Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Trajneri suedez po e shijon kohën te Kosova

suedez

Jesper Ostlund për herë të parë po punon jashtë Suedisë. Dhe 35-vjeçari po e shijon kohën si përzgjedhës i Kosovës në hendboll.

Ostlund e fillon të hënën grumbullimin e tretë me Kosovën. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hendbollistët e Kosovës gjatë javës së ardhshme i luajnë dy ndeshje të raundit të dytë kualifikues për Botërorin 2027. Do të përballen me Bosnjë-Hercegovinën. Ndeshja e parë është të enjten në Tuzla, ndërsa e kthimit të dielën e javës tjetër në Prishtinë. 

Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve, do ta ketë vetëm edhe një pengesë drejt Botërorit.

Në raundin e tretë kualifikues, Kosova apo Bosnjë-Hercegovina do të përballen me Ishujt Faroe.

“Jam i kënaqur. Herën e parë kur takova ekipin e kemi mposhtur Britaninë e Madhe dy herë. Ishte hera e parë për mua që drejtova një ekip nga Ballkani dhe e kam shijuar shumë. Në kampin e dytë i kishim dhjetë lojtarë të lënduar, kështu që kam pasur rastin të takojë shumë lojtarë të rinj”, ka thënë Jesper Ostlund të premten për sajtin e Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Ai punon si trajner në elitën e Suedisë. Më herët ka drejtuar përfaqësuesen U19 të hendbollistëve të Suedisë dhe atë U20 të hendbollisteve. 

Ostlund mori drejtimin e Kosovës në fillim të shtatorit të vitit të kaluar.

Në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit, hendbollistët e Kosovës i shënuan dy fitore ndaj Britanisë së Madhe në raundin e parë kualifikues për Botëror. Në janar, përfaqësuesja kishte kamp përgatitor në Slloveni.

Bosnjë-Hercegovina është kundërshtare e nivelit dukshëm më të lartë se Britania e Madhe.

Ostlund është optimist i matur.

“Kemi disa mungesa, por mendoj se ende kemi ekip që mund ta sfidojë Bosnjën në një ditë të mirë. Mendoj se kemi shanse të avancojmë. Bosnja natyrisht është favorite, por kam besim të fortë në ekipin tim dhe do të bëjmë çdo gjë të mundur”, ka shtuar Ostlund, që është përzgjedhësi i parë i huaj i Kosovës.

Bosnjë-Hercegovina i ka fituar katër ndeshjet e kaluara me Kosovën. Lojtarët e Bosnjës luajnë në nivel dukshëm më të lartë se ata të Kosovës.

“Është ekip fizik. Ka lojtarë që luajnë në ekipe të mëdha dhe ka skuadër të gjerë. Kështu që do të jetë sfidë që ta mposhtim Bosnjë-Hercegovinën”, ka thënë Jesper Ostlund.