Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

BE-ja drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, gati aplikacioni për verifikimin e moshës

rrjetet sociale

Vendet e Bashkimit Evropian po rrisin presionin për të kufizuar qasjen e fëmijëve në rrjetet sociale, ndërsa Brukseli po përgatitet të vendosë një standard të përbashkët në nivel kontinental. 

Një valë nismash kombëtare ka shtyrë përpara këtë debat, me disa shtete që tashmë kanë ndërmarrë hapa konkretë, raportoi të mërkurën “Euronews”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Franca ka miratuar ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, ndërsa Danimarka ka arritur një marrëveshje politike për masa të ngjashme. 

Në Spanjë po diskutohet një prag edhe më i rreptë, që synon kufizimin deri në moshën 16 vjeç.

Ndërkohë, Greqia, e cila planifikon të zbatojë një ndalim nga viti 2027, po i bën thirrje institucioneve evropiane për qasje të unifikuar.

Ky presion i koordinuar duket se po jep rezultat. Më 15 prill, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se platformat digjitale “nuk kanë më justifikime” për dështimin në mbrojtjen e të miturve në internet. Ajo bëri të ditur gjithashtu se aplikacioni i BE-së për verifikimin e moshës është teknikisht gati për t’u përdorur.

Aplikacioni kërkon që përdoruesit të verifikojnë moshën përmes dokumenteve zyrtare ose identiteteve digjitale. Më pas, sistemi gjeneron një konfirmim duke përdorur teknologjinë e njohur si “zero-knoëledge proofs”, e cila u lejon platformave të konfirmojnë moshën pa ekspozuar të dhëna personale. 

Kodi i aplikacionit është i hapur dhe i ndërtuar për t’u integruar me kuletat digjitale kombëtare, si dhe për t’u përdorur nga platforma të njohura si TikTok, Instagram, Facebook dhe Snapchat.

Të katër këto platforma janë aktualisht nën hetim nga Bashkimi Evropian për dështime në mbrojtjen e të miturve. 

Ndërkohë, paneli i Komisionit për sigurinë e fëmijëve pritet të japë verdiktin e tij gjatë kësaj vere, një vendim që mund të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të politikave digjitale në Evropë.