TikToku ka finalizuar një marrëveshje për krijimin e një sipërmarrjeje të re të përbashkët në Shtetet e Bashkuara, me pronësi shumicë amerikane, duke synuar shmangien e një ndalimi të aplikacionit në tregun amerikan.
Lajmi u konfirmua gjatë fundjavës nga kompania mëmë kineze, ByteDance, e cila deklaroi se marrëveshja do të garantojë sigurinë e të dhënave të përdoruesve amerikanë përmes masave të avancuara të privatësisë dhe sigurisë kibernetike, raportoi të dielën Reuters.
Marrëveshja shënon moment kyç për TikTokun pas vitesh përplasjesh me autoritetet amerikane, të nisura në gusht 2020, kur presidenti Donald Trump tentoi të ndalonte aplikacionin për arsye të sigurisë kombëtare.
Sipas marrëveshjes, sipërmarrja e re “TikTok USDS Joint Venture LLC” do të zotërohet 80.1% nga investitorë amerikanë dhe globalë, ndërsa ByteDance do të mbajë 19.9%.
Tre investitorët kryesorë menaxhues — gjiganti i kompjuterëve cloud Oracle, fondi i kapitalit privat Silver Lake dhe firma investuese MGX me bazë në Abu Dhabi — do të kenë secili nga 15% të aksioneve.
Presidenti Trump e përshëndeti marrëveshjen në një postim në rrjetet sociale, duke deklaruar se TikToku “tani do të zotërohet nga një grup patriotësh dhe investitorësh të mëdhenj amerikanë”.
Ai falënderoi gjithashtu presidentin kinez Xi Jinping për miratimin e marrëveshjes.
Sipërmarrja e re do të merret me menaxhimin e të dhënave të përdoruesve amerikanë, aplikacionit dhe algoritmit të rekomandimeve. Algoritmi do të ritestohet dhe përditësohet duke përdorur të dhëna amerikane dhe do të ruhet në cloud-in amerikan të Oracle.