OpEd

Brezi i cilësisë së re

Nuk duhet shumë filozofi për të konstatuar se Kosova ka ardhur te pika ku patjetër duhet bërë një kthesë në jetën e vet politike...

Janë katër djem të pashëm. Që të gjithë thuajse të lindur në vitet e luftës. Më i moshuari ndër ta ende nuk i ka mbushur 22 vjet. Janë nga Kamenica.

Janë punëtorë të jashtëzakonshëm. Merren me ndërtimtari dhe janë ekspertë për punën me knauf, si dhe për lyerjen dhe fasadimin e mureve. Ekspertë, sepse me gjithë moshën e re, ka kohë që punojnë në një firmë private, kryesisht familjare, me disiplinë dhe vullnet të pashoq.

Ka ditë në të cilën lodhja nga puna jo e lehtë fizike që duhet bërë u reflektohet në lëvizje dhe madje edhe “rendiment”. Porse asnjë ditë të vetme nuk do t’i shohësh pa buzëqeshje, pavarësisht rrethanave.

Janë shumë të përpiktë me orarin e punës. Nisin njëkohësisht, e bëjnë pauzën gjithë së bashku në të njëjtën kohë, dhe patjetër do të ulen, diku nga pasditja e hershme, ta pinë nga një gotë Coca-Colë, krejt tok, mes muhabetit dhe talljeve që ia bëjnë njëri-tjetrit.

Që të gjithë e kanë të kryer shkollën e mesme, porse asnjëri nuk u nis të shkonte tutje në studime. Nuk e di, nuk i kam pyetur se përse. Porse e besoj se fakti se janë detyruar ta punojnë këtë punë zanati kaq herët, ka qenë nevoja për t’i mbajtur veten dhe familjen. Me punë të ndershme, me kokën lart, dhe me respektin maksimal ndaj personave me të cilët komunikojnë dita më ditë gjatë kryerjes së punëve të tyre ditore.

* * *

Janë pesë të rinj tejet simpatikë, të bukur e me shpirt fëmijëror. Janë përafërsisht të së njëjtës moshë si djemtë nga fillimi i rrëfimit, dhe të gjithë jetojnë në Prishtinë.

Ka kohë që kanë nisur punën si animatorë, që bartin kostume figurash të njohura nga filmat vizatimorë apo edhe nga përrallat. Punë e kanë që t’i dëfrejnë fëmijët nëpër kremte të shumëllojshme.

Janë shumë të koordinuar, të talentuar, energjikë dhe mbi të gjitha tejet të kujdesshëm në qasje me fëmijët. Thuajse edhe ata bëhen fëmijë parashkollorë në çastin kur i veshin “uniformat” e tyre, që nuk ua bëjnë punën fare të lehtë. Mund të mos jenë të rënda, porse dinë të ngrohin trupin aq shumë sa edhe mund të alivanosen po qe se nuk kanë kujdes.

Që të gjithë studiojnë, ca në universitete private e ca në UP, dhe mundohen që të mbërrijnë të mësojnë dhe të japin provime me kohë, ashtu që i gjithë mundi të mos iu shkojë poshtë.

Nuk i kam pyetur se përse punojnë, porse njësoj si te djemtë e Kamenicës, supozoj se e bëjnë për ta mbajtur veten dhe për ta ndihmuar familjen.

* * *

E çmoj pa masë fatin që pata për t’u njohur me këta të rinj.

Asnjëri nga ta nuk e ka përmendur, edhe pse nuk e përjashtoj mundësinë që ta ketë në ndërdije idenë që të largohet nga Kosova për të mos u kthyer ndryshe pos si turist.

Të gjithë, disi me entuziazëm, i cili më dukej se prej kohësh ishte tretur, flasin për të ardhmen e tyre në Kosovë. Për një mundësi që duan ta krijojnë vetë për të jetuar më mirë dhe për t’u varur vetëm nga vetja.

Janë të rinj dhe plot elan, dhe për fat të mirë nuk e kanë idenë se çfarë i pret para. Prandaj, edhe mund të shpresojnë dhe të krijojnë pritshmëri, të cilat jam e sigurt se do të luftojnë me atë çfarë kanë për t’i realizuar.

Edhe pse në punën time të përditshme jam e rrethuar me shumë të rinj, që në kompaninë tonë “e pjekin” një zanat tjetër, takimi me këta të rinj ma krijoi një ndjeshmëri të re. Ma dha një shpresë se gjërat te ne nuk kishin shkuar bash krejt në fund të pusit dhe se njerëzit ende besojnë se këtu mund të ketë edhe jetë, edhe perspektivë.

* * *

Këta të rinj janë vetëm disa nga pjesëtarët e një brezi të tërë që nuk e dinë se çka janë represioni, aparteidi apo lufta, pos nga rrëfimet që i kanë dëgjuar. Porse janë brezi që ka përjetuar rritjen në Kosovën e çliruar, e të udhëhequr nga njerëz të paaftë dhe të padijshëm që kanë shkatërruar thuajse gjithçka që ka pasur vlerë në Kosovë.

Për fat të mirë, nuk ia kanë dalë ta shkatërrojnë bash secilën vlerë – siç edhe e dëshmojnë këta të rinj. Këta janë vlera më e madhe e kësaj Kosove të katandisur, që ka nevojë të zgjohet urgjentisht nga letargjia dhe të dalë nga lloçi në të cilin është futur thellë.

* * *

Nuk duhet shumë filozofi për të konstatuar se Kosova ka ardhur te pika ku patjetër duhet bërë një kthesë në jetën e vet politike.

Nga politika varet gjithçka në Kosovë.

E këtë tashmë e kanë të qartë edhe të rinjtë e këtij rrëfimi, që kanë votuar në zgjedhjet e fundit me shpresën se një perspektivë më e ndritur do t’u ravijëzohet së shpejti përpara.

Nga politikanët me integritet do të varet edhe ndryshimi i gjendjes në Kosovë. Se a ekzistojnë ata apo jo, mbase edhe do të mund ta marrim vesh shpejt.

E po qe se nuk ekzistojnë, ekzistojmë ne votuesit që do të duhej të vendosnim për fatin e atyre që na kanë marrë në qafë me sjelljet e tyre fëmijërore dhe abuzive në të gjithë këta vjet.

Brezave që ka kohë na ka kaluar rinia do të jetojmë me kujtimet nga koha kur e kishim moshën e të rinjve të këtij rrëfimi.

Brezi i këtyre të rinjve, kur të mbërrijnë në moshën tonë, do të duhej të jetonin me kujtimin se kanë qenë brezi i ndryshimit në kohë të liga. Brezi që solli një cilësi të re në jetën e Kosovës.

Gëzuar 2020-a!

[email protected]