dore, ndërsa menjëherë më pas u hap zjarr me bazuka, hedhës  granatash dore dhe lloje të ndryshme armësh të lehta – pushkë gjysmëautomatike, mitralozë dhe pushkë të tjera. Të shtënat vinin nga drejtimi i kullave të rojës, nga muri i jashtëm dhe nga pikat e dëmtuara gjatë bombardimeve të NATO-s. Në hapjet e murit shiheshin vetëm tytat e pushkëve automatike.

Pjesëtarët e policisë speciale, me ndihmën e të burgosurve serbë të armatosur dhe të rojeve të burgut, vranë më 22 maj 1999 gjashtëdhjetë të burgosur shqiptarë.

Të nesërmen, më 23 maj 1999, pjesëtarët e policisë speciale vranë nëntë të burgosur shqiptarë që ishin fshehur në pusetat, gypat e kanalizimit dhe në kaldajën e burgut – duke përdorur granata dhe armë zjarri nga afër.

Pas transferimit të të burgosurve nga burgu i Dubravës në burgun e Lipjanit më 24 maj 1999, një i burgosur shqiptar u vra nga rrahjet. Për vrasjen e tij u dënua një gardian i atëhershëm i burgut.

Një i burgosur shqiptar, i cili e kishte njërën këmbë në allçi, ndërsa tjetrën të mbuluar me plagë nga copëzat e bombave të bombardimeve të NATO-s, u vra nga rrahjet më 10 qershor 1999 para burgut të Pozharevcit. Ai nuk mundi të zbriste nga autobusi me të cilin të burgosurit shqiptarë nga Kosova ishin transferuar në Serbi, prandaj njëri nga rojet e tërhoqi zvarrë dhe e hodhi në tokë. Gardianët e goditën me shqelma, me shufra dhe me mjete të tjera. Po atë ditë ai ndërroi jetë. U varros në varrezat myslimane të Pozharevcit, më pas u zhvarros dhe, me organizimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, eshtrat e tij iu dorëzuan familjes.

Një i burgosur shqiptar, i plagosur më 21 maj 1999 gjatë bombardimit të dytë të NATO-s mbi burgun, vdiq nga plagët e marra ndërmjet 1 dhe 6 qershorit 1999 në spitalin e Prishtinës.

Një i burgosur shqiptar vdiq më 11 korrik 1999 në burgun e Nishit. Familja u njoftua se kishte vdekur nga sëmundja.

Një i burgosur shqiptar me probleme psikike vdiq në burgun e Sremska Mitrovicës më 4 gusht 1999. Ai ishte plagosur më 22 maj 1999, kur policët dhe rojet vranë 60 të burgosur shqiptarë. Refuzonte trajtimin nga mjekët serbë.

Një i burgosur shqiptar, i plagosur më 22 maj 1999 kur policët dhe rojet vranë 60 të burgosur shqiptarë, vdiq më 8 gusht 1999 në spitalin e Burgut Qendror në Beograd. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq e njoftoi familjen se ai kishte vdekur nga një sulm në zemër.

Të akuzuar për terrorizëm

Ndër viktimat në KPZ Dubrava, 91 persona ishin të dënuar, të akuzuar ose ndodheshin në paraburgim policor për veprat penale të terrorizmit dhe bashkimit për veprimtari armiqësore. Midis tyre, përveç 63 pjesëtarëve të UÇK-së, kishte edhe 28 civilë, përfshirë nëntë civilë nga grupi prej 150 shqiptarësh të transferuar nga Gjakova më 17 maj 1999.

Gjykatat, në procedurat e shkallës së parë, në përgjithësi i konfirmonin pretendimet e aktakuzave. Të akuzuarit për veprën penale të bashkimit për veprimtari armiqësore ngarkoheshin me pretendimin se ishin bërë anëtarë të “bandës terroriste të UÇK-së”, se kishin ndihmuar UÇK-në, kishin hapur llogore dhe bunkerë, kishin ndërtuar rrugë pyjore, kishin bërë roje dhe kishin përcjellë lëvizjet e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë dhe të Ushtrisë Jugosllave.

Për veprën penale të terrorizmit ngarkoheshin se kishin marrë pjesë në krijimin e “grupeve terroriste si pjesë e organizatës terroriste UÇK”, me qëllim shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe RFJ-ja, se kishin siguruar dhe transportuar armë nga Shqipëria, kishin organizuar prita kundër pjesëtarëve të MPB-së së Serbisë dhe Ushtrisë Jugosllave, si dhe kishin kryer akte dhune për të krijuar ndjenjë pasigurie te pjesëtarët e kombësisë serbe dhe malazeze, si dhe te shqiptarët besnikë ndaj Republikës së Serbisë dhe RFJ-së. Dënimet varionin nga disa muaj deri në 15 vjet burgim.

