Melazim Koci, njohës i çështjeve politike, tha se autoriteti moral i familjes Jashari nuk u lejon që ata të ndërlikohen në procese politike dhe se për këtë kanë të drejtë.
Koci deklaroi në “Tempus” në KTV, se familja Jashari është një familje legjendare, dhe se për të refuzimi i postit të presidentit ishte i pritshëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Autoriteti moral i familjes Jashari nuk u lejon që ata të ndërlikohen në procese politike dhe institucionale dhe mendoj se kanë plotësisht të drejtë”, tha Koci.
Koci theksoi se pas deklarimit të Murat Jasharit, është jokorrekte që të permendet.
“Operimi me emrin e Murat Jasharit është jokorrekte, përndryshe nëse zoti Jashari do të pranonte të kandidohej, pa asnjë dilemë them se do t’i fitonte 110 vota, do të ishte zgjidhje”, tha ai. /BetimipërDrejtësi
Bajraktari: As Kushtetuta e Indisë nuk do mund t’i parashikonte këto rrethana që përmes veprimeve subjektet politike përpiqen t’i bllokojnë
Avokati Ardian Bajraktari, në emisionin “Tempus” në KTV, derisa foli për skenare të mundshme për zgjedhjen e presidentit dhe për dispozitat kushtetuese, tha se të gjitha rrethanat nuk do mund të parashiheshin as në Kushtetutën më të gjatë në botë.
Mes tjerash, ai tha se vitet e fundit ajo që i ka karakterizuar partitë dhe deputetët ka qenë tentativa për të bllokuar diçka, e jo e kundërta.
“Definitivisht, këto rrethana, as kushtetuta që njihet Kushtetuta e Indisë, kushtetuta më e gjatë në botë, në teorinë kushtetuese nuk do të kishte mundësi t'i parashikojë të gjitha këto rrethana, të cilat natyrisht që përmes veprimeve dhe skenareve të ndryshme, subjektet politike përpiqen t'i bllokojnë”, tha Bajraktari. /BetimipërDrejtësi
Jakaj: Nëse dërgohet çështja e presidentit në Kushtetuese, i merr kohë vendit 3-5 muaj për një vendim meritor
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se sipas praktikës që ka ndërtuar Gjykata Kushtetuese, nëse dërgohet çështja e presidentit, merr kohë 3-5 muaj deri në një vendim meritor.
Fillimisht, ai tha se Gjykata Kushtetuese ka luajtur rol të rëndësishëm që prej vitit 2010, pavarësisht se në disa raste ka pasur vonesa të theksuara.
“Gjykata Kushtetuese e ka luajtur rolin që prej vitit 2010 kur e ka shpall Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, pjesërisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe pastaj prej vitit 2014 në raport me themelimin e institucioneve ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, pavarësisht se në disa raste ka pasur vonesa të theksuara”, tha Jakaj.
Mirëpo, ai theksoi se sipas praktikës që ka ndëruar, duke shteruar të gjitha mjetet, kjo çështje do merrte kohë 3-4, deri në 5 muaj, në mënyrë që të sjellë një vendim meritor.
“Por, kur e shohim praktikën që e ka ndërtuar, vërejmë që ajo i shteron të gjitha mjetet edhe në kuptimin e marrjes së komenteve, kundër-komenteve, argumenteve, kundër-argumenteve nga palët e interesuara dhe një rast i tillë, po që se dërgohet në Gjykatën Kushtetuese do t’i marrë vendit 3-4 deri në 5 muaj në mënyrë që ta sjellë një vendim meritor”, tha Jakaj.
Hulumtuesi theksoi se për një kërkesë që lidhet me pasojat e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës brenda afatit prej 30 ditëve, nuk ka ende një aktgjykim.
“Ne kemi edhe një kërkesë nga ana e presidentes që ende nuk ka aktgjykim, përveç që dihet se është pranuar, në lidhje me pasojat e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës brenda afatit prej 30 ditëve, dhe një rast tjetër”, u shpreh ai.
