Sporte të tjera

Serbia heq dorë nga Evropiani në Prishtinë

Kampionati Esports

Ekipi i Serbisë nuk do të paraqitet në Kampionatin Esports që nis të mërkurën dhe përfundon të dielën.

Evropiani për lojërat e famshme eletronike “Counter Strike 2” dhe “Dota 2”, do të mbahet në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Do të marrin pjesë 25 shtete, por jo edhe Serbia.

Kryetari i Federatës Esports Kosova, Altin Preniqi, ka thënë se organizimi i Evropianit është historik për shtetin e Kosovës.

“Për pesë ditë Kosova do të jetë mikpritëse për Esports. Ky është një moment historik për Kosovën dhe një dëshmi për të treguar vlerat tona. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë 25 shtete”, tha Preniqi në konferencë për media të martën.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmani, bëri të ditur se Kosova ka garantuar mjedis të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit.

“Nga 25 shtete, sot i kemi vetëm 24 për shkak të tërheqjes së Serbisë nga kampionati në momentet e fundit. Kosova ka garantuar mjedis të barabartë dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit. Është për të ardhur keq që institucionet e Serbisë nuk lejojnë që sportistët të marrin pjesë. Ky ka qenë vendim i politikave shtetërore të Serbisë”, tha Osmani.

Në konferencë folën edhe president i Federatës Evropiane të Esports (EEF), Karol Cagan, sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Esporteve (IESF), Boban Totovski dhe lojtari i Kosovës, Flatron Halimi

Evropiani në Esports nis të mërkurën dhe përfundon të dielën. Ceremonia hapëse e Evropianit mbahet në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë dhe nis nga ora 12:00.

Evropiani është kualifikues për Botërorin 2026.