Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se Gjykata Kushtetuese pritet të gjejë shkelje në zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Rrjedhimisht, sipas Bugaqkut, i gjithë procesi mund të rikthehet në pikën zero.

“Konsideroj se Gjykata do të gjejë shkelje kushtetuese sa i përket zgjedhjes së nënkryetarëve dhe procesi do të kthehet në pikën zero”, është shprehur Bugaqku.

Sipas tij, Kuvendi nuk është konstituuar sepse nuk ka përfunduar zgjedhja e nënkryetarëve.

“Pres që të rivendoset afati edhe një herë sa i përket konstituimit të Kuvendit, konsideroj se gjykata do ta faktojë faktin që Kuvendi nuk është i konstituuar sa i përket nënkryetarëve. Kuvendi konstituohet kur të zgjedhet kryetari dhe nënkryetarët, fjala nënkryetar nënkupton të gjithë nënkryetarët e Kuvendit, andaj pres që kjo të sqarohet edhe më tutje në vendimin e ri që pritet të dalë nesër”, shtoi Bugaqku. /BetimipërDrejtësi

“Mund të shkohet në zgjedhje, përmes një standardi të jashtëzakonshëm nga Kushtetuesja”

2 o. më parë / 29 sht 2025 22:34
Vullnet Bugaqku

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha se nuk përjashtohet mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, përmes një standardi të jashtëzakonshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Hulumtuesi tha në “Tempus” se duhet të ketë konstituim të Kuvendit pasi nuk është precedent i mirë që vendi të shkojë në zgjedhje pa u bërë ende konstituimi i Kuvendit.

“Sepse kjo do linte mundësi që çdo shumicë e cila i fiton zgjedhjet, të inskenojë procedura të atilla që zvarritë procedurat e konstituimit të Kuvendit dhe sërish ta dërgojë vendin në zgjedhje”, tha Bugaqku.

Por, ai tha se nuk përjashtohet mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Gjykata përkundër tri aktgjykimeve që ua ka bërë të qartë këtyre deputetëve se keni detyrim me konstituu Kuvendin brenda një afati dhe rrjedhimisht e ka bërë të qartë që edhe grupi parlamentar fitues i zgjedhjeve që ka më së shumti ulëse në Kuvend, ka edhe përgjegjësinë kryesore të krijojë shumicë parlamentare”, tha hulumtuesi.

Andaj, Bugaqku tha se duke pasur parasysh këto, interpretimi mund të jetë i atillë që si opsion final mund të shkojë vendi në zgjedhje.

“Por, para se të shkojmë në një opsion final në zgjedhje, Gjykata Kushtetuese mund t’i shterojë edhe mundësitë e tjera, të interpretimeve që mund t’i bëjë karshi mosrespektimit të afatit 30 ditor. E para është që këta deputetë- 120 deputetë nuk e respektojnë afatin 30 ditor, nuk e konstituojnë Kuvendin sipas standardit të Gjykatës Kushtetues, nuk e përjashtoj mundësinë që edhe mund t’ua marrë mandatet”, u shpreh Bugaqku.

Rrjedhimisht, Kushtetuesja sipas Bugaqkut do të urdhëronte të bëhet zëvendësimi i këtyre deputetëve me të tjerë, të cilëve po ashtu do t’u vendoste afat 30 ditor për konstitumin e Kuvendit.

“Në rast se shteret kjo mundësia e zëvendësimit të mandateve të deputetëve, nuk mbetet opsion tjetë pos me urdhëru presidenten që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme si një standard i jashtëzakonshëm”, tha Bugaqku. /BetimipërDrejtësi

Jakaj: Askush s’ka dërguar informacione që të nisen procedura ligjore për të shpallur Listën Serbe organizatë politike jokushtetuese

2 o. më parë / 29 sht 2025 22:33
Naim Jakaj

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se deri tani askush nuk ka dërguar informacione që të nisen procedura ligjore për ta shpallur Listën Serbe jokushtetuese.

Jakaj tha në emisionin “Tempus” se Lëvizja Vetëvendosje ka pretenduar se nënkryetari i Listës Serbe, ka qenë i përfshirë në rastin Banjska.

“Me pretendimin se nënkryetari i saj ka qenë i përfshirë në rastin Banjska, se Lista Serbe ka qenë e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë nga një grup që ka qenë i udhëhequr nga nënkryetari i atëhershëm (Milan) Radoiçiq”, tha Jakaj.

Ai tha se një gjë e tillë po rezulton të jetë hipokrite, ngase Prokuroria Speciale ka theksuar se deri më tani askush nuk ka dërguar informacione në Prokurori për çështje që lidhen me atakimin ose nisjen e procedurave në mënyrë që Lista Serbe, me procedura të rregullta gjyqësore të shpallet si organizatë politike e jokushtetuese.

“Ne pamë edhe deklarimin dhe komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës se deri tani askush nuk ka dërguar informacione tek Prokuoria për çështjet që lidhen me nisjen e procedurave që një parti si Lista Serbe të shpallet si organizatë politike e jokushtetuese që cenon vlerat kushtetuese dhe rrezikon ato”, tha Jakaj.

Po ashtu, Jakaj përmendi që propozimi për votimin ndaras të nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet pakicë u bë nga ministri në detyrë Elbert Krasniqi që vie nga radhët e komunitetit egjiptian. Tha se edhe komunitetet tjera do duhej të ishin më shumë në funksion të garantimit të kushtetutshmërisë për secilin komunitet në vend. /BetimipërDrejtësi

Bugaqku: Pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-ja, goditje e rëndë

2 o. më parë / 29 sht 2025 22:32
Vullnet Bugaqku

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), e quajti goditje të rëndë pezullimin e dialogut strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fillimisht, Bugaqku tha se nuk ka sens të konsiderohet Kuvendi i konstituuar derisa nuk ka përfaqësues nga pakicat, duke pasur parasysh rëndësinë e kryesisë.

“Nuk ka sens, as logjik e as juridik të konsiderohet që Paralamenti si institucion kushtetues është i konstituum ani pse rrjedhimisht nuk ka përfaqësim të një komuniteti të caktuar në kryesinë e Kuvendit”, tha Bugaqku në “Tempus“.

Hulumtuesi i KDI-së tha se kjo është një politikë e gabuar e cila po i kushton Kosovës edhe në imazhin ndërkombëtar, duke theksuar ndërprerjen e dialogut strategjik nga SHBA-ja, e cila tha se është një goditje e rëndë derisa përmendi faktin se pa mbështetjen e SHBA-së, Kosova nuk mund të funksionojë.

“Mendoj se është politikë e gabuar edhe për faktin se unë mendoj se kjo po na kushton edhe në imazhin tonë ndërkombëtar. Ne kemi masa dhe sanksione, së fundmi SHBA-të e pezulluan një dialog strategjik me Kosovën dhe besoj se është një goditje e rëndë që i bëhet këtij shteti dhe këtij populli”, tha Bugaqku.

Bugaqku theksoi se me sa duket nuk e kemi të qartë bazamentin e Kushtetutës, pasi që sipas tij, duhet të kuptojmë se përderisa e kemi këtë Kushtetutë, përfaqësimin e minoriteteve- kushdo qofshin ato, e kemi të garantuar. Tha se Kushtetuta qartë përcakton se minoritetet i kanë vendet e garantuara.

Po ashtu, Bugaqku foli edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ne ekzistojmë për faktin se SHBA-të kanë kontribuar që ne të ekzistojmë si shtet, së pari duke fitu lirinë dhe së dyti duke e krijuar pavarësinë, e cila sot e ka kriju një shtet që është njohur nga mbi 100 vende”, tha Bugaqku. /BetimipërDrejtësi

Bugaqku: Rrezikojmë që Kuvendi të futet në një bllokadë të re

2 o. më parë / 29 sht 2025 22:31
Bugaqku: Rrezikojmë që Kuvendi të futet në një bllokadë të re

Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, ka thënë Kuvendi i Kosovës mund të futet në një fazë të re bllokuese.

Kjo për shkak se, sipas Bugaqkut, në fazat e votimit për konstituimin e Kuvendit, kanë votuar edhe deputetë që njëkohësisht mbajnë pozita në qeveri.

“Ne rrezikojmë përsëri të futemi në një bllokadë të re të konstituimit të Kuvendit. Kurdo që konsiderohet që Kuvendi është i konstituuar. Mjafton një palë ta dërgojë si çështje në Gjykatën Kushtetuese, faktin se ka deputetë ministra apo ministra deputetë që marrin pjesë në procedura të votimit të konstituimit të Kuvendit dhe këto janë shkelje të rënda, shkelje që e prishin konstituimin e Kuvendit”, tha Bugaqku në “Tempus“.

Gjithashtu, Bugaqku sqaroi se kjo çështje mund të dërgohet në Kushtetuese nga Avokati i Popullit dhe të tjera subjekte.

“Kjo gjë mund të bëhet nga Avokati i Popullit dhe të tjerë… Nëse dikush tenton ta zvarrisë edhe më tutje konstituimin e Kuvendit, e ka një brum që mjaftueshëm ta dërgojë dhe ta kontestojë konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Bugaqku.

Ai shtoi se Kushtetuta nuk lë mundësi të pengimit të përfaqësimit të një komuniteti të caktuar në organet kushtetuese.

“Kushtetuta nuk lë mundësi të diktojë dhe të pengojë përfaqësimin e një komuniteti të caktuar në organet kushtetuese. Pra, gjykata duhet ta sqarojë këtë”, shtoi Bugaqku. /BetimipërDrejtësi

Jakaj: Kushtetuesja duhet të vlerësojë edhe kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit

2 o. më parë / 29 sht 2025 22:28
Naim Jakaj

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Gjykata Kushtetuese mund të vlerësojë edhe çështjen e zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar i Kuvendit.

Sipas Jakajt, kjo mund të ndodhë për shkak se Basha u zgjodh kryetar Kuvendi me votat e deputetëve që po ushtrojnë edhe funksionin e ministrit.

“Nuk përjashtohet mundësia që Gjykata Kushtetuese të hyjë tek kryetari i Kuvendit. Ajo që është thënë vazhdimisht, e kemi thënë edhe ne si organizatë (IKD) dhe të tjerët, është që Gjykata Kushtetuese do të duhej të hynte edhe te vlerësimi kushtetutshmërisë së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme për një udhëzim administrativ të ministrit Murati ku gjykata e shpalli të paligjshëm, sepse ai (udhëzim) u nxor nga një ministër që ka dy funksione përnjëherë dhe një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet që vetë Qeveria e ka miratuar”, është shprehur Jakaj në “Tempus“.

Përkundër se në Kushtetutë dhe Rregullore të Kuvendit nuk përcaktohet se nënkryetarët e Kuvendit mund të votohen në pako apo jo, sipas Jakajt, kjo praktikë është ndërtuar nga vitit 2008 dhe nuk duhet ndryshuar.

“Për nënkryetarët e tjerë (joshumicë), nuk do të kishte vota asnjëherë, andaj është vendosur të votohen në pako, nuk ka në rregullore apo në Kushtetutë që thuhet në pako, por praktika e ka ndërtuar, fryma e Kushtetutës, fryma e rregullores së Kuvendit, e ka kërkuar që të propozohen në pako dhe të votohen në pako. Ky devijim nga ky rregull që është prej vitit 2008 është cenim i garancive kushtetuese që ne edhe përmes procesit negociator në Vjenë që ka kulmuar pastaj me Pavarësinë e Kosovës është cenuar”, ka thënë Jakaj.

Andaj, sipas  tij, pritjet janë që Kushtetuesja ta rrëzojë procedurën e devijuar nga Basha.

“Për këtë pritjet janë që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë një procedurë të tillë që është devijuar nga kryetari Basha dhe të përsërisë procesin e votimit prej këtyre dy nënkryetarëve”, shtoi Jakaj. /BetimipërDrejtësi