Sikur Bashkimi Evropian të respektonte vërtetë mendimet e qytetarëve të saj dhe sikur Komisioni dhe Parlamenti Evropian të kishin fuqi, atëherë sonte pas mesnate në Evropë nuk do të ndërrohej ora, më saktësisht kalimi nga koha verore në atë dimërore.
Edhe pse Komisioni Evropian qysh në pranverën e vitit 2018 kishte propozuar ndërprerjen e kësaj praktike, dhe Parlamenti Evropian me rezolutë të veçantë e kishte miratuar këtë propozim, nuk ka pasur akoma pajtim nga vendet anëtare në Këshill.
Prej atëherë në BE nuk mund të thonë asgjë konkrete rreth kësaj teme pos të rikujtojnë se “çështja ndodhet tek vendet anëtare“ dhe se Komisioni Evropian kishte propozuar që të mos ndryshohet më ora dy herë në vit. Por, ua kishte lënë vendeve anëtare të BE-së që të vendosin a do ta mbajnë tërë kohën orën sipas llogaritjes dimërore apo asaj verore.
Pa dyshim se vendet e BE-së kanë shumë prioritete tjera. Por as kjo për qytetarët e BE-së nuk është e parëndësishme. Në një anketë të cilën e kishte hapur Komisioni Evropian në vitin 2018 mbi 4 milionë qytetarë kishin marrë pjesë dhe shumica e madhe e tyre u shprehën se duan që të mos ndërrohet ora më dhe se kjo praktikë është e pakuptimtë.
Në BE momentalisht janë tri zona kohore, nëse nuk llogariten territoret tej oqeanike jashtë kontinentit evropian që janë pjesë e shteteve të BE-së. Vendet anëtare të BE-së nuk ishin pajtuar se cilën kohë do të duhej mbajtur, sepse duhet të koordinohen edhe mes vete. Ato në jug duan që të mbetet vetëm koha verore, por kjo do t’i vinte në një pozitë jo aq të mirë vendet në veri-perëndim të Evropës në disa prej të cilëve dita do të agonte pas mesditës.
Edhe pse nuk ka lëvizje drejt vendimit për t’i dhënë fund ndryshimit të orës dy herë në vit, në BE nuk duan as të heqin dorë nga kjo ide. E vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimorë, që llogarisin kohën sipas orës së Evropës qendrore, janë shprehur se do të mbështesin vendimin eventual të BE-së. Kështu do të vazhdohet më lëvizjen e akrepave të orës dy herë në vit.