Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka njoftuar se me homologun e tij nga Kina, Xi Jinping, kanë bërë përparim në marrëveshjen për TikTokun dhe se do të takohen personalisht pas gjashtë javësh në Korenë e Jugut për të diskutuar çështje të ndryshme, përfshirë tregtinë e luftën e Rusisë në Ukrainë, raportoi të dielën Reuters.
Ky ishte takimi i parë pas tre muajsh mes dy liderëve të superfuqive, ku duket se tensionet janë ulur, megjithatë nuk është e qartë nëse nga ky bisedim është arritur një marrëveshje përfundimtare, siç është pritur, për fatin e TikTokut.
Megjithatë, të dyja palët ranë dakord për të vazhduar bisedimet gjatë Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit, që do të mbahet më 31 tetor në Gyeongju të Koresë së Jugut.
Trumpi gjithashtu deklaroi se do të vizitojë Kinën në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa Xi do të vizitojë SHBA-në më vonë. Po ashtu, njoftoi se marrëveshja për TikTokun është "në rrugën e duhur" dhe se mund të nënshkruhet një marrëveshje formale.
Bisedimet e dy liderëve, që zgjatën rreth dy orë, përfshinë diskutime të tjera mbi tregtinë e luftën në Ukrainë. Trump u shpreh se Xi dëshiron që konflikti në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt.
Megjithatë, Kina ende nuk ka dhënë miratim të plotë për marrëveshjen e arritur, ndërsa Pekini ka theksuar se qëndrimi i tij është i qartë: qeveria kineze respekton dëshirat e kompanisë që është në pyetje dhe mbështet arritjen e një marrëveshjeje të drejtë për TikTokun përmes konsultimeve.
Marrëveshja e mundshme do të transferojë asetet e TikTokut në SHBA nga pronari aktual, ByteDance i Kinës. Pavarësisht shqetësimeve në SHBA për mundësinë e spiunazhit ose operacioneve të ndikimit nga Kina, Pekini ka hedhur poshtë çdo akuzë për kërcënim të mundshëm nga aplikacioni.