Visar Krasniqi, anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe avokati Yll Zekaj gjatë diskutimit në “Tempus” në KTV, kishin opinione të kundërta për bashkëpunim në mes të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial për çështjen e aktakuzave.
Krasniqi theksoi se është i rëndësishëm bashkëpunimi në mes dy Këshillave lidhur me aktakuzat. Por, ai tha se ka disbalancë në kalueshmërinë e tyre, duke ngritur pyetje se pse veprat tjera penale po mund të arrijnë filtrat e gjykatës, kurse ato të korrupsionit po çalojnë.
“Është shumë e rëndësishme kur flasim për bashkëpunimin në mes dy Këshillave, është i rëndësishëm me pa pse i njëjti prokuror tek aktakuzat e profilit të lartë - sidomos të korrupsionit, pse po arrin për veprat tjera penale t’i kalojë të gjitha filtrat e gjykatës, kurse kur vjen puna te veprat penale kundër korrupsionit ato po çalojnë. Pra, ka një lloj disbalanci shumë të madh tek kalueshmëria e aktakuzave. Prandaj, ajo që shtrohet si pyetje është se a është problemi te cilësia e aktakuzave apo tek niveli i gjykatës, është mirë që në këto diskutime të ketë bashkërendim të institucioneve sidomos të dy Këshillave për të parë se ku vërtetë çalojmë”, tha Krasniqi.
Ndërsa, avokati Zekaj tha të kundërtën, duke theksuar se nëse do të kishte bashkëpunim të tillë lidhur me aktakuzat në mes Këshillave, atëherë aty do duhet të jenë edhe avokatët.
“Duhet të jetë një mur ndarës në mes prokurorëve dhe gjyqtarëve, duhet secili me rregullu çështjen e pjesës së vet. Këshilli Prokurorial duhet jashtëzakonisht të investojë në prokurorë, kemi prokurorë shumë të mirë dhe kemi një pjesë të prokurorëve që është fatkeqësi që janë në sistemin gjyqësor sot. Kemi aktakuza që nëse i shihni nuk duhet të kalojnë por fatkeqësisht nganjëherë e kalojnë filtrin e gjykatës, duhet sa më shumë të intervenohet edhe përmes Akademisë së Drejtësisë në arsimimin e vazhdueshëm ligjor të prokurorëve me qëllim të ngritjes së kapaciteteve”, tha Zekaj. /BetimipërDrejtësi
Miftaraj: Sistemi prokurorial që 10 vite fjalimet dhe gjetjet i ka të njëjta, asgjë s’po ndryshon
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se sistemi prokurorial tash e 10 vite, fjalimet dhe gjetjet i kanë të njëjta dhe se asgjë nuk po ndryshon, ngase fjalët e tyre po mbesin vetëm premtime.
Miftaraj theksoi se është e ditur se më 28 dhjetor do shkojmë në zgjedhje, mirëpo nuk e dimë se kur do të bëhet Qeveria dhe kur do të konstituohet Kuvendi, duke renditur disa nga çështjet me rëndësi.
“Është me rëndësi zbatimi i Strategjisë për zbatimin e ligjit, miratimi i Strategjisë kundër Korrupsionit, por edhe shumë politika të tjera që dihen se janë në proces”, tha Miftaraj në “Tempus“.
Duke diskutuar lidhur me gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, Miftaraj krahasoi mënyrën e operimit në mes Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.
“Në kuptim të asaj çka kemi pa nga Këshilli Gjyqësor, është e vërtetë se janë në njëfarë mënyre shumë më transparentë në kuptim të komunikimit, bashkëpunimit me akterë të ndryshëm, që të përmirësohet mënyra e operimit ose së paku të trajtohen ato gjetje që dalin nga Raporti i Progresit, por kur vjen tek sistemi prokurorial mund të them se kam dyshime të sinqerta”, tha Miftaraj.
Më tutje, Miftaraj theksoi se kur bëhet publikimi i raporteve të mekanizmave ndërkombëtarë, fjalimet janë të njëjta.
