Ngadhnjim Arrni, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, deklaroi se përkundër mungesës së stafit dhe kufizimeve buxhetore, sistemi gjyqësor ka arritur të performojë mbi normën 100 për qind sa i përket efikasitetit.
Ai ka thënë në emisionin në “Tempus” në KTV, se mungesa e stafit e vështirëson arritjen e objektivave të planifikuara, ndërsa me buxhet shtesë dhe më shumë resurse, rezultatet do të ishin edhe më të larta.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Arrnit, gjatë këtij viti ka pasur lëndë përtej parashikimeve që kanë ardhur në gjyqësor, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në ngarkesën e sistemit.
Megjithatë, përkundër këtyre sfidave dhe mungesave buxhetore që kanë reflektuar edhe në mungesë resursesh njerëzore, Arrni potencoi se masa e efikasitetit ka qenë mbi normën 100 për qind.
Ai e cilësoi këtë si një rezultat të dëshirueshëm, bazuar edhe në matjet e organizatave të tjera, duke shtuar se kjo përbën një arritje të rëndësishme të gjyqësorit, pavarësisht vështirësive që lidhen me linjat buxhetore dhe numrin e madh të lëndëve në trajtim. /BetimipërDrejtësi
Krasniqi: Reforma e ka kaluar çdo logjikë të bllokadës, është për keqardhje
Visar Krasniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se reforma në sistemin prokurorial e ka kaluar çdo logjikë të bllokadës dhe është për keqardhje për gjendjen në të cilën ndodhen.
“Si duket kjo reforma jonë e ka kaluar çdo logjikë normale të bllokadës dhe vërtetë është për keqardhje për gjendjen në çfare jemi tash”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se ndryshimi i Ligjit të ri, ka sjellë nevojën për ndryshime të shumë rregulloreve e udhëzuesve të funksionimit të brendshëm.
Gjithashtu, anëtari i KPK-së theksoi se në vitin 2025 nuk ka pasur raportim vjetor të Kryeprokurorit në Këshillin Prokurorial e as raportim periodik.
Ai tha se nuk ka pasur as vizita të anëtarëve të Këshillit Prokurorial nëpër prokurori për të qenë në dijeni për problemet e secilës prokurori, të cilat janë veprime bazike elementare. /BetimipërDrejtësi
Arrni: Koha kur gjyqësorit ka mundur t’i mbetet një lëndë e krimit dhe korrupsionit në sirtar ka kaluar
Ngadhnjim Arrni, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në emisionin “Tempus” në KTV, deklaroi se periudha kur një lëndë e krimit apo korrupsionit ka mundur të mbetej në sirtar pa u trajtuar, tashmë ka kaluar.
Sipas tij, sot ekziston një mbikëqyrje shtesë ndaj sistemit gjyqësor, jo vetëm nga mekanizmat e Këshillit Gjyqësor, por edhe nga mediat dhe shoqëria civile.
“Koha kur gjyqësorit ka mundur t’i mbetet një lëndë e krimit dhe korrupsionit në sirtar ka kaluar”, theksoi Arrni.
Ai shtoi se planet e punës janë konkrete dhe publike, çka u mundëson qytetarëve të shohin se cilat lëndë duhet të përfundojnë brenda vitit dhe arsyet nëse një rast i caktuar nuk është trajtuar.
Kryetari bëri të ditur se në rastet kur një lëndë nuk arrin të përfundojë brenda afatit të paraparë, do të publikohet një raport i veçantë që shpjegon arsyet e vonesës.
Po ashtu, Arrni paralajmëroi se prioritetet për vitin 2026 do të jenë transparente, duke theksuar angazhimin për rritjen e llogaridhënies dhe besimit publik në sistemin e drejtësisë. /BetimipërDrejtësi
Krasniqi: Sistemi prokurorial në gjendje të keqe, s’ka arritur të rekrutojë as 22 prokurorë të rinj
Visar Krasniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se sistemi prokurorial është në gjendje të keqe, pasi që për një vit, nuk ka arritur të rekrutojë as 22 prokurorë të rinj.
“Rekrutimi ka qenë sfidë e sistemit prokurorial edhe vitin e kaluar, ju e dini që përkundër asaj që sistemi prokurorial ka pasur vazhdimisht mungesë buxheti, megjithatë atë buxhet që e kemi pasur për rekrutimin e 22 pozitave të prokurorëve të rinj, nuk kemi arritur ta realizojmë. Pra, për vitin 2025 derisa sistemi gjyqësor ka vendosur në sistem diku 200 gjyqtarë, sistemi prokurorial nuk ka arritur për një vit rresht t'i rekrutojë 22 prokurorë të rinj”, tha Krasniqi.
Ai tha se ka sfida të mëdha që kërkojnë angazhim maksimal të Këshillit Prokurorial, gjë e cila nuk po shihet në horizont.
Krasniqi tha se sistemi prokurorial është në gjendje të keqe, duke përmendur se në Prokurorinë në Mitrovicë kanë bërë transfere të jashtëzakonshme që të mbulohen nevojat e sistemit prokurorial.
Gjithashtu, ai tha se sistemi prokurorial nuk ka arritur që të diskutojë dhe të ketë strategji për gjëra më bazike, e rrjedhimisht as për vepra të caktuara penale, ashtu që të ketë një profilizim të prokurorëve, si dhe trajnime të vazhdueshme. /BetimipërDrejtësi
Marmullakaj: Hartimi i ligjeve duhet t’i paraprijë një analize dhe koordinimi me institucionet ligjzbatuese
Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se një nga arsyet kryesore të problemeve në zbatimin e ligjeve lidhet me mungesën e analizës së thelluar dhe koordinimit institucional gjatë hartimit të tyre.
Sipas tij, hartimit të ligjeve duhet t’i paraprijë një analizë e thuktë dhe një koordinim i plotë mes institucioneve bazë dhe atyre që më pas janë përgjegjëse për zbatimin e ligjit.
“Në këtë rast duhet të ketë koordinim të plotë me Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor,” theksoi Marmullakaj në emisionin “Tempus“ në KTV, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve ligjzbatuese që në fazën fillestare të draftimit.
Ai përmendi se ka pasur ligje që kanë qenë të koordinuara me Komisionin e Venecias, por edhe raste kur ligje të caktuara janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe kanë pësuar ndryshime apo janë shpallur kundërkushtetuese.
Sipas Marmullakajt, këto situata kanë ndodhur pikërisht për shkak se nuk u ka paraprirë analiza e nevojshme dhe ka munguar koordinimi i mirëfilltë me institucionet që do të duhej t’i zbatonin këto ligje në praktikë. /BetimipërDrejtësi
Krasniqi nga KPK: Fatkeqësisht sukseset e sistemit prokurorial janë të kufizuara, reforma s’është pranuar me lehtësi
Visar Krasniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës,tha se sukseset e sistemit prokurorial janë të kufizuara sepse që nga qershori i vitit të kaluar KPK-ja përballet me probleme bazike të funksionimit, e të cilat ndikojnë në punën e sistemit prokurorial.
“Do të isha shumë i lumtur të flas për sukseset e sistemit prokurorial, por fatkeqësisht janë të kufizuara ato sepse ju e dini që nga viti i kaluar- qershori i vitit të kaluar e deri më tani, Këshilli Prokurorial përballet me probleme bazike të funksionimit të tij”, tha Krasniqi në “Tempus” në KTV.
Ai theksoi se reforma nuk është pranuar me lehtësi në Këshill dhe se të gjitha këto zhvillime afektojnë punën e sistemit prokurorial.
Krasniqi tha se në vitin 2025 sistemi prokurorial ka nxjerrë Planin Strategjik 2025–2027, por që fatkeqësisht në vitin 2025 nuk është mbajtur ndonjë takim sa i përket identifikimit të obligimeve dhe objektivave që dalin nga ky plan.
“As sistemit prokurorial e as vendit në përgjithësi nuk i mungojnë ligjet e mira, mirëpo zbatimi i tyre po haset gjithmonë e më shumë në vështirësi”, ka thënë Krasniqi.
Ai tha se deri në vitin 2025 lëndët e korrupsionit kanë pasur një kalueshmëri të aktakuzave rreth 50% në Gjykatë, ndërsa në vitin 2025 e tutje kjo përqindje është rritur afërsisht 60%, andaj edhe ka pasur një progres të vogël sa i përket këtyre rasteve. /BetimipërDrejtësi
Arrni: Viteve të fundit janë rekrutuar rreth 200 gjyqtarë në mënyrë të pavarur
Ngadhnjim Arrni, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, deklaroi se gjatë viteve të fundit janë rekrutuar rreth 200 gjyqtarë, përmes një procesi të pavarur të zhvilluar nga vetë sistemi gjyqësor.
Sipas tij, kjo nënkupton se është vetë sistemi gjyqësor ai që realizon procesin e rekrutimit në mënyrë të pavarur, duke përmbyllur të gjitha procedurat si për gjyqtarët, ashtu edhe për bashkëpunëtorët profesionalë dhe stafin tjetër mbështetës.
“Në këtë kontekst, kjo i jep kuptim të plotë pavarësisë së gjyqësorit”, theksoi Arrni në “Tempus“ në KTV.
Ai vlerësoi se në veçanti rekrutimet e gjyqtarëve përbëjnë një sukses të Këshillit Gjyqësor, duke i lidhur këto procese me transparencën dhe llogaridhënien.
Sipas tij, këto procese janë mbështetur edhe nga raporte vendore dhe ndërkombëtare, të cilat kanë vlerësuar pozitivisht mënyrën e zhvillimit të tyre.
Arrni shtoi se forcimi i kapaciteteve njerëzore përmes rekrutimeve të reja ndikon drejtpërdrejt në funksionimin më efikas dhe më të pavarur të sistemit të drejtësisë. /BetimipërDrejtësi
Marmullakaj: Kosova, vendi i fundit në procesin e integrimeve evropiane
Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, deklaroi se Kosova mbetet vendi i fundit në rajon sa i përket procesit të integrimeve evropiane, duke theksuar se vendi nuk ka arritur të ndërmarrë reformat e nevojshme për të avancuar drejt Bashkimit Evropian.
“Kosova do të thoja që është vendi i fundit në procesin e integrimeve evropiane dhe nuk ka arritur të ndërmarrë një sërë reformash që nevojiten për procesin e integrimit evropian”, tha Marmullakaj.
Ai krahasoi Kosovën me vendet e tjera të rajonit, duke përmendur se shumica prej tyre kanë hapur dhe në disa raste edhe kanë mbyllur kapituj negociues.
Sipas tij, Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt, por ende nuk ka arritur t’i mbyllë, ndërsa Mali i Zi ka arritur të mbyllë më shumë se shtatë kapituj.
Marmullakaj theksoi se Kosova është dukshëm prapa vendeve të rajonit, përkundër faktit që ka nisur më vonë procesin krahasuar me to.
Ai shtoi se Kosova përballet edhe me kritere shtesë, të cilat nuk i kanë vendet e tjera të rajonit, duke përmendur si shembull dialogun si një nga sfidat specifike në rrugën e integrimit evropian. /BetimipërDrejtësi