Gjiganti teknologjik, Apple, e ka përzgjedhur John Ternusin si drejtor të ri ekzekutiv. Ternus do ta zëvendësojë Tim Cookun që po largohet pas 15 vjetësh në udhëheqje.
Aktualisht Ternus është shef i njësitit për inxhineri harduerike. Ai është pjesë e Appleit qe 25 vjet. Detyrën e shefit ekzekutiv do ta marrë më 1 shtator. Cook do të bëhet kryetar i bordit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoCook ka qenë udhëheqës i kompanisë që prej vitit 2011, kur Steve Jobs u dorëhoq për shkaqe shëndetësore. Më pas ai vdiq.
Vendimi i Cookut për t’u tërhequr vjen pas disa muajsh spekulimesh se Apple po kërkon për një pasues. Kompania sapo ka shënuar përvjetorin e 50-të.
Ai e ka cilësuar punën e deritashme si “privilegjin më të madh jetësor”. Gjatë ushtrimit të detyrës nga Cook, kompania u bë një prej më të vlefshmeve në botë. Më 2018, kompania u bë e para në botë me vlerë mbi 1 trilion dollarë. Tani ka mbërritur në 4 trilionë.
Cook e ka përshkruar Ternusin si udhëheqës vizionar me “mendjen e inxhinerit, shpirtin e inovatorit dhe zemrën e udhëheqjes me integritet dhe nder”.
“Ai është padyshim njeriu i duhur për ta udhëhequr Applein në të ardhmen”, ka shtuar Cook.
Ternus doli si i preferuari për ta zëvendësuar Cookun vitin e shkuar, pasi shefi operativ Jeff Williams la kompaninë.
Gjatë 25 vjetëve në Apple, Ternus ka punuar me pothuajse çdo produkt kyç që kompania e ka publikuar, përfshirë çdo gjeneratë të iPadit, shumë gjenerata të iPhoneit dhe lansimin e AirPods e orës Apple.
Ai po ashtu ka mbikëqyrur kalimin e procesorëve të kompjuterëve Mac nga Inteli në të Appleit.
Në një komunikatë për media, Ternus i është referuar Cookut si mentor.
“Jam i mbushur me optimizëm për atë që mund të arrijmë në vitet në vijim”, ka shtuar ai.
Përcaktimi i një udhëheqësi të ri, me prapavijë nga sektori i prodhimit dhe harduerit, mund t’ia mundësojë kompanisë të largohet nga kritikat gjatë udhëheqës së Cookut se nuk është më inovative.
Përderisa Cook ka shënuar rritje katër fish në të hyrat e Appleit falë shitjeve, linja e prodhimit pothuajse ka mbetur e njëjtë.
Dipanjan Chatterjee, analist në “Forrester”, ka vlerësuar stabilitetin financiar që Cook e ka sjellë tek Apple, por ka theksuar se ajo s’i ka dhënë kompanisë një produkt si iPhone, që do t’ia jepte Ternusit edhe 20 vjet sukses.
Ai ka thënë se kompania “ka mbetur e varur në strukturë në telefon” ndërsa “kërkon motorin e saj të ardhshëm të rritjes”.
Caktimi i Ternusit tregon se Apple po kërkon “diferencimin” në produktet e veta, ka thënë Chatterjee, duke shtuar se udhëheqësi i ri “duhet t’i rezistojë përpjekjeve të përmirësimeve të vogla një nga një, që e ka pllakosur Applein së fundmi, dhe t’i ikën tërheqjes gravitacionale të iPhoneit”.
Ken Segall, që ka qenë drejtor kreativ i Steve Jobsit për më shumë se një dekadë, ka thënë se ka pasur dallime mes Jobsit dhe Cookut.
“Steve ishte vizionari, Tim personi operacional që e mori përsipër”, ka thënë ai.
Gjiganti teknologjik është kritikuar edhe për hapat e ngadalshëm në hyrjen në Inteligjencën Artificiale. Ajo në fund integroi teknologjitë e Googleit dhe të OpenAI në sistemin e vet operativ.
Pas njoftimit të së hënës, shefi i OpenAi, Sam Altman, shkroi se “Tim Cook është legjendë”.
“Jam shumë falënderues për gjithçka që ka bërë ai dhe jam falënderues për Applein”, ka shtuar Altman.
Cook nuk ka ardhur nga një e kaluar me prodhim dhe harduer kur iu bashkua Appleit.
Në vend të kësaj, ai kishte kaluar vite të tëra si operator biznesi në kompanitë si IBM dhe “Compaq”. Ka qenë zyrtar i teknologjisë i fokusuar në operacione dhe përmbushje porosish, logjistikë dhe shifra shitjesh, më pak në ideim dhe lansim të produkteve të reja teknologjike. Jobsi ishte i njohur për këtë.
Një prej produkteve më të mëdha të lansuara gjatë udhëheqjes së Cookut ishte “Apple Vision Pro”, pajisje e realitetit të shtuar, por që nuk pati sukses.
Megjithatë, udhëheqësia e tij do të kujtohet si ndër më të suksesshmet në treg. Timothy Hubbard, profesor në Universitetin e Biznesit “Mendoza” në Indiana, ka thënë se epoka e Cookut në Apple e ktheu kompaninë në “më të mirën e rafinimit, shkallëzimit dhe mbrojtjes së një sistemi jashtëzakonisht të fuqishëm”.
“Pyetja e vërtetë tani është nëse e njëjta kompani mund të orientohet drejt eksplorimit, ku suksesi varet nga shpejtësia, pasiguria dhe gatishmëria për të eksperimentuar”, ka thënë ai.
Ngurrimi i Appleit për t’u zhytur direkt në produktet dhe shërbimet me AI, e ka dalluar nga të tjerët, që po shpenzojnë miliarda dollarë.
Me shefin e ri, Apple mund të shfaqë interesim për integrim më të thellë të AI-së në harduerë, ka thënë Hubbard.