“Kur bëhet publikimi i raporteve të mekanizmave ndërkombëtarë ku marrin pjesë sistemi prokurorial, është interesant pothuajse fjalimet i kanë të njëjta, gjetjet janë të njëjta që 10 vite, fjalimet janë të njëjta”, tha Miftaraj.
Ai shtoi se nga sistemi prokurorial çdo vit japin zotimin se do të përmirësojnë mënyrën e hartimit të aktakuzave, përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies, por që këto po mbesin vetëm premtime.
Në fund, Miftaraj shtoi se pa ndryshuar mënyra se si operon dhe vepron sistemi prokurorial, ka dyshime të forta që edhe vitin tjetër nuk do të ketë ndryshim të gjendjes. /BetimipërDrejtësi
Krasniqi: Ka mungesë komunikimi ndër-institucional mes kryesuesëve të KGJK-së e KPK-së
Visar Krasniqi, anëtar i shoqërisë civile në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), tha se nuk ka dijeni për komunikimin që ekziston mes dy kryesuesëve të Këshilleve - pra Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, si dhe për nivelin e atij komunikimi.
Krasniqi tha në “Tempus” se prej që ka ardhur në KPK, asnjëherë nuk ka pasur vullnet që të jetë pjesë e komisioneve të përhershme të Këshillit, ku mund ta jepte kontributin e tij.
“Në të kaluarën ka pasur përpjekje që të jem pjesë e Komisionit për çështje normative, mirëpo nuk ka pasur vullnet nga kryesuesi dhe një pjesë tjetër e anëtarëve”, tha Krasniqi.
Lidhur me komunikimin në mes të dy Këshilleve, Krasniqi tha se ka mungesë të një komunikimi ndër-institucional.
“Unë personalisht nuk e di komunikimin që ekziston me Këshillin Gjyqësor, nuk e di as sa është niveli i komunikimit mes të dy kryesuesve të Këshillave. Me Këshillin Gjyqësor takohemi vetëm në ndonjë punëtori, në ndonjë organizim të caktuar, por asnjëherë nuk kemi qenë - personalisht po flas gjithmonë, pjesë e këtyre organizimeve. Domethënë, ka mungesë të një komunikimi ndër-institucional. Mos të flasim për gjëra të prekshme”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi foli për kontributin e tij, i cili tha se fokusohet në grupe punuese dhe se aktualisht është duke dhënë kontribut në hartimin e akteve të reja të Këshillit.
“Para disa jave e kemi bërë një analizë edhe e kemi bërë një prioritet se cilat akte duhet të ndyshohen dhe i kemi identifikuar disa prej tyre. Jemi duke punuar vazhdimisht këtu edhe nëse nuk gaboj para disa ditësh e kemi lansuar në dëgjim publik një numër të madh prej tyre”, shtoi Krasniqi. /BetimipërDrejtësi
Tahiri: Nga viti 2021 e deri më tani fluks i madh i lëndëve të pranuara në gjyqësor, diku mbi 250 mijë lëndë
Mustafë Tahiri, kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nga viti 2021 e deri më tani ka fluks të madh të lëndëve të pranuara, ku janë diku mbi 250 mijë lëndë.
Tahiri ka përmendur si sfidë në të gjitha Gjykatat e Republikës së Kosovës, numrin e madh të lëndëve në ardhje dhe atyre që janë të vjetra - të grumbulluara ndër vite.
“Nga viti 2021 e deri më tani sistemi gjyqësor është përballur me një fluks të madh të lëndëve të pranuara dhe kemi një numër të madh të lëndëve. Numri më i madh i tyre ka të bëjë me kontratat kolektive që e kanë stërngarkuar sistemin gjyqësor. Për mendimin tim ato lëndë nuk do të duhej të vinin në gjykatë pasi do duhet t’i jepej zgjidhje jashtë gjykatës”, tha ndër të tjera Tahiri.
Kryetari i Gjykatës në Ferizaj shtoi se ky numër i madh i lëndëve ka reflektuar edhe tek sistemi gjyqësor, ku gjykatat është dashur të bëjnë një organizim të veçantë në kuadër të zbatimit të planeve.
“Në dy vitet e fundit sistemi gjyqësor ka pasur një efikasitet të shtuar në trajtimin e lëndëve, ku viti 2023 dhe 2024 kanë dhënë një rezultat të suksesshëm. Planet strategjike i kanë dhënë fokus të veçantë lëndëve të vjetra dhe në kuadër të tyre. Lëndë e vjetër konsiderohet lënda më e vjetër se dy vite dhe lëndët që janë të prioritizuara si lëndë që duhet të trajtohen me urgjencë”, u shpreh Tahiri. /BetimipërDrejtësi
Zekaj: Raporti i Progresit me të drejtë theksoi se ka progres të kufizuar në sistemin gjyqësor dhe prokurorial
Avokati Yll Zekaj, tha se Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 me të drejtë ka theksuar që ka progres të kufizuar në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, duke bërë dallimin mes këtyre të dyjave.
“Një dallim të tillë e bëjmë edhe ne si avokatë dhe palë në procedurë, pasi që e shohim se Këshilli Gjyqësor ka më shumë pamundësi të veprimit ndërsa tek Këshilli Prokurorial shohim mosvullnet të veprimit”, ka thënë Zekaj në emisionin “Tempus“ në KTV.
Zekaj tha se gjetjet e Raportit të Progresit janë thuajse të ngjajshme me ato të viteve të kaluara, pasi që edhe ambienti në sundimin e ligjit është i njëjtë siç ka qenë edhe viteve të kaluar.
“Kemi mbi 250 mijë lëndë që sot gjenden në sistemin gjyqësor të Kosovës, ndërsa trendi i ardhjes së lëndëve të reja është më i madh sesa i mundësisë për t’i përfunduar”, theksoi Zeka.
Po ashtu, ai tha se është shumë e vështirë të pritet progres në sundimin e ligjit në tërësi, kur nuk ka përkrahje të ekzekutivit dhe legjislativit.
“Nuk mundet një sistem gjyqësor të shkojë vetë përpara, pa e pasur përkrahjen e këtyre dy sistemeve tjera, e në rastin konkret kemi pengesë nga këto dy sisteme”, theksoi Zekaj.
Ai tha se gjatë tërë qeverisjes ka pasur një antagonizëm të thellë dhe polarizim në mes të institucioneve të ekzekutivit dhe të gjyqësorit.
“Më shumë ka shkuar ky mandat duke atakuar sistemin gjyqësor, sesa duke i ndihmuar që të krijoj politika të mirëfillta, të cilat do t’i ndihmonin edhe sistemit gjyqësor edhe atij prokurorial”, shtoi Zekaj. /BetimipërDrejtësi
Miftaraj: Raporti i Progresit “modest” i ka kursyer institucionet ligjzbatuese, s’është treguar realiteti i vrazhdë
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Raporti i Komisionit Evropian ka qenë një raport modest që ka kursyer institucionet ligjzbatuese në Kosovë, pasi që sipas tij, nuk ka treguar realitetin e vrazhdë në të cilin gjendet Republika e Kosovës.
Ai tha se Ministria e Drejtësisë, ka neglizhuar dy dokumente sa i përket miratimit dhe zbatimit të tyre, e që njëra prej tyre është Strategjia për Sundimin e Ligjit për të cilën tha se janë investuar me qindra mijëra euro nga bashkësia ndërkombëtare.
“Në vitin 2025 nuk ka pasur plan të punës për zbatimin e kësaj strategjie. MD thuajse e ka lënë jetim këtë strategji, nuk ka pasur vullnet politik. Kur nuk ka plan të punës, atëherë si KGJK-ja, si KPK-ja por edhe agjencitë tjera, e kanë problem ta zbatojnë këtë strategji”, theksoi Miftaraj.
Ai tha se Zyra e Kyreministrit ka dështuar në hartimin e strategjisë kundër korrupsionit.
“Një qeveri e cila ka ardhur në pushtet me promovimin dhe premtimin për luftimin - parandalimin e korrupsionit, ka dështuar që për 4 vite qeverisje në madat të plotë, po edhe tash më 2025 me muaj të tërë nuk ka qenë në gjendje që të miratojë këtë strategji. Përkundrazi, ka pasur debat, ka pasur kritika, ka pasur tension në takimet e grupit punues, por edhe reagime të ashpra nga partnerët tanë ndërkombëtarë për mënyrën se si është tentuar të miratohet kjo strategji”, u shpreh Miftaraj.
Po ashtu, Miftaraj tha se ky raport ka qenë më i mirë, sesa që është në praktikë.
Sipas tij, Raporti i KE-së nuk i jep vëmendjen e duhur ushtrimit të ndikimit politik që e ka bërë legjislativi dhe ekzekutivi në raport me gjyqtarë e prokurorë.
Ai tha se për herë të parë kemi pasur një parti politike në pushtet që e kanë kundërshtuar publikisht Këshillin Gjyqësor e Prokurorial të Kosovës.
“Ka pasur komente, ka pasur deklarata politike të cilat i kanë cenuar jo vetëm integritetin, pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial - por ka pasur individualisht edhe ndaj vetë gjyqtarëve e prokurorëve. Kjo do të thotë se kanë mundur të cenojnë edhe sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha ai. /BetimipërDrejtësi
Krasniqi: Kryesuesi i KPK-së mbylli takimin se s’ka pasur kuorum, por me të njëjtit anëtarë kundërligjshëm shkarkoi Kryeprokurorin e caktoi tjetrin
Visar Krasniqi, anëtar i shoqërisë civile në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), tha se kryesuesi Ardian Hajdaraj në takimin e mbajtur më 20 nëntor kur largohen pesë anëtarë të Këshillit mbyll takimin për shkak që s’ka pasur kuorum, por që më pas u kthyen në sallë vetëm pesë anëtarë dhe kundërligjshëm shkarkuan ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe caktuan Agron Qalajn në vend të tij.
“Pas disa minutash të njëjtit kthehen me pesë anëtarë, vazhdojnë kundërligjshëm shkarkimin, për të vazhduar me një vendim tjetër të kundërligjshëm, caktimin e një prokurori tjetër në këtë pozitë”, tha Krasniqi.
Anëtari i KPK-së tha se propozimin për shkarkim të Kelmendit e kundërshtuan fuqishëm dhe mënyra e vetme ishte largimi nga mbledhja që të pamundësohet kuorumi, pasi që me qëndrimin e tyre në mbledhje do t’i kontribuonin shkarkimit të kundërligjshëm dhe arbitar të tij.
Për këtë, ai tha se ky shkarkim nuk do të duhej të ndodhte assesi, duke theksuar se e kundërshtuan përmes formave të tyre.
Krasniqi tha se këto zhvilime që kanë ndodhur së fundi në KPK nuk janë zhvillime që kanë ndodhur për 2-3 ditë, por që nga qershori i këtij viti kur ka hyrë në fuqi zbatimi i Ligjit të ri.
Ai thotë se e gjithë kjo “zhurmë” ka ndodhur lidhur me procesin e zgjedhjes së një anëtari të Këshillit.
Anëtari i ri, Krasniqi thekson se u zgjodh në një konferencë nga 74 prokurorë të shtetit, e që pas këtij rezultati, thotë se përpjekja vazhdoi deri në masën që të ndalohej certifikimi. E kur në mbledhjen e 20 nëntorit kishin në rend dite certifikimin, anëtari Krasniqi thotë se prapritur u erdhi propozimi për shkarkimin e u.d Kryeprokurorit të Shtetit.
Anëtari i Këshillit tha se tashmë KPK-ja është ndarë në dy grupe - njëri që do vazhdimin e reformës dhe tjetri që do të pengojë një proces të zgjedhjes së një anëtari të ri - që sipas tij bëhet fjalë në janar 2026 - krejt kjo Krasniqi thotë se ndodh ngase dikush është i pakënaqur me zgjedhjen e këtij anëtari i cili është zgjedhë dhe mandati i tij fillon në janar të vitit të ardhshëm.
Sipas Krasniqit, Raporti i Progresit do duhej të na shqetësonte të gjithëve, në veçanti Këshillin Prokurorial, ngase kërkohen shumë veprime që kanë nevojë të adresohen.
Gjithashtu, Krasniqi shtoi se KPK-ja edhe pse e ka parë Raportin e Progresit, nuk kanë diskutuar ende rreth gjetjeve të tij, por tha se në kapacitetin individual ka shqetësime për shumë çështje të cilat janë përmendur në raport.
Sipas tij, ajo që bie në sy më shumë është që reforma duhet të jetësohet dhe fakti se ka filluar një e tillë në qershor të këtij viti dhe debatet që po i shohim kohëve të fundit janë efekt i kësaj reforme.
Lidhur me këtë, Krasniqi u shpreh se është herët që të flitet për progres në kuptim të realizimit të sfidave që i ka identifikuar Raporti i Progresit, por që sipas tij reforma vetëm sa ka filluar. /BetimipërDrejtësi
Tahiri: Raporti i Progresit konstatoi se është bërë një punë e madhe nga KGJK-ja, në pikat ku ka ngecje do bëjmë përpjekje që t’i eliminojmë
Mustafë Tahiri, kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e mirëpret Raportin e Progresit, pasi që i njëjti e njeh përkushtimin e udhëheqjes së KGJK-së për avancimin, transparencën, përmirësimin e përformancës gjyqësore dhe zbatimin e reformave për efikasitet më të madh- përfshirë miratimin e strategjive.
Sipas tij, Raporti i Komisionit Evropian vlerëson edhe arritjet në trajtimin e lëndëve të vjetra.
“KGJK dhe sistemi gjyqësor në përgjithësi, e mirëpret vlerësimin e këtyre dokumenteve strategjike dhe përkushtimin e tij për forcimin e sundimit të ligjit, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe Këshilli Gjyqësor ka miratuar planin për komunikim në sistemin gjyqësor 2025-2027 dhe planin strategjik për trajtimin efikas të lëndëve të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, dhe krimit të organizuar”, tha Tahiri.
Tahiri në “Tempus” tha se gjatë periudhës raportuese është bërë një punë e madhe nga Këshilli Gjyqësor dhe gjykatat, mirëpo se në ato pika ku raporti ka gjetur ngecje, do të mobilizohen që të gjejnë zgjidhje për të eliminuar ngecjet e konstatuara në Raportin e Progresit.
Ai theksoi se janë të përkushtuar që të rrisin angazhimin që gjetjet e këtij raporti të jenë në fokus që në vitin e ardhshëm të jenë prioritet gjetjet e konstatuara.
Ndër tjerash, kryetari i Gjykatës në Ferizaj tha se Këshilli Gjyqësor mbetet i përkushtuar në përmirësimin e funksioneve menaxheriale dhe mekanizmave llogaridhënës, për të siguruar performancë dhe cilësi në punën e gjykatave në përgjithësi.
Ai tha se pavarësia dhe paanshëmëria e gjyqësorit mbeten parimet themelore në funksionimin e sistemit, dhe se çdo ndikim i papërshtatshëm është i papranueshëm.
Tahiri shtoi se sistemi gjyqësor në përgjithësi do të vazhdojë përpjekjet për garantimin e drejtësisë së paanshme, transparente dhe verifikimit të pasurisë së gjyqëtarëve në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Gjithashtu, Tahiri tha se tek çështja e efikasitetit, sistemi gjyqësor në bashkëpunim me tërë akterët e kësaj fushe, theksojnë afirmitetin që të marrin masa konkrete për përmirësimin e ekifasitetit dhe zgjidhjes së normës së rasteve - përkatësisht reduktimin e lëndëve të vjetra që janë grumbulluar. /BetimipërDrejtësi