TEMPUS

Qelaj: Kosova i ka përmbushur standardet për të qenë anëtare e KiE-së

Qelaj

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur standardet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, duke theksuar se mosanëtarësimi paraqet një pengesë të madhe për mbikëqyrjen ndërkombëtare të punës së institucioneve vendore.

“Përveç aspekteve politike, mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës paraqet një pengesë të madhe për mbikëqyrjen ndërkombëtare të institucioneve. Ne kemi ndërtuar një sistem juridik që në themelet e tij ka vlerat e përcaktuara nga konventat evropiane dhe të inkorporuara në Kushtetutë, por që nuk ka instrumente që mbikëqyrin funksionimin e institucioneve në pajtim me këto standarde”, tha Qelaj.

Ai shtoi se asnjë shtet evropian nuk ka shpëtuar pa u gjetur përgjegjës nga Gjykata Evropiane për shkelje të të drejtave të njeriut, duke theksuar se aktualisht qytetarët e Kosovës nuk e kanë këtë mundësi.

“Përveç kësaj, mekanizmat e Këshillit të Evropës, si Komiteti për Parandalimin e Torturës, kanë mandate të kufizuara për monitorim në Kosovë”, theksoi ai.

Qelaj u shpreh se pengesat për anëtarësim janë kryesisht politike, për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga disa shtete, por sipas tij, edhe institucionet vendore nuk kanë pasur qasje të mjaftueshme për lobim.

“Kjo ka qenë një mundësi e humbur dhe një dëm i madh për Kosovën, sepse momenti ka qenë i volitshëm që vendi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës”, përfundoi Avokati i Popullit. /BetimipërDrejtësi

Lexo përditësimet tjera
Naim Qelaj

Avokati i Popullit: Zvarritja e procedurave gjyqësore, problem kryesor me të cilin ballafaqohen qytetarët

Në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se ndër...