Aplikacioni amerikan i mesazheve WhatsApp, ka akuzuar autoritetet në Rusi të enjten se po përpiqen të bllokojnë plotësisht shërbimin e tij me qëllim që t'i drejtojnë rusët drejt një aplikacioni shtetëror, i cili pretendohet se është përdorur për mbikëqyrje.
“Përpjekja për të izoluar mbi 100 milionë përdorues nga komunikimi privat dhe i sigurt është një hap prapa dhe mund të çojë vetëm në më pak siguri për njerëzit në Rusi”, thuhet në një deklaratë të WhatsApp.
“Ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për t'i mbajtur përdoruesit të lidhur”, vazhdon deklarata.
Disa emra domenesh të lidhur me WhatsApp u zhdukën të enjten nga regjistri kombëtar i emrave të domeneve të Rusisë, që do të thotë se pajisjet brenda Rusisë ndaluan së marrë adresat e saj IP nga aplikacioni, dhe se e vetmja mënyrë për të pasur qasje ishte duke përdorur një rrjet privat virtual, shkruan Reuters.
Roskomnadzor, rregullatori shtetëror i komunikimeve në Rusi, në gusht filloi të kufizonte WhatsApp dhe shërbimet e tjera të mesazheve, duke e bërë të pamundur kryerjen e thirrjeve telefonike në to, nën arsyetimin se platformat në pronësi të huaj po shkelin ligjin duke mos ndarë informacion në rastet e mashtrimit dhe terrorizmit.
Në dhjetor kompania, Roskomnadzor njoftoi se po merrte masa të reja për të kufizuar gradualisht aplikacionin, të cilin e akuzoi se vazhdon të shkelë ligjin rus dhe se është një platformë e përdorur "për të organizuar dhe kryer akte terroriste në territorin e vendit, për të rekrutuar autorët e tyre dhe për të kryer mashtrime dhe krime të tjera".
Që atëherë, shumë rusë kanë qenë në gjendje të përdorin WhatsApp-in vetëm me një rrjet privat virtual dhe kanë kaluar në përdorimin e aplikacioneve rivale të mesazheve, megjithëse disa prej tyre, si Telegram, janë gjithashtu nën presion nga autoritetet për të njëjtat arsye.
Në një video të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se ekzistonte mundësia e arritjes së një marrëveshjeje, nëse Meta hynte në dialog me autoritetet ruse dhe zbatonte ligjin.