Të dielën, 26 tetor, akrepat e orës do të kthehen prapa për 60 minuta, me nisjen e llogaritjes së kohës dimërore.
Ndërrimi i orës do të ndodhë në orën 03:00, kur akrepat do të zhvendosen në orën 02:00.
Të gjitha pajisjet digjitale përditësohen automatikisht.
Prej vitesh është diskutuar për ta eliminuar këtë ndryshim, por vendet e Bashkimit Evropian ende nuk kanë arritur pajtim, megjithëse ekziston mendimi se ndryshimi i orës ka efekte jo të mira në shëndetin mendor.
Ora ndërron dy herë në vit. Akrepat lëvizin përpara për një orë të dielën e fundit të marsit dhe kthehen të dielën e fundit të tetorit.
Ideja fillestare e ndryshimit të orës ka qenë që të shfrytëzohet më shumë drita e diellit, dhe për kursim të energjisë. Prandaj ka lindur ideja e orës verore, që është “zhvendosje artificiale” për 60 minuta përpara. Ora dimërore kthehet në mënyrë që dielli të mos lindë shumë vonë në mëngjes, por t’i përshtatet më mirë jetës së përditshme.