Profesori Ukshin Hoti ishte i vetmi i akuzuar për cenimin e integritetit territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në të gjitha rastet e të pandehurve për veprat penale të bashkimit për veprimtari armiqësore dhe terrorizmit u përdor testi i ashtuquajtur “dorëza parafinike”, për të përcaktuar praninë e nitrateve dhe nitriteve në duar dhe në veshje, si provë se i pandehuri kishte shtënë me armë. Vendime dënuese jepeshin edhe kur rezultati pozitiv i testit ishte prova e vetme, si dhe në rastet kur eksperti pohonte se grimcat e nitrateve dhe nitriteve nuk buronin nga baruti.

Varrezat e të burgosurve

Pas luftës, në një kodër në fshatin Rakosh, disa kilometra larg KPZ Dubravës, u zbulua një varrezë me 96 varre individuale dhe një varr me dy trupa. Zhvarrimet u kryen nga një ekip spanjoll i mjekësisë ligjore. Secili varr dallohej qartë për shkak të dheut të ngritur dhe ishte i shënuar me një tabelë druri që përmbante të dhënat e varrimit, numrin rendor dhe datën që, sipas pretendimeve, përkonte me ditën e varrimit.

Analiza ante-mortem dhe identifikimi i trupave vazhduan deri më 26 gusht, kur përfundoi identifikimi i 42 trupave. Identifikimi u krye përmes njohjes së veshjeve të ekspozuara dhe shqyrtimit të fotografive të mbetjeve mortore. Pas largimit të ekipit spanjoll, u organizuan ekspozita të rrobave të hequra nga trupat e të burgosurve të varrosur, të shënuara me numra, në mënyrë që familjet të vazhdonin identifikimin e mbetjeve mortore.

Gjykimi i të burgosurve shqiptarë të vdekur

Zahir Agushi dhe Agim Elshani humbën jetën më 21 maj 1999, gjatë bombardimit të dytë të NATO-s mbi KPZ Dubravën.

Nëntë muaj pas vdekjes së tyre, më 1 shkurt 2000, Trupi Gjykues i Gjykatës së Qarkut në Leskovc, i kryesuar nga gjyqtari Goran Petronijević, shpalli aktgjykim kundër Zahir Agushit dhe Agim Elshanit për veprën penale të terrorizmit dhe ndihmës ndaj kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Më 8 qershor 2000, Gjykata Supreme e Serbisë e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë.

Hysen Ademi u vra më 22 maj 1999, kur rojet, gardianët dhe policët hapën zjarr ndaj të burgosurve në fushën sportive, të cilëve më parë u ishte urdhëruar të rreshtoheshin për transferim.

Tetë muaj pas vdekjes së tij, Trupi Gjykues i Gjykatës së Qarkut në Leskovc, i kryesuar nga gjyqtari Goran Petronijević, e dënoi më 10 janar 2000 Hysen Ademin me 15 vjet burgim për veprën penale të terrorizmit.

Metë Osmanaj u vra më 22 maj 1999, kur rojet, gardianët dhe policët qëlluan nga kullat e rojës dhe nga muret mbi të burgosurit e rreshtuar.

Trupi Gjykues i Gjykatës së Qarkut në Leskovc, i kryesuar nga gjyqtarja Brankica Dašić, e dënoi Metë Osmanajn me katër vjet burgim për veprën penale të bashkimit për veprimtari armiqësore në lidhje me terrorizmin.

Kallëzim penal kundër ministrit të Drejtësisë të Republikës së Serbisë

Fondi për të Drejtën Humanitare paraqiti më 28 maj 2010 kallëzim penal kundër Dragoljub Jankoviqit, Zoran Stevanoviqit, Obrad Stevanoviqit, Bora Vlahoviqit dhe 30 personave të tjerë për krime lufte kundër popullsisë civile – vrasjen e të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës.

Pas 27 vjetësh

Në Kosovë janë dënuar dy gardianë burgu – Zoran Koliq, në vitin 2013, për vrasjen e një të burgosuri shqiptar, dhe Dragisha Milenkoviq, në vitin 2025, për rrahjen dhe keqtrajtimin e të burgosurve shqiptarë të transferuar nga Dubrava në Lipjan.

Njëkohësisht, Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi në vitin 2025 Gavrilo Milosavljeviqin nga akuzat për krim lufte lidhur me vrasjet dhe keqtrajtimin e të burgosurve në Dubravë, për mungesë provash.

Dihet se Prokuroria për Krime Lufte e Republikës së Serbisë, pas kallëzimit të Fondit për të Drejtën Humanitare, kishte nisur hetime, kishte marrë në pyetje më shumë se 150 persona, përfshirë edhe ministrin e atëhershëm të Drejtësisë, kishte mbledhur dokumentacion dhe prova të rëndësishme, por, nën presion politik, hoqi dorë nga ndjekja penale e personave përgjegjës për vrasjen e të burgosurve shqiptarë.

*Shkrimi është marrë nga: pescanik.net - Përkthyer nga KDP