Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

U nis që 17 vjet, rruga Prishtinë-Mitrovicë ka ende punë

rruga Prishtinë-Mitrovicë

Pavarësisht se ndërtimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë ka nisur para 17 vjetësh dhe ende nuk ka përfunduar tërësisht, të enjten është përuruar një segment i saj. Kryeministri Kurti ka fajësuar ish-qeveritë për zvarritjen e projektit, e për pjesën e mbetur ka thënë se do të kryhet porsa marrëveshja për kredi të ratifikohet në Kuvend

Për më shumë se një dekadë e gjysmë, institucionet nuk kanë arritur që të përmbyllin projektin për ndërtimin e rrugës Prishtinë - Mitrovicë. Ndonëse projekti nuk ka përfunduar në tërësi, kryeministri Albin Kurti, të enjten, ka përuruar edhe një segment të tij, pas përurimeve të dy segmenteve të tjera që pati bërë më 2024 dhe 2025.

Për përfundimin e tërësishëm të projektit kanë mbetur edhe 5 kilometra të segmentit Smrekovnicë-Mitrovicë, por që marrëveshja për kredi nuk është ratifikuar ende në Kuvend, ndërsa është përcjellë nga Qeveria vetëm dy javë më parë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për zvarritjen e projektit, Kurti - që është në pushtet tash e pesë vjet pa ndërprerje - ka fajësuar qeveritë e kaluara.

“Mos të harrojmë ky projekt ka nisur në vitin e largët 2009 dhe nuk u përfundua asnjëherë për shkak se u nis mbrapsht. Ky investim prej 25 milionë eurosh, me gjatësi 9.6 kilometra, është realizuar në bashkëpunim ndërmjet institucioneve tona, Fondit Saudit për Zhvillim, si dhe Fondin e OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar, për çfarë i falënderoj për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar”, ka thënë Kurti.

Segmenti që Kurti e ka përuruar të enjten, ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, pati thënë se do të jetë i përfunduar në fillim të vitit 2025.

Në dhjetor të 2024-tës, qeveritarët kanë përuruar segmentin prej 5 kilometrash, nga fshati Lum i Madh deri në hyrje të Vushtrrisë, ndërsa më 2025 edhe pjesën tjetër që përfshin baj-pasin, në gjatësi prej 4.4 kilometrash.

E ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, teksa ka falënderuar qytetarët për durimin, ka thënë se me Qeverinë Kurti po realizohen projektet që ishin lënë pas dore për gjithë këto vite.

“Lajmi tjetër është që së shpejti fillon pjesa tjetër e rrugës prej Smrekonicës në Mitrovicë dhe kështu do t’i kemi 4 korsi nga Mitrovica në Prishtinë. Siç e tha edhe kryeministri nevojitet aktivizimi i Kuvendit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, është shprehur Basha.

Marrëveshja e re për kredi kap vlerën e mbi 13 milionë eurove. Me to parashihen përmirësime në seksionin Smrekovnicë - Mitrovicë në gjatësi 5 kilometra, ndërtimi i dy korsive shtesë, dy korsive të emergjencës dhe ndërtimi i katër kryqëzimeve.

Shpronësimet për këtë pjesë mbulohen nga buxheti.

Projekti është përcjellë me telashe të shumta që kur ka nisur më 2009, sidomos me shpronësime, por edhe me dizajnim të projektit.