Jakaj konsideron se nuk është e shëndetshme për demokracinë që politika t’i pret gjithmonë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe e njëjta ta këshillojë secilin deputet të Kuvendit të Kosovës.
“Përkundër që konsiderojmë se nuk është e shëndetshme për demokracinë që politika t’i pret gjithmonë vendimet e Gjykatës Kushtetuese si vendime të cilat duhet me skicu, duhet me pa udhën, ta këshillojë Gjykata secilin deputet të Kuvendit të Kosovës, sepse ai deputet betohet në një seancë konstituive edhe betimin që e bën është mbi bazën e njohurive që i ka edhe për Kushtetutën edhe për parimet demokratike edhe për tiparet e një qeverisje të mirë”, tha ai.
Jakaj ritheksoi se nuk do duhej që gjithmonë të kemi lexim të situatave nga Kushtetuesja për t’iu hapur rrugë proceseve.
“Në ndërkohë pritjet janë që gjithherë një arbitër që është jashtë, që është shumë mirë që janë pritjet, por nuk do duhej gjithmonë që të kemi vetëm lexim të situatave nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe veprimeve të Kuvendit në mënyrë që të ndriçohet rruga pastaj”, u shpreh ai. /BetimipërDrejtësi
Cilat janë dy rastet kur vendi shkon në zgjedhje në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit?
Avokati Ardian Bajraktari, në emisionin “Tempus” në KTV, foli për dy rastet kur vendi shkon në zgjedhje në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit.
“E para është në rast se nuk arrihet të merret numri i mjaftueshëm i votave në raundin e parë dhe të dytë prej 80 deputetësh, përkatësisht 80 vota për, me kusht që me qenë në sallë dhe në proces të votimit, përkatësisht në kuti të votimit duhet me qenë 80 vota për. Ndërsa, në raundin e tretë 61. Në rast se në këto tri runde nuk arrihet që asnjëri prej kandidatëve me i marrë këtë numër të votave, vendi shkon në zgjedhje me automatizëm dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh”, tha Bajraktari.
Avokati tha se situata e dytë është kur dështon procesi i zgjedhjes së presidentit në afat prej 60 ditësh nga momenti i fillimit të procedurave për zgjedhjen e presidentit. Procedura në kuptim formal, ai tha se konsiderohet se ka nisur kur një kandidat ka siguruar 30 nënshkrime si kusht i domosdoshëm për ta filluar procesin e përzgjedhjes.
Sipas Bajraktarit, neni 86, paragrafi 2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka përcaktuar qartë se presidenti i vendit duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit.
Bajraktari theksoi se dispozitat kushtetuese dhe afatet janë obligative dhe detyruese.
“Janë obligative, mirëpo nuk ka dispozitë tutje se çka nëse nuk arrihet të zgjidhet brenda kësaj periudhe”, tha Bajraktari.
Sipas avokatit, Osmani në arenën ndërkombëtare ka pasur performancë më të mirë në raport me atë që është parë në nivel vendi. /BetimipërDrejtësi
Gajtani: Kurti nuk u përgjigj pse nuk po e rikandidon Osmanin, qasje të kundërt pati Abdixhiku
Flamur Gajtani, gazetar në Klan Kosova, tha se Kryeministri Albin Kurti nuk u përgjigj se përse nuk po e rikandidon Vjosa Osmanin, derisa qasja e Lumir Abdixhikut ishte e kundërt.
“Ajo çka ishte edhe më shqetësuese sot, ishte kur u pyet Kurti se pse nuk po e rikandidon Vjosa Osmanin, ai nuk dha përgjigje konkrete, por prapë u soll tek numrat, duke i përmendur 66 votat e veta dhe ato që mungojnë, dhe diskutimet që janë duke ndodhur për të siguruar 80 vota apo 2/3”, tha Gajtani në “Tempus“ në KTV.
Ai theksoi se në anën tjetër, qasja e Abdixhikut karshi Osmanit ishte e kundërt, sipas tij, edhe pse ajo konsiderohet se e ka dëmtuar partinë që udhëheq Abdixhiku.
“Derisa krejt e kundërt ishte qasja e Abdixhikut karshi Vjosa Osmanit duke e ditur se ajo konsiderohet që e ka dëmtuar shumë partinë e tij, konsiderohet pikërisht arsyeja pse ka rënë në 12%, duke thënë që nuk ka votë kundër për asnjë kandidat e aq më pak për presidenten aktuale, Vjosa Osmani”, u shpreh Gajtani.
E kjo sipas gazetarit, është komplet një kontradiktë për shkak se pikërisht në vitin 2021, ndonëse situata ishte pothuajse identike sikur tani, Vetëvendosje e kishin propozuar, pa konsensus, pa marrëveshje, e pa ujdi. /BetimipërDrejtësi
Jakaj: Si shoqëri civile kemi kërkuar dialog të mirëfilltë nga partitë, por nuk është respektuar
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se si shoqëri civile kanë kërkuar dialog të mirëfilltë nga partitë, por nuk e respektuan.
“Përmes letrës të dërguar partive politike, kemi kërkuar dialog të mirfilltë, kjo gjë nuk është respektuar”, tha Jakaj.
Lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit, Jakaj tha në “Tempus” në KTV se nuk ka pasur transparencë.
“Ka munguar transparenca, ka munguar qartësia dhe mbi të gjitha një debat përmbajtjësor mbi atë se kush do të mund të ishte president i Kosovës” tha Jakaj.
Sipas tij, procesi nuk është bërë në mënyrë të duhur, ndërsa tani është vonë dhe në mënyrë të dëmshme.
Jakaj tha se po hyjmë në dy-tre ditët e fundit kur duhet të zgjidhet presidenti, por sipas tij, fatmirësisht është formuar Kuvendi dhe është votuar buxheti.
Ndërsa, në lidhje me atë se cili do të duhej të ishte debati që do duhej të kërkonin partitë politike për Presidentin, Jakaj listoi disa kritere.
“Të kishte integritet moral të pakontestueshëm, figurë e pastër që nuk ka afera dhe dyshime në korrupsion, pavarësi reale nga partitë politike, respekt të palëkundur për Kushtetutën”, tha Jakaj. /BetimipërDrejtësi
Koci: Jemi duke parë një garë se kush kë do ta fajësojë për shkuarjen në zgjedhje
Melazim Koci, njohës i çështjeve politike, tha se sa i përket çështjes së postit të presidentit, është duke u parë një garë se kush kë do ta fajësojë për shkuarjen në zgjedhje.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Koci e vlerësoi situatën si mungesë kompromisi.
“Fillimisht është mungesë kompromisi sepse ne e hetuam para 5 ditësh, në takimin e parë të Kurtit dhe Hamza, e Kurtit me Abdixhikun, kishte sinjale që mund të kërkohet një kandidat konsensual”, tha ai.
Derisa theksoi se nga ky pozicion u hoq dorë para dy ditësh dhe se sipas tij, tani nuk ka përpjekje për të gjetur konsensus.
Koci tha se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me një kandidat konsensual ose marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
“Unë mendoj që kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me një kandidat konsensual ose në një marrëveshje mes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Numrat kështu flasin, por as njëra e as tjetra nuk janë në horizont”, u shpreh Koci.
Ai tha se Kosova, me hapa të sigurt është duke shkuar drejt zgjedhjeve të reja, por që nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë mendoj se Kosova, me hapa të sigurt është duke shkuar drejt zgjedhjeve tjera. Fatkeqësisht me ndërlikime, nuk e përjashtoj mundësinë edhe me dërgim të çështjes në Gjykatën Kushtetuese dhe zhagitje të procesit, praktikisht kthehemi atje diku në prillin ose marsin e vitit të kaluar dhe kthimin në fazën e paqëndrueshmërisë institucionale në Kosovë”, shtoi Koci. /BetimipërDrejtësi