Sporte të tjera

Nga të dënuar për doping në kampionë të Wimbledonit

Nga të dënuar për doping në kampionë të Wimbledonit

Jannik Sinner tha se titulli i tij individual në Wimbledon dhe ai i Iga Swiatek te tenistet, janë “shumë të veçantë” pas rasteve të dopingut ku ishin të përfshirë ata dhe që ndodhën vitin e kaluar.

Për herë të parë në historinë e Wimbledonit, kampionët te meshkujt dhe femrat kanë vuajtur dënime për përdorim të substancave të ndaluara. Kjo ka bërë që festimet e tyre të shoqërohen edhe me polemika.

Me autoritetet që pranojnë këmbënguljen e të dyve që rastet u shkaktuan nga kontaminimi i ilaçeve, shumica e njerëzve janë të gatshëm të harrojnë suspendimet për kohë të shkurtër. Por të tjerë janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë kjo në imazhin e tenisit. 

“Nuk mendoj se është pamje e mirë për sportin”, tha australiani Nick Kyrgios, kur parashikoi dy finalet e Wimbledonit.

Pak minuta pas fitores së Sinnerit të dielën, finalisti i vitit 2022 postoi një yll në mediat sociale, i vlerësuar si pasqyrim i ndjenjave të përziera që disa kanë për fitoren e numrit një në ranglistën botërore të tenistëve. Italiani Sinner e fitoi Wimbledonin pak më shumë se dy muaj pas përfundimit të një dënimi për doping.

Kur u pyet nga BBC Sport për ata që mund të jenë të shqetësuar për fitoren e tij dhe të polakes Swiatek, Sinner tha: “Unë dhe Iga folëm për këtë. Në një mënyrë kemi festuar edhe më shumë, sepse ishte një kohë shumë e vështirë për të dhe për mua. Vetëm unë, ekipi im dhe njerëzit që janë afër meje e dinë saktësisht se si shkoi. Gjithmonë do të ketë njerëz që ju besojnë dhe të tjerë që nuk ju besojnë. Është shumë e veçantë, sepse katër-pesë muajt e fundit ishin shumë stresues”.

Swiatek ka folur për këtë pas triumfit të së shtunës.

“Muajt e kaluar, mënyra se si mediat më kanë paraqitur ndonjëherë, mënyra se si më trajtuan mua dhe ekipin tim, nuk ishte vërtet e këndshme. Shpresoj se do të më lënë të qetë dhe do të më lënë t bëj punën time”, ka thënë polakja.

Por, cilat ishin rastet e tyre? Si u zgjidh çdo gjë dhe ata u kthyen kaq shpejt? Çka do të thotë kjo për Wimbledonin dhe sportin në përgjithësi?

Rasti i Swiatekut

Fituesja e gjashtë turneve Grand Slam, Swiatek, rezultoi pozitive për ilaçin e zemrës, trimetazidinë (TMZ), në një testim jashtë garave, të bërë në gusht 2024. Ajo ishte e pezulluar për një muaj, dënim që përfundoi në fillim të dhjetorit.

TMZ rrit rrjedhën e gjakut në zemër dhe stimulon metabolizmin e glukozës. Mund të përmirësojë qëndrueshmërinë dhe për këtë është substancë e ndaluar në sport.

Patinazhistja ruse, Kamila Valieva, u dënua për katër vjet pasi doli pozitive për TMZ. Shkelja e Swiatekut u vlerësua të jetë më e vogla e mundshme. Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit në Tennis tha se ishte shkaktuar nga kontaminimi i një ilaçi të përgatitur pa recetë, i prodhuar dhe i shitur në Poloni. Ajo tha se ilaçin e mori për shkak të telasheve me gjumin dhe lodhjen si pasojë e ndryshimit të zonave kohore.

Rasti i Sinnerit

Sinneri rezultoi dy herë pozitiv për nivele të ulëta të steroidit të ndaluar anabolik, të quajtur klostebol. Ai mund të përdoret për të rritur masë muskulore. Italiani doli pozitiv në testimet e bëra në vitin 2024.

Ashtu si për Swiatekun, autoritetet pranuan se ishte shkaktuar nga përdorimi i një ilaçi pa recetë. Ai u lirua nga çdo shkelje, nga një gjykatë e pavarur, e cila vendosi të mos e suspendonte. U pranua se Sinneri ishte kontaminuar pa dashje nga fizioterapeisti i tij, i cili po i trajtonte një prerje në dorë me një sprej pa recetë. Më vonë u zbulua se spreji përmbante substancën e ndaluar.

Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA), apeloi kundër këtij vendimi dhe kërkoi një ndalim prej një deri në dy vjet për Sinnerin.

Një seancë dëgjimore ishte caktuar për në prill në Gjykatën e Arbitrazhti Sportiv (CAS). Por në muajin shkurt u njoftua se Sinneri dhe WADA kishin arritur një zgjidhje kundërthënëse. Italiani do të vuante vetëm një ndalim tremujor.

Kjo nënkuptoi se ai nuk humbi asnjë turne Grand Slam dhe u kthye në kohë për French Open. Kishte akuza për favorizim. Disa lojtarë shprehën hapur dyshimet për sportin e pastër.

Ka pasur po ashtu pyetje se pse fizioterapisti dhe trajneri i Sinnerit, që u konsideruan përgjegjës për futjen e klostebolit në sistemin e tij, nuk u përballën me asnjë veprim nga autoritetet.

Pse nuk kishte dënime për kohë më të gjatë?

WADA kishte vlerësuar se gjykata e pavarur do të duhej ta ndëshkonte Sinnerin për përgjegjësi më të madhe, pasi ai, në fund të fundit, ishte përgjegjës për dështimin e dy testeve të dopingut. Por WADA pranoi se Sinner “nuk e kishte ndërmend të mashtronte”, se dopingu “nuk ofroi asnjë përfitim për përmirësimin e performancës” dhe kjo ndodhi “pa dijeninë e tij dhe si rezultat i neglizhencës së anëtarëve të stafit”.

Mbi këtë bazë, WADA ishte e përgatitur të arrinte marrëveshje me Sinnerin, në vend që ta dërgonte rastin në CAS. Në CAS, Sinner ose do të lirohej nga akuzat ose do të suspendohej për të paktën një vit.

Nga WADA theksuan se rasti i Sinnerit ishte “miliona kilometra larg dopingut”. Zgjidhje të ngjashme të rasteve janë lejuar nga viti 2021 dhe WADA deri më tani ka arritur 67 marrëveshje.

Në rastin e Swiatekut, WADA nuk apeloi kundër pezullimit njëmujor duke vlerësuar se ekspertët e saj kanë ardhur në përfundim që nuk ka bazë shkencore për kundërshtim në CAS.

Tenistë të ndryshëm kanë reaguar pasi u konfirmuan vendimet për Sinnerin e Swiatekun. Të tjerë kanë përkrahur vendimet. 

Për shembull Serena Williams tha se do të ishte dënuar me 20 vjet moslojë sikur të kryente të njëjtën vepër si Sinneri.

Britanikja Tara Moore tha se lojtarët më të mirë trajtohen ndryshe. Shumë vlerësuan se dy tenistët përfituan nga mundësia për të paguar avokatët më të mirë dhe nga veprimi i tyre i shpejtë.

Polemikat për dopingun në tenis nuk janë të reja. Dhe Wimbledoni i këtij viti vetëm do t’i forcojë ato. Por duket se lojtarët e tjerë të tenisit janë më të shqetësuar për këtë se shikuesit dhe adhuruesit e këtij sporti.