Sporte të tjera

Pse Usyk e quan “Ivan” goditjen e tij të papërballueshme me të majtën?

usyk

Një goditje e fuqishme me të majtën, në stilin “kroshe”, i dha fund meçit mes Oleksandr Usykut dhe britanikut Daniel Dubois.

Për goditjen e papërballueshme, ukrainasi Usyk foli në konferencë për shtyp, që u mbajt një orë pas meçit të së shtunës mbrëma në “Wembley”.

Usyku e mposhti Duboisin me nokaut në raundin e pestë, për të mbledhur gjithë titujt e botës në kategorinë e rëndë.

Ai ka shpjeguar goditjen, duke thënë se nuk është “kroshe” e zakonshme. Vrulli është më i madh dhe dora mbahet pak më lart. Edhe emrin e ka të veçantë.

“Kjo goditje me të majtë quhet Ivan”, ka thënë Usyk para sallës së mbushur me gazetarë.

“Ivan është emër ukrainas. Ivani është një djalosh i madh që jeton në fshat dhe punën fort për familjen e tij. Është një grusht i fortë, është grusht Ivan”, ka shpjeguar boksieri më i mirë në botë aktualisht.

Ai ka treguar se goditjen e tij të veçantë e ka quajtur “Ivan” për herë të parë në vitin 2018 sa ishte në SHBA. Ishte ende boksier i kategorisë kruzer.

Dubois fillimisht u rrëzua nga një e djathtë e Usykut në trup. Por ishte goditja me të majtën, goditja “Ivan”, që vendosi çdo gjë.

Vetëm Mohammed Ali në të kaluarën ishte dy herë kampion i padiskutueshëm në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Tani këtë sukses e ka edhe Usyku.