Nga palestra “Bill Clinton” në Ferizaj, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka premtuar vazhdim të rritjes së pagave si dhe shtesa prej 100 eurosh për gjyshërit që kujdesen për nipërit e tyre. Ai ka numëruar projektet e realizuara gjatë qeverisjes së deritanishme, duke e listuar në këtë ndërtimin e 74 çerdheve për fëmijë. Kurti e ka bërë edhe zotimin që gjatë qeverisjes së ardhshme do të ketë vazhdim të mbështetjes në bujqësi, në ekonomi si dhe në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës
Në tubimin elektoral në Ferizaj, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e 28 dhjetorit kandidon për mandatin e tretë si kryeministër, ka numëruar projektet që qeveria e tij i ka realizuar deri më tash.
Para mbështetësve të mbledhur në palestrën “Bill Clinton”, Kurti të shtunën ka listuar si të arritur të qeverisjes së tij rritjen e pensioneve për të moshuarit nga 90 në 150 euro teksa është zotuar se gjyshërit që kujdesen për nipat dhe mbesat do të marrin edhe nga 100 euro shtesë.
“Pensioni është rritur nga 90 euro sa e kemi gjetur në 150 euro për moshën mbi 65 vjeç, pra pensioni bazik, e për dy pensionistë kjo i bie një rritje prej 144 euro në atë familje. Kur kësaj ia shtojmë edhe nga 100 euro gjatë këtij mandati 4-vjeçar, pra pensioni i 13-të është marrë pesë herë për katër vjet...Kur punojnë të dy prindërit ata në vijim do të marrin edhe 100 euro shtesë secili mbi pensionin e tyre bazik. Kësisoj gjyshërit nuk janë më të detyruar të shpenzojnë pensionin për t’i gëzuar nipërit e mbesat, sepse tash edhe fëmijët i kanë mjetet e tyre përmes shtesave”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur edhe shtesat për fëmijë.
“Shtesat për fëmijë i kemi gjetur 0 euro që do të thotë nuk i kemi gjetur fare. Ia filluam me 10 euro, pastaj 20 euro, 30 euro, së fundmi 45 euro e në mandatin e ardhshëm për ata që i kanë tre fëmijë shtesat do të jenë nga 90 euro”, është zotuar kandidati i LVV-së për kryeministër.
Kurti i ka përmendur edhe çerdhet për fëmijë të ndërtuara gjatë mandatit të tij qeverisës ndërsa për qeverisjet e mëparshme ka pasur kritika në këtë aspekt.
“I kemi përfunduar 74 çerdhe si projekte, renovim, ndërtim, rindërtim e kështu me radhë. Me ç’rast kjo duhet krahasuar me vetëm 4 çerdhe të atyre për 17 vjet para se të vijmë ne në qeveri. Merreni me mend 74 çerdhe ne për 4 vjet e 9 muaj, vetëm 4 çerdhe ata për 17 vjet”, është shprehur ai.
Kurti ka premtuar gjithashtu se, nëse e merr mandatin e tretë, qeveria e tij do të vazhdojë rritjen ekonomike dhe rritjen e pagave.
“Në vitin e ardhshëm, jo vetëm që vazhdojmë t’i rrisim pagat me rritjen ekonomike dhe produktivitetin në rritje por njëkohësisht në vitin e ardhshëm me ligjin e ri për buxhetin 2026 do ta kemi edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik”, është zotuar ai.
Kryetari i Vetëvendosjes ka premtuar mbështetje për nënat lehona, të cilave është zotuar se do t’ua sigurojë nga 500 euro për gjashtë muajt e parë pas lindjes së foshnjave.
Para ferizajasve, ai ka bërë zotim që gjatë qeverisjes së ardhshme do të ketë vazhdim të mbështetjes në bujqësi, në ekonomi si dhe në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Sa i përket ushtrisë, e kemi gjetur me më pak së 2 mijë e 300 ushtarë, tashmë i ka më shumë se 5.000 ushtarë dhe njëkohësisht e kemi hequr tavanin për 5.000 ushtarë. Mund të bëhen edhe më shumë. Mosha e ushtarëve ka qenë 23-vjeçe, e kemi ngritur në 25. I kemi rreth 300 gra e vajza në ushtri, jemi të interesuar që të bëhen 1.000 gra e vajza në Ushtrinë e Kosovës. Por gjithashtu katërfish kemi pasur në trajnimet jashtë vendit trefishim të buxhetit dhe më shumë se 100-fishim të shpenzimeve për armatim dhe municion... Ne nuk e konsiderojmë që për ushtrinë tonë të blejmë tanke, neve nuk ka duhen tanket, por a e dini çka, nuk i duhen as Serbisë më, sepse me sistemin tonë antitank i bëhen të padobishme e të papërdorshme”, ka thënë Kurti.
E para tubimit në sallën “Bill Clinton” në Ferizaj, Kurti ka bërë premtime edhe në Obiliq. Në këtë komunë, ai ka premtuar ndërtimin e një Qendre të re të Mjekësisë Familjare (QKMF), e cila ka thënë se do të ofrojë shërbime shëndetësore cilësore dhe lehtë të qasshme për të gjithë qytetarët.