Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se gjatë monitorimit të vazhdueshëm të qendrave të ndalimit dhe paraburgimit, nuk është arritur të konstatohet përdorimi i dhunës ndaj të burgosurve.
“Si institucion kemi një bashkëpunim shumë të mirë me qendrat, na ofrojnë qasje në dokumentacion dhe mundësi të pakufizuara. Kemi pranuar ankesa, por nuk kemi arritur të vërtetojmë se është përdorur dhunë ndaj të burgosurve”, deklaroi Qelaj në një intervistë për “Tempus“.
Megjithatë, ai theksoi se janë evidentuar probleme në kushte të akomodimit, në vizitat e familjarëve dhe pranimin e pakove ushqimore.
“Pjesa më shqetësuese lidhet me trajtimin e personave me çrregullime mendore. Kemi pasur disa raste të hetuara dhe konstatimet tona përputhen edhe me gjetjet e organizatave ndërkombëtare”, tha Qelaj, duke përmendur problematika kryesisht në qendrat e paraburgimit në Prizren e Pejë, si dhe në stacionet policore.
Ai u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse që të respektojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit.
“Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet të jenë më të kujdesshme me rekomandimet e institucionit të Avokatit të Popullit”, përfundoi ai. /BetimipërDrejtësi
