Ashtu si pritej, Kosova i ka humbur të gjitha ndeshjet kualifikuese për kampionatin evropian të volejbollit, që mbahet vitin e ardhshëm.
Volejbollistët e Kosovës i kanë luajtur plot katër ndeshje dhe i kanë humbur të gjitha. Kështu Kosova përfundoi e fundit në Grupin G kualifikues, prapa Sllovakisë dhe Letonisë. Ishte paraqitja e parë për “Dardanët” në kualifikimet për Evropian.
Humbjen e fundit Kosova e pësoi në Riga nga Letonia të shtunën pasdite, 3:1. Ishte seti i vetëm i fituar nga katër ndeshje. Nga Letonia kishte humbur 3:0 në sete edhe në hapje të eliminatoreve. Humbje 3:0 në sete kishte pësuar dy herë edhe nga Sllovakia.
“Kombëtarja A e Kosovës në volejboll për meshkuj ka mbyllur ciklin e kualifikimeve për CEV EuroVolley 2026 me një paraqitje dinjitoze në Riga, ndaj përfaqësueses së Letonisë”, shkruan në njoftimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës.
Por njëri prej trajnerëve më të suksesshëm në vend, Xhavit Kajtazi, nuk mendon se Kosova pati paraqitje dinjitoze.
“Nuk e di se çfarë është kjo dinjitoze. Dinjitoze është të fitosh ndonjë lojë apo garë. Në përgjithësi në klube është puna e dobët. Mundësitë financiare për t’ua ofruar lojtarëve i kanë, por puna është e dobët. Në përfaqësuese i marrin lojtarët 10 ditë për t’u përgatitur, kurse 11 muaj në gjumë. Përkrahjen financiare nuk e kanë pasur kurrë më të mirë, po vetëm duhet të punojnë në ofrimin e vlerave. Kosovës i duhen trajnerë. Po marrin të jashtëm, por neve na duhet trajner me përvojë”, ka thënë Kajtazi.
Volejbollistët e Kosovës (FVK) kanë fituar nga një set edhe në kualifikimet e Botërorit 2018 dhe në “CEV Volleyball European Silver League”. Por mbetet përfaqësuesja e vetme në nivel senior e sporteve ekipore që nuk ka ende asnjë fitore. Në 15 ndeshje njeh vetëm humbje.
“Është e dhimbshme që mbetet përfaqësuesja e vetme pa fitore. Karriera e një volejbollisti përfundon pa e fituar asnjë ndeshje. Maqedonia ligën e ka të dobët, por të gjithë lojtarët i luajnë jashtë vendit. Kemi material, por nuk po angazhohen trajnerë që i përshtaten përfaqësueses”, është shprehur Kajtazi.
Kajtazi si volejbollist e më vonë edhe si trajner dha kontribut të çmuar për promovimin e sportit të rrjetës në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën. Kajtazi me përkushtimin dhe punën e tij arriti të nxjerrë emra të njohur të volejbollit të Kosovës.
Kryetari i FVK-së, Bahri Gjinovci, thotë se rezultatet nuk janë të pranueshme. Por, ai insiston se përballjet ndaj Letonisë dhe Sllovakisë do t’i shërbejnë për të ardhmen.
“Kombëtarja A e Kosovës ka përmbyllur ciklin kualifikues për Evropian, duke e shtuar edhe një përvojë të vlefshme në historinë e saj ndërkombëtare. Ky proces kualifikues ishte një test i rëndësishëm ku ekipi ynë tregoi disiplinë dhe përkushtim përballë kundërshtarëve me traditë dhe eksperiencë të madhe evropiane. Edhe pse rezultatet nuk ishin në nivelin e objektivave që kishim vendosur, ndeshjet shërbyen si një bazë për të matur forcat dhe për të identifikuar hapësirat ku duhet të përmirësohemi. Përparimi ishte i dukshëm, sidomos te lojtarët e rinj që u inkuadruan në këtë cikël, të cilët fituan eksperiencë ndërkombëtare dhe dëshmuan se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi më të madhe në të ardhmen”, ka thënë Gjinovci për KOHËN të dielën.
Ai thekson se Kosova ka treguar se ka të ardhme të ndritur.
“Ky rrugëtim na e forcon bindjen se Kosova ka potencial për të qenë pjesë e pandashme e garave evropiane. Kombinimi i përvojës së lojtarëve me energjinë dhe ambicien e brezit të ri përbën themelin mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja e volejbollit tonë. Federata e Volejbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar të mbështesë vazhdimisht ekipet kombëtare, të investojë në zhvillimin e talenteve dhe të krijojë kushte sa më cilësore për përgatitjet e ardhshme me synimin që Kosova të jetë gjithnjë e më konkurruese dhe dinjitoze në skenën ndërkombëtare”, është shprehur Gjinovci.
Kosova i nisi kualifikimet me sllovakun Martin Nemec, ndërsa i mbylli me trajnerin nga Mali i Zi, Darko Prebiraçeviq.
Në këtë cikël kualifikues luajtën për herë të parë për Kosovën edhe Gazmend Husaj dhe Bardhyl Hajdaraj. Husaj është volejbollisti më i mirë shqiptar. Karrierë të suksesshme ka bërë edhe Hajdaraj. Por edhe me Husajn e Hajdarajn në përbërje, Kosova nuk shënoi fitore. Mbetet me tri sete të fituara në tri cikle kualifikuese.