Tech

Rusia kufizon thirrjet në WhatsApp dhe Telegram

WhatsApp

Rusia ka filluar të kufizojë disa thirrje në Telegram dhe WhatsApp, duke akuzuar këto platforma në pronësi të huaj se nuk kanë ndarë informacion me autoritetet në rastet që lidhen me mashtrimet dhe terrorizmin, njoftoi të mërkurën Ministria e Zhvillimit Digjital, raportoi Reuters.

Rusia ka pasur përplasje me platformat e huaja të teknologjisë për disa vjet me radhë, veçanërisht për çështje të përmbajtjes dhe ruajtjes së të dhënave, një konflikt që u përshkallëzua pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022. 

Kritikët thonë se Rusia po përpiqet të zgjerojë kontrollin e saj mbi hapësirën digjitale të vendit.

Presidenti Vladimir Putin ka autorizuar zhvillimin e një aplikacioni të ri shtetëror për mesazhe, të integruar me shërbimet qeveritare, ndërsa Moska kërkon të sigurojë atë që e quan "sovranitet digjital" – duke promovuar shërbime të brendshme dhe duke reduktuar varësinë nga platforma si WhatsAppi dhe Telegrami.

"Për të luftuar aktivitetet kriminale... po merren masa për të kufizuar pjesërisht thirrjet në këto platforma të huaja," citohet të ketë thënë rregullatori i komunikimeve Roskomnadzor, sipas agjencisë Interfax.

Meta u shpall organizatë ekstremiste nga Moska në vitin 2022, por WhatsAppi, që përdoret gjerësisht në Rusi, u lejua të vazhdojë të funksionojë. Megjithatë, platforma ka marrë disa gjoba për mos-heqjen e përmbajtjeve të ndaluara nga shteti